Kemal Luci: Pse mungon
shoqata e arkeologëve shqiptarë?!

7 Dhjetor 2013, 06:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Bashkëpunimin arkeologjik mes Kosovës e Shqipërisë është ndërprerë për shkaqe politike në vitet ’80. Rimëkëmbja e marrëdhënieve me shumë vështirësi ka nisur në vitin 1999, por megjithatë ende për zbulimet arkeologjike nuk është krijuar një shoqatë e përbashkët. Arkeologu Kemal Luci, drejtor i Muzeut të Kosovës, dje, gjatë promovimit të librit “Studime arkeologjike në prehistorinë e Shqipërisë” të akademikut Myzafer Korkuti, ka hedhur propozimin në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të ngritur shoqatën e arkeologëve shqiptarë. “Në realitet duhet të kishte ndodhur më parë, sepse zbulimet e arkeologjisë shqiptare i kapërcejnë shumë më tepër kufijtë e Shqipërisë”, shprehet arkeologu kosovar Kemal Luci për gazetën “Shqiptarja.com”
 
Profesor Luci, ju hodhët një propozim në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që të krijohet shoqata e arkeologëve shqiptarë, e cila nuk ekziston. Pse ka ndodhur kjo?
-Të gjitha shtetet në Ballkan e kanë shoqatën e vet të arkeologëve. Është shoqata e arkeologëve grekë, është shoqata e arkeologëve serbë, kroatë, malazezë, dhe lind pyetja pse ne shqiptarët të mos kemi shoqatën tonë të arkeologëve, e cila na nevojitet, jo vetëm për të bashkuar trojet, se një shoqatë nuk mund të bashkojë trojet, por të bashkojmë zbulimet arkeologjike të lashtësisë sonë që të bëhet e qartë për brezat e rinj, të dinë çfarë zbulimesh arkeologjike ka në Sarandë, cfarë ka në Kukës, çfarë po punohet aty në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, ose në Prishtinë. Ky është vetëm një propozim imi, por në realitet duhet të kishte ndodhur më parë, sepse zbulimet e arkeologjisë shqiptare i kapërcejnë shumë më tepër kufijtë e Shqipërisë.
 
Cilat janë publikimet më të zëshme në Prishtinë e një Gjilan, apo në territore të tjera të Kosovës, që përfshijnë epokat ilirike?
-Publikimet e zbulimeve të tilla arkeologjike kanë qenë jo të mjaftueshme. Duke punuar kështu të ndarë na duhet të presim shumë kohë derisa të publikohet një rezultat i gërmimeve. Kolegët e mi kanë nevojë sot për një dijeni më të madhe çfarë po ndodh me zbulimet në trevat shqiptare dhe zbulimet që janë bërë atje kanë mjaft interes për diskutimet e përbashkëta shkencore dhe krahasimet janë tepër të nevojshme. Propozimi im ka qenë që së paku njëherë në vit të takohemi ne arkeologët e Kosovës dhe të Shqipërisë për të publikuar gërmimet.

Nuk është e domosdoshme që këto takime të jenë tepër zyrtare, por edhe takime në tavolinë kur arkeologët shqiptarë të thonë mes tyre, se atje në Gjilan, Prishtinë apo Kosovë unë kam pasur këto e ato zbulime, dhe nga ana tjetër kolegët në Shqipëri të tregojnë se këto apo ato zbulime janë bërë në Sarandë, në Kukës në Tiranë, kudo. Ka zbulime që nuk janë të qarta. Dhe duke krahasuar njohuritë e zbulimet në një epoke të caktuar, mund të pyetet a mundet që një koleg të tregojë se çfarë tregon kjo apo ajo tjetra. Pra të jetë një takim, një shoqërim e bashkim dijesh mes arkeologëve shqiptarë.
 
Sa mund të ndikojë kjo në thellimin e argumenteve shkencore në arkeologji?
-Është hapi i dytë argumentimi shkencor, por puna e parë është të realizohet bashkëpunimi, publikimi, prezantimi dhe pastaj flasim, e para sjell të dytën.
 
A keni biseduar më parë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, apo është hera e parë që bëhet ky propozim?
-Unë e kam diskutuar më herët me Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike në 1980-n, kur kemi filluar së bashku bashkëpunimin arkeologjik mes Kosovës e Shqipërisë, por për shkaqe politike u ndërprenë marrëdhëniet, siç e dini në 1981-1983-shin, dhe e vazhduam këtë bashkëpunim në 1999-n me një projekt me Institutin Arkeologjik dhe muzeut të Kosovës nën mbikëqyrjen e akademive të Shkencave të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe doli libri i parë Harta Arkeologjike e Kosovës.
 
Meqë ju jeni specialist i Muzeut të Kosovës, çfarë pasurish  arkeologjike ka atje?
-Ne kemi një muze shumë të vogël, por pozita jonë gjeografike në Ballkan, ku gërshetohen të gjitha rrugët e Ballkanit ka bërë që muzeu jonë të jetë shumë i pasur.
 
Dhe ju, cilat çmoni më shumë ndër këto pasuri?
-Më vjen keq që unë nuk kam me vete katalogun më të ri arkeologjik të Kosovës të periudhës parahistorike të neolitit të hershëm dhe ne duhet të krenohemi se pasuritë më të shumat në Ballkan, me periudhën bronzit ne kemi ndikimin e kulturës mikenase në shekullin e 14-15-të,  para Krishtit se është shumë e rëndësishme se tregon se në atë kohë ka pasur marrëdhëniet  tregtare midis Dardanisë dhe Mikenës. Sot të udhëtosh me makinë duhen 12 orë me shkue prej Prishtinës. Mendoni sesa u janë dashur para 3 mijë vjetëve për të udhëtuar atyre që kanë pasur marrëdhënie tregtare me Mikenën.
 
A mund të na përmendini një nga zbulimet më të fundit që ta bëjmë publike për lexuesin?
-Zbulimi më i fundit është fund i shekullit të katërt, fillimi i shekullit të pestë pas Krishtit, që është zbuluar në Klinë dhe ky është një zbulim unikal në Ballkanin Qendror, si dhe mozaiku tjetër që u zbulua në qytetin e lashtë Ulpianë që është afër Prishtinës, që u zbulua në qytetin e lashtë antik që gjendet afër Prishtinës.
Nëse më lejoni mund t’ju them edhe diçka për sensibilizimin e studiuesve, e ndjej si obligim t’ua them, atë sikurse e thashë edhe në në konferencën kombëtare që u mbajt para dhjetë ditëve në Kosovë. Na nevojiten në këto kohë më shumë hulumtime të Mesjetës, ku në këtë fushë kemi një boshllëk të madh, edhe ne edhe Shqipëria.
 
 Shkrimi u publikua sot (07.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?