KE: Shqipëria në rrugë të mirë
por borxhi publik, ende i lartë

8 Tetor 2014, 07:56| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Shqipëria është në rrugë të mirë sa u përket përpjekjeve drejt një ekonomie tregu funksionale. Por vendi ka nevojë për konsolidim të financave për të ulur borxhin publik, duke krijuar në të njejtë kohë hapësira për shpenzime që sjellin zhvillim, theksohet në pjesën ekonomike të Progres Raportit të BE. Në të vlerësohet ruajtja e stabilitetit makroekonomik, vazhdimi i shlyerjes së borxheve të prapambetura nga shteti dhe përmirësimi i mbledhjes e administrimit të taksave. Por, sipas raportit, rritja ekonomike ka shënuar ngadalësim dhe deficiti i llogarisë korente mbetet i madh, çfarë pasqyron konkurrencë të dobët. “Deficiti buxhetor tejkaloi objektivin në 2013 dhe niveli i lartë i borxhit publik u rrit më tej duke kufizuar hapësirën fiskale për të manovruar. Papunësia është e lartë dhe ekonomia informale mbetet e gjithëpërhapur”, theksojnë ekspertët e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me kompaninë CEZ i hapi rrugën reformës në sektorin e energjisë. Sipas Komisionit, vendi duhet të rrisë përpjekjet në këtë fushë, përfshirë shumëllojshmërinë e burimeve energjetike dhe funksionimin e tregut, që konsiderohet jetik për zhvillimin ekonomik. “Sektori i energjisë duhet të reformohet dhe duhen zbatuar më tej reformat për administrimin e taksave dhe për pensionet, në mënyrë që të ulet rreziku që paraqitet për financat publike. Pengesat ndaj zhvillimit të sektorit privat duhen hequr, duke përmirësuar klimën ndaj biznesit që karakterizohet nga mangësi në sundimin e ligjit, mungesat në kuadrin rregullator dhe paqartësitë mbi zotërimin e pronësisë”, thuhet më tej.

Sipas KE, duhen korrigjuar të metat në disa fusha, si transporti, mjedisi, siguria ushqimore, mbrojtja e shëndetit dhe e konsumatorit. Dokumenti thekson se mbetet thelbësore transparenca dhe llogaridhënia për prokurimet publike dhe menaxhimin e financave publike.
 
FMN
Një notë pozitive erdhi ndërkohë dje nga Raporti mbi Ekonominë Botërore i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, prognoza për ekonominë shqiptare mbetet e pandryshuar, me 2.1 për qind rritje gjatë vitit në vazhdim, pavarësisht nga rënia e shënuar në tremujorin e dytë, që sapo e shpalli INSTAT, prej 0.61 përqindësh në shkallë vjetore.
Shqipëria mbetet nën mesataren e vendeve në zhvillim të Evropës, e cila pritet në nivelin 2.7%. Por në 2015-n rritja ekonomike për Shqipërinë pritet të përshpejtohet në 3.3% dhe në 2019-n, madje, do të gjallërohej në 4.7%.
 
Reagimi i Financave: Janë regjistruar në 8 muaj 2.000 kompani të reja më shumë
 
Ministria e Financave i është përgjigjur dje sulmeve të opozitës lidhur me situatën e administrimit tatimor. “Ndërsa situata e rritjes së debitorëve për një periudhë të vitit tregon se vlerësimet tatimore për të paguar detyrime tatimpaguesit kanë qenë në bazën e realizimeve të treguesve të buxhetit, nga ana tjetër një pjesë e tyre janë në procedurë arkëtimi dhe sipas afateve që përcakton ligji i procedurave tatimore”, theksohet në reagimin e dikasterit. Financat kanë paraqitur të dhënat për subjektet debitorë dhe regjistrimet e reja në QKR duke sqaruar se “të ardhura tatimore janë në rritje ndaj 2013 me më shumë se 16% ose 15 miliardë lekë, po kështu janë regjistruar 16% (+1.988) kompani të reja më tepër se gjithë viti 2013 në vetëm 8 muajt e parë të vitit 2014”. Qeveria thotë se ka trashëguar “malin e debitorëve” në vlerën 78 miliardë lekë dhe megjithatë ka rithyer rritjen. Gjithashtu Ministria e Financave sqaron se fluksi i investimeve të huaja direkte ka ardhur në rritje. Në fund të 2013 niveli i fluksit të tyre u rrit me 370 mln USD ose 43.27%.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?