Harta e KE-së për Europën

'Diskriminuese', KE publikon hartën e Europës në Ditën e Rinisë, ja si paraqiten vendet e Ballkanit Perëndimor!

12 Gusht 2022, 20:07| Përditesimi: 12 Gusht 2022, 20:17

  • Share

Komisioni Europian ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, përmes një harte të kontinentit europian që  tregon karakteristikat e ndryshme të Europës, bashkëngjitur me flamujt e vendeve të BE-së. Por në këtë hartë nuk u është kushtuar shumë rëndësi vendeve që nuk janë pjesë e unionit, gjë që është cilësuar si diskriminuese nga shumë qytetarë.

Kjo hartë është pjesë e projektit të BE-së “European Learning Corner”, një platformë në shërbim të fëmijëve, ku nxënësit, mësuesit dhe prindërit mund të mësojnë në mënyrë zbavitëse.

Në hartën e postuar, vendet e Ballkanit Perëndimor shfaqen me pak, ose aspak identitet. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia shfaqen si tokë ngjyrë jeshile, me ndonjë kafshë (qen e ari) a bimë të vendosur tek-tuk mbi to. Njësoj është vepruar edhe me Ukrainën, Moldavinë, Zvicrën e Norvegjinë që nuk janë pjesë e BE-së, po ashtu edhe me Britaninë, e cila e la unionin dy vjet më parë.

Harta e përdorur nga KE

Kjo mënyrë e paraqitje e kontinentit europian u konsiderua diskriminuese dhe u komentua nga shumë qytetarë. Të shumta kanë qenë reagimet poshtë postimit në Facebook, për këtë zgjedhje të KE-së.

"Pra, qytetarë të BE-së, kini kujdes nga Qeni dhe Ariu në Ballkan", shktoi një komentues.

Pra, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vetëm arinj dhe qen?! Interesante! Vlerat e vërteta të BE-së!, komentoi një tjetër.

E ndërsa KE shkruan për Europën se është e bukur, e larmishme e ka shumë për të zbuluar, duket se komentuesit nuk ndajnë të njëjtin mendim.

"Më thyhet zemra kur shoh se politikat post-moderne liberale të BE-së kanë shkatërruar diversitetin e vërtetë evropian", komentoi një qytetar.

Nuk munguan edhe komente ku pyetej se "Ku është Ukraina në hartë?" , vend i shënuar po ashtu me ngjyrë jeshile, i cili pas sulmit rus aplikoi për të qenë pjesë e BE-së.

Meqenëse kjo hartë u adresohet fëmijëve, si do e kuptojnë ato se këto vende me ngjyrë të gjelbër që në dukje bëjnë “jetë të egër”, janë, në fakt, pjesë e qytetërimit?

D.GJ/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 13/08/2022 01:02

    Shpjegimi eshte se kush e ka sponsorizuar.Ne kete rast, BE i cili e ka ideuar harten me mendesine e vet,pra te BE dhe kufijte nuk dalin pertej kutit te tij.E thene ndryshe BE e ka konceptuar harten si anetar i Bashkimit evropian,jo si evropian.P.S:Meqe po flitet per harte ilustruese dhe edukuese,Evropa hipur mbi demin Zeus nuk erdhi nga Amerika duke kaluar Atlantikun te zbarkonte e te zbulonte vendet e ardhshme te BE,si Franca,Belgjika,Gjermania,Hollanda sic duket e ilustruar ne harte,perkundrazi erdhi nga Fenikia(Libani,Siria) dhe zbarkoi ne Krete,pikerisht nga dhe ne zonat ku <<lulezon>> gjelberimi barbarik ne harten e BE!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?