Fishekët dhe makina e sekuestruar

Katër persona në Klos nuk i binden urdhrit të policisë për të ndaluar! Braktisin mjetin dhe largohen, gjenden maska dhe fishekë në makinë

19 Shkurt 2023, 15:10| Përditesimi: 19 Shkurt 2023, 22:56

  • Share

DIBËR- Katër persona nuk i janë bindur urdhrit të policisë në Klos të Dibrës për të ndaluar. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së premtes pranë Urës Fshat në Klos.

Katër personat kanë qenë me një makinë me xhama të zinj dhe policia iu ka kërkuar të ndalojnë por ata janë larguar dhe më pas kanë braktisur mjetin. Ata janë favorizuar nga errësira dhe kanë arritur të largohen. Mjeti ka qenë duke udhëtuar nga Tirana në Dibër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet janë gjetur tre kapuçë të zinj në formë maske 30 fishekë luftarak dhe një mekanizëm metalik që shërben për blurje të lëndës narkotike.

Policia ka mundur të identifikojë 4 të rinjtë, E.R., D.M., Sh.H., dhe E.Rr., 21 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, dhe tashmë janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Armëmbajtje pa leje" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të  policisë" .

Po ashtu janë vënë nën hetim tre persona të tjerë, të cilët u gjetën në një banesë të braktisur nga ku kishin dyshime se ishin fshehur katër të rinjtë që u arratisën. Ata kanë lidhje shoqërore me katër të rinjtë. Në hetim u vendosën  E.M., R.T; K.K., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi u kapën duke ndarë në doza një sasi të vogël kanabisi.

Ora 16:51
Klos/ Nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, shpallen në kërkim katër të rinjtë nga Tirana

Katër të rinjtë nga Tirana që nuk iu bindën urdhrit të policisë në Klos për të ndaluar janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Policia ka sekuestruar makinën me të cilën katër të rinjtë po lëvizin, si edhe një krëhër kallashnikovi me 30 fishekë dhe tre kapuçë në formë maskash.

“Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 persona nga Tirana  që nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Procedohen penalisht në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë, lidhje shoqërore dhe të afërm të shtetasve të shpallur në kërkim  të cilët u gjetën në një banesë të braktisur në fshatin Peshk, njësia Administrative Martanesh.

Sekuestrohet një automjet, një  krëhër kallashnikovi me 30 fishekë,  një mekanizëm që shërben për blurje të lëndës narkotike dhe tre kapuçë në formë maskash.

Strukturat hetimore të DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe Postën e Policisë Klos, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që merrm me  aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike kanë organizuar pika kontrolli me qëllim goditjen e tyre.

Si rezultat në rrugën e Arbrit,  në fshatin Shkallë, Bashkia Klos, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip 'Volsëagen', ku udhëtonin 4 shtetas, të cilët nuk i janë bindur urdhërit të  punonjësve të policisë për të ndaluar, por janë ndaluar disa metra larg pikës së kontrollit dhe më pas kanë braktisur mjetin duke u larguar me vrap.

Gjatë kontrollit të mjetit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mekanizëm metalik që shërben për blurje të lëndës narkotike  me mbetje të lëndës narkotike e dyshuar canabis sativa,  një krëhër kallashnikovi me 30 copë fishek dhe tre kapuçë në formë maskash.

Si rezultat i hetimeve të thelluara bazuar dhe në inteligjencë informative  u bë e mundur  identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :

 E.R., D.M., Sh.H., dhe E.Rr., 21 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Armëbajtje pa leje" dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të  policisë" .

Po në vijim të hetimeve  të thelluara  shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë ushtruan kontroll në një banesë të braktisur në fshatin Peshk, njësia Administrative Martanesh  ku dyshohej se do shkonin katër shtetasit e shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në këtë banesë shërbimet e Policisë gjetën  dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë  për veprën penale "Prodhim dhe shitja e narkotikëve", tre shtetas të tjerë nga Tirana, konkretsht: E.M., R.T; K.K., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë. Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë lidhje shoqërore dhe të afërm me shtetasit e shpallur në kërkim.

Shërbimet e Policisë  gjatë kontrollit në banesën ku u gjetën këta tre shtetas  gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël canabis sativa që po e përgatisnin në doza.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të këtij rasti.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?