Katedralja Ortodokse ‘pushtohet’ nga jazzi dhe poezia, Eda Zari flet për albumin e ri dhe të birin: Të duam muzikën dhe identitetin tonë

29 Tetor 2022, 19:12| Përditesimi: 1 Nëntor 2022, 17:47

  • Share

Eda Zari, shënon premierën e albumit ‘Palimpsest’ në Tetorin Gjerman. Mbrëmjen e së premtes Katedralja Ortodokse pushtohet nga poezia e jazi, e gjitha me muzikë live.  Jam e infektuar thotë këngëtarja, nga Lasgush Poradeci, ndërsa i dhuron të pranishmëve, emocione edhe në gjermanisht me Heinrich Heine.

‘Është një trinitet që erdhi tek unë, pra më gjeti mua prej kohësh. Është një gjë e bukur kur ndodhesh në një udhëtim të kësaj natyre, me fjalën me tingullin me ritmin. E më pas me dy poetë që janë aq të mrekullueshëm, fjala e Lasgush Poradecit dhe fjala e Lasgushit e  përkthyer në tekstet e Heines.’- tha Eda Zari

Këtë rrugëtim muzikor, Eda Zari e ndan me të birin, i cili është bashkëkompozitor i albumit. Henning Jung, mungon në skenë mes bendit për shkak të covid-19. Eda thotë, se e ndjen mungesën e tingullit të tij, ndërsa tregon raportin me të si nënë e kolege.

‘Dihet që gjithmonë biri, fëmija, kërkon të ngrejë triumfet e veta. Të krijojë muzikën e tij, identitetin e tij, por  ca herë nuk është e lehtë. E megjithatë kam idenë se muzika na bashkon, na afron dashurisht. Dhe ndoshta e kam kthyer në lloj citati , që jam një nënë e mirë, por jam një kolege akoma më e mirë.’- u shpreh artisja.

Gjatë koncertit publiku ndërvepron, e përpiqet të ndjek ritmin e Zarit. Mikëpritjen e ngrohtë, artistja e sheh si kurë e falënderon për bujarinë.

‘E kam thënë gjithmonë duke vënë emocionet e tepërta mënjanë, por fakti është që unë vij gjithmonë në Shqipëri, në vendet, njerëzit që dua. Dhe publiku nuk të mëshiron aspak, nëse nuk jep muzikë të sinqertë dhe atë që çka është thelbësore, muzikë të drejtpërdrejtë që i flet shpirtit. Dhe unë e them gjithmonë, ndihem mirë ‘në kasollen’ time.’- tha ajo.

Nuk mund të rrijë pa ndalur tek muzika tradicionale dhe publiku e shoqëron me një iso të lehtë.

‘Gjithmonë shohim kultura të tjera që me po aq lavdi lëvdojnë muzikën e tyre, kulturën e tyre dhe nuk ka pse mos e bëjmë ne. Gjithmonë është mirë të marrin nga gura e asaj muzikës së mirëfilltë ato motive, lajkmotive, ato tema muzikore ritmike, meloritmike. Sepse asgjë nuk është më e mirë dhe e vyer, ndaj mbajeni më mirë identitetin, sepse ajo është një kartëvizitë e mirë. Muzika popullore shqiptare gëzon dhe besoj do të gëzoj në formën e saj, në vërtetësinë e saj respekt dhe do të krijojë vëmendjen edhe do të thithë vëmendje edhe nga publiku ndërkombëtar, Ndaj hajde ta duam çik më shumë veten, muzikën, kulturën, të duhemi mes nesh një çik më për sëmbari!’- përfundoi artistja.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?