Katar 2022/ ‘Nuk kam parë kurrë diçka të tillë’ Antan Metaj: Transport falas për tifozët dhe ekran privat për çdo karrige nëpër stadiume

20 Nëntor 2022, 13:11| Përditesimi: 20 Nëntor 2022, 14:02

  • Share

“Unë nuk kam parë diçka të tillë”! Kështu u shpreh Antan Metaj, menaxher i përgjithshëm i Voute dhe Triple Trade Soultion Group në Doha të Katarit sa i përket organizimeve të bëra për botërorin ‘Katar 2022’ që nis pikërisht ditën e sotme.

Nëpërmjet një lidhje ‘skype’ për studion e Report TV, Metaj tha se deri më tani kishin mbërritur në Katar deri në 40 mijë tifozë nga vende të ndryshme të botës të cilët po priteshin me entuziazëm shumë të madh nga banorët vendas.

“Çfarë nuk u ka pëlqyer shikuesve është ky negativitet. Unë shoh entuziazmin në rrugë. Nuk ka mundësi që të hysh në metro. Nga banorët po priten me entuziazmin më të madh. Unë nuk kam parë diçka të tillë, çdo gjë është falas, transporti është falas. Të mos i bëjmë gjërat dramatike, duhet të ketë super pozitivitet. Nuk ka rëndësi nëse ndodh në Katar apo kudo tjetër”-tha Metaj.

Sa i përket lajmit për ndalimin e konsumit të birrave, Antan Metaj u shpreh se tifozët nuk ishin të mërzitur për një gjë të tillë, pasi nuk kishin ardhur për të konsumuar alkool por për të shijuar ndeshjet e futbollit.

“Më besoni, shumica e tifozëve që kam takuar më thonin ne nuk kemi ardhur për alkool. Është një përqindje shumë e vogël e atyre që e konsumojnë. Nëse dikush vjen në shtëpinë tënde duhet të respektojë rregullat e shtëpisë tënde. Vetë shkëlqesia e tij tha se për 20 ditë nuk mund të ndryshojmë religjionin tonë”- u shpreh menaxheri.

Ndërsa një tjetër fakt interesant është distanca mes stadiumeve të Katarit është 25 minuta, duke bërë që nëpërmjet metrosë që është falas, tifozët të mund të shohin më shumë se një ndeshje gjatë ditës.

“Metroja është e hapur për këdo, mund ta marrësh dhe të shkosh nga stadiumi A tek stadiumet e tjera. Distanca mes stadiumeve me makinë është diku tek 25 minuta. Do ketë ajër të kondicionuar në stadium. Në çdo vend të rrugës do ketë policë që do ndihmojnë tifozët. Në stadium çdo karrige do ketë ekran privat”- u shpreh Metaj mes të tjerash.

Shuma e shpenzuar vetëm ditën e djeshme për fishekzajrret, raportohet të jetë deri në 1.5 milionë euro.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?