'Kastrati Grup' sjell në Shqipëri konglomeratin ndërkombëtar 'Lagardère', marrëveshja u arrit sot me 'bekimin' e Presidentit Macron

17 Tetor 2023, 17:11| Përditesimi: 18 Tetor 2023, 09:18

  • Share

Kastrati grup, ka nënshkruar sot në ambientet e aeroportit "Nënë Tereza”, në Tiranë një marrëveshje të rëndësishme me konglomeratin e mirënjohur francez Lagardère, duke u angazhuar në përpjekje të përbashkëta për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit të dyqaneve duty-free, në të gjithë Shqipërinë.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i grupit Kastrati, Shefqet Kastrati dhe Catherine Guyomard, Kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Lagardère travel retail ( departamenti i shitjes me pakicë në Lagardère).

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm Presidenti i Republikës  së Francës Emanuel Macron dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë. Vetëm sezoni i verës ka qenë një sezon befasues, i cili  solli dyfishim të të ardhurave nga turizmi në ekonomi, si dhe rritje të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, krahasuar me një vit më parë.  Marrëveshja e nënshkruar  mes Kastrati grup dhe kompanisë Lagardère Travel retail konsiston në zgjerimin e aktivitetit dhe shtrirjes së shërbimit duty-free në të gjitha pikat kufitare dhe qendrat kryesore turistike në Shqipëri. Këto dy grupe angazhohen që krahas zgjerimit të rrisin  ndjeshëm  cilësinë e shërbimit, si dhe shumëllojshmërinë e produkteve.

Kastrati grup është themeluar në vitin 1991 dhe sot zhvillon aktivitetin e tij në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke punësuar mbi 4000 punonjës. Grupi Kastrati i njohur kryesisht për tregëtimin me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve, zhvillon një aktivitet të rëndësishme në fusha si: sigurimet, ndërtimi, infrastruktura, turizmi, industria e automjeteve, etj.

Lagardere është një grup ndërkombëtar, me qendër në Francë, i cili operon në fushën e botimeve dhe shpërndarjes së tyre, atë të dyqaneve duty- free me mbi 270 dyqane në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irelandë, Spanjë, Holandë, Amerikën e Veriut etj. Gama e aktiviteteve të grupit përfshin edhe prezencën në media të rëndësishme franceze si: Paris Match, Le Journal du Dimanche, Europe 1, Europe 2, RFM etc.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?