Karl Kaser: Si e gjeta
Shqipërinë e '91-it

7 Nëntor 2012, 14:03| Përditesimi:

  • Share
Karl Caser, historian dhe profesor në Universitetin e Gracit është një nga autorët që ka shkruar më shumë libra për Shqipërinë. Tashmë prej tij do të kemi edhe një libër të dytë me kujtime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në intervistën për "Shqiptarja.com" ai shprehet se kujtimet janë të shumta dhe ato janë ndërthurur edhe me jetën sociale, një pjesë të së cilës e ka jetuar në Shqipëri duke vëzhguar ngjarjet në periudhën e tranzicionit. Edhe pse qëndrimi i tij ka qenë i reduktuar, ai thotë se në ato pak vite, sidomos në vite '91-'92 kanë ndodhur shumë ngjarje, të cilat për syrin e një historiani kanë një rëndësi të veçantë, sepse shpjegojnë zanafillën e shumë ngjarjeve historike dhe atyre që pasojnë. Kujtimet e Karl Kaser janë pasqyruar më pas në shkrimet e tij që nisin që nga vizita e parë në Shqipëri në vitin 1989. Donte dhe dy vjet të përmbysej regjimi diktatorial, ndërkohë që Shqipëria ishte katandisur në një varfri ekstreme. Karl Kaser thotë se ka shkruar ndërkohë artikuj për Kosovën, siç është ai për Prishtinën në vitin 1991. Lista e librave që rrëfejnë historinë e Shqipërisë në gjuhën austriake ka nisur të shtohet. Karl Kaser thotë se "kam shkruar dy libra gjatë qëndrimit tim në dy vitet e tjera në Shqipëri në veri të Shqipërisë". Po ashtu, ai kujton një vizitë në jug të Shqipërisë në vitin 1989, ku nuk harron "shijen e mirë" të rakisë që bënin vendasit. "Pas '89-ës, dy vite më pas, unë pata mundësinë të vija në Tiranë dhe pastaj të prezantoja kujtimet e mia të para. Tani dr.Kasler thotë se ka gjithçka gati për librin e tij të dytë me subjekt Shqipërinë. Ai është një libër në formën e reportazheve dhe kujtimeve për Shqipërinë e tranzicionit. Pra, kjo intervistë tregon sesi është shkruar historia shqiptare e viteve '90 në sytë e një historiani të botës perëndimore...

Zoti Kaser, kur ka qenë kontakti juaj i parë me Shqipërinë. Pse nisët të shkruani dhe të interesoheni për të dhe historinë e saj?

-Ka ardhur në Shqipëri me rastin e prezantimit të një botimi që u bë nga Universiteti i Gracit në Shqipëri. Ka qenë data 25 maj dhe aktiviteti zgjati gati dy javë deri në 6 qershor të vitit 1989. Unë kisha idenë se në Shqipëri po niste të binte diktatura, pasi është bërë e padurueshme, por kur erdha në Shqipëri në vitin 1989 edhe pse ishte rasti i parë që po futej një botim nga universiteti i Gracit, edhe pasi u botuam në Shqipëri, unë nuk pashë tek njerëzit ndonjë lëvizje apo ndonjë kryengritje. Varfëria ndjehej, por askush nuk protestonte, sepse nuk kishte një parlament multipartiak. Në pamje të parë Shqipëria dukej në gjendje të stabilizuar. Tirana nuk kishte ndonjë sulm apo ndonjë trazirë. Meqë gjithçka dukej e qetë e kaluam natën nëpër Tiranë dhe më kapi një lloj frike, një lloj makthi. Ndodhi që një nga shokët tanë u sëmur. Pati atak kardiak dhe ne menjëherë e çuam të bënte një kontroll në gjoks, por studenti nuk pranoi të qëndronte në spital, kërceu nga krevati dhe iku, pasi mjetet që pa aty ishin në ca kuti druri të vjetra. Kishte mungesë higjiene në spital. Megjithatë për mua ky udhëtim kishte disa efekte. Tre nga pjesëmarrësit në këto ekskursione nga këta studentë vendosën të studionin historinë, kulturën dhe gjuhën shqiptare. I pari ishte tridhjetë vjeç, quhej Kurt. Ai ka mësuar për shumë vite, ka dhënë për shumë vite gjermanisht në Universitetin e Shkodrës, po ashtu edhe një tjetër që po mbaron tezën e doktoraturës për emigracionin e shqiptarëve dhe i treti është Kubert Noel, i cili ka punuar për organizatën maqedonase shqiptare për shumë vjet. Ka bërë shumë vizita rreth Shqipërisë dhe ka shkruar shumë tema rreth Shqipërisë.

A i keni paragjykuar ndonjëherë shqiptarët, të cilët ju i gjetët kaq të izoluar, jo vetëm nga bota, por edhe nga progresi shoqëror mbarëkombëtar. Si i keni njohur disa prej tyre?

-Unë duhet ta pranoj që jam krenar për kontaktet që kam pasur dhe ato gjenden mes kujtimeve që kam shkruar. Deri në vitet 1990 historia e Shqipërisë ndryshoi. Gazeta "Zëri i Popullit" botoi një artikull shokues nga zoti Ylli Popa, i cili ishte një mjek dhe aktivist Partie. Titulli i shkrimit ishte "40 vjet pa vlerë". Shumë njerëz u shokuan, u çuditën. Ky artikull zgjoi një lloj ndryshimi, sepse në atë kohë mendohej të ndodhte një revolucion, por që të ishte ndryshe nga ai i vendeve të tjera dhe do të sillet ndryshime dhe në jetën e vendit. Pra, nuk kishte arsye që njerëzit të burgoseshin për 40 vjet. Popa, i cili ishte një aktivist politik, u bë edhe protagonist i ngjarjeve aktuale, sepse ishte në një situatë katastrofike në Shqipëri. Për të shpëtuar duhej një rishikim i plotë i historisë, i jetës politike, publike dhe duhet të kthehej drejt demokracisë. Duhet të shmangësh çdo lloj gabimi, prandaj së bashku me Ramiz Alinë ishte e vështirë të imagjinohej se çfarë do të ndodhte më pas. Në mënyrë të papritur disa javë më vonë Partia mori iniciativë për të bërë një reformë të plotë, për të reformuar një sistem socialit. Ky ishte një hap i parë që mori Partia dhe nuk ishte një lëvizje masive, por ishte një lëvizje e cila e nxiti Partinë të merrte disa masa. Pavarësisht nga ato publikime që bëheshin që Shqipëria po ndryshon, në TV Ramiz Alia dilte dhe thuhej që nuk do të bëhen ndryshime të mëdha. Ishte frika se mos ndodhte ajo që ndodhi në Rumani, sepse ngjarjet e Rumanisë shfaqeshin në TV dhe partia kishte frikë se do të ndodhnin të njëjtat ngjarje spontane si në Rumani. Pra ishte frika e një lëvizjeje dhe pasojë e një konsekuence që do të merrte gjak njerëzish.

Mendoni ju profesor se mund të kishte një mënyrë më të drejtë për t'u reformuar sistemi socialist. Keni kontaktuar me politikanët?

-Gjithmonë ka një mënyrë më të mirë, por në Shqipëri nuk është se po kërkohej e pritej sadopak të gjendeshin këto mënyra. Kishte një lloj pasiviteti. Kjo ka të bëjë me anën ekonomike dhe varfërinë e skajshme të popullsisë. Situata në fshat ishte katastrofike. Një vend ku shumica e popullsisë jeton me prodhime bujqësore u përball me shumë probleme, sepse nuk kishte më minimalin e produkteve për të jetuar. Ramiz Alia në atë kohë ishte i vetmi kryetar në pushtet dhe vendoste në mënyrën e tij. Në atë kohë Alia shkoi vetë në SHBA dhe u lut për mbështetje dhe për financimin e vendit, gjë që nuk ishte bërë më parë, sepse ekzistonte shprehja "pa eksport nuk ka import". Ndryshe nga ky slogan, Shqipëria po përballej me një mungesë totale të gjërave, të ushqimeve, në një kohë që shfaqeshin para shqiptarëve në TV-të: luksi nga kanalet italiane dhe tregu në Shqipëri nuk ofronte as bukë. Mbetej vetëm një zgjidhje për rininë shqiptare që të ikte nga Shqipëria. Dhe kishte një arsye. Shqiptarët iu drejtuan Turqisë për viza, shkuan atje dhe shumica u kthyen të zhgënjyer. Në fillim të bisedimeve të Shqipërisë me vendet e tjera europiane nuk mund të merreshin viza dhe përsëri shqiptarët u përpoqën të emigronin në Gjermani, Itali. Shumica e shqiptarëve që takoja në rrugë më flisnin në gjermanisht, më pyesnin për të testuar gjuhën e tyre. Dhe më kërkonin ndihmë se ku mund të merrnin një vizë për në Austri. Në Tiranë shumë të rinj kishin larë duart me të kaluarën, nuk donin t'i ktheheshin, ishin gati të shisnin të ardhmen dhe kërkonin rrugë të reja jashtë atij sistemi politik, nuk mendonin fare për të, nuk kishin besim. Nuk ishin ambicioz, as të ndryshonin sistemin, por vetëm të largoheshin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur, në ato vende konsumi për të gjetur se ku mund të jetohej më mirë. Madje ata kërkonin qoftë edhe një person që të sillej edhe si Hitleri, sepse Hitleri ishte i vendosur, ua mblodhi gjermanëve, por i bëri të pasur. Ishin aq të varfër dhe pa shpresa, saqë arrinin nëpër biseda që të bënin të tilla krahasime. Më pas pyeta se çfarë ishte kaq negative për Shqipërinë. Ata kishin shumë rezerva për drejtimin e vendit. Rinia shqiptare nuk ishte fare aktive në atë kohë. Ishte shumë pasive dhe ky pasivitet ishte një pengesë e madhe për të krijuar një opozitë të vërtetë për një kulturë opozitare në Shqipëri, sepse patriarkalizmi ose partia në pushtet nuk kishte krijuar asnjë alternativë. Dhe ata mendonin si të pasuroheshin, për të qenë të suksesshëm, ata donin thjesht të largoheshin nga Shqipëria.

Po a mund të sugjerohej në të vërtetë një rrugëzgjidhje tjetër, një shans tjetër?

-Në të vërtetë ishte një periudhë tranzicioni shumë e vështirë për shqiptarët. Më kujtohet që afër stacionit të Trenit të Tiranës ishte një bar shumë i keq, në të cilin unë u ula dhe doja që të ndjeja shijen e një klubi privat të parë shqiptar. Nuk ishte ndonjë cilësi e madhe, por ishte një gjest imi sa për të festuar aktivitetin e parë privat shqiptar. Doja të shihja se çfarë po ndodhte. Dhe pashë që shumica e pajisjeve si frigoriferët importoheshin nga Kosova. Por njerëzit nuk kishin para për t'i blerë dhe thjesht i admironin për t'i parë ato nga vitrinat e dyqanit... Kështu mua më në fund më ndodhi një problem tjetër. Ishte një problem me sigurinë e njerëzve para se të largohesha. Shumë njerëz nga fshati u afruan dhe më kërkuan shumë gjëra, dikush vizë, dikush diçka tjetër dhe pasi kishin dalë, pashë se më mungonin dy palë pantallona.

Çfarë menduat për ata njerëz, në raste të tilla gjesti paragjykohet si vesi i një populli?

-Oh, jo! Populli ishte shumë i varfër. Mungonte çdo gjë. Kjo ishte situata. Ky ishte viti 1991. Kujtoj kohën kur monumenti i Enver Hoxhës u shkul nga sheshi i Tiranës, u shkul edhe ai i Stalinit. Kryeministri Fatos Nano dha dorëheqjen dhe ia la vendin qeverisë së Ylli Bufit. Ishin katër parti opozitare të cilat u emërtuan Partia Socialiste, Partia Demokratike, etj dhe sistemi ekonomik filloi të ndryshonte. Kërkoheshin zgjidhje nga kjo situatë. Njerëzit filluan të kërkonin të iknin jashtë vendit në Itali. Ndodhi një eksod i madh. Dukej qartë që futja në ekonominë e tregut ishte mënyra e vetme, por cilat ishit pasojat. Nisën ndryshime të mëdha në rritjen e çmimeve, në mbylljen e shumë sektorëve të industrisë, në rritjen e papunësisë, le të mos flasim për gjendjen e sigurisë kombëtare që nuk ishte fare e sigurt situata në Tiranë. Mendohej të kishte tranzicion të ngadalshëm dhe kjo të reflektohej në ekonomi. Shqipëria nuk ishte më Shqipëria e një viti më parë. Vendi më ateist në botë në thonjëza, i përkiste tashmë të kaluarës. Kjo periudhë quhej e marrë fund. Shqipëria aspironte të njihej si një vend europian. Shqiptarët mendonin se ishte shumë kollaj të bëheshin një vend europian, thjesht duke zbatuar disa mekanizma kapitaliste dhe një epokë e re e lulëzimit financiar do të fillonte. Por kjo nuk ndodhi. Në shator 1992 unë vij për herë të parë me makinën time në Shqipëri dhe kaloj nga bari në Vlorë me anije. Dhe shoh që shumë tregtar shesin makina të vjetra që janë Mercedez dhe po ata shesin edhe patenta për shoferët. Dhe unë këtë e pashë me sytë e mi gjatë rrugës. Pjesa e Vlorës ishte e bukur, por ne kur kaluam nga anija në tokë në Vlorë dhe pastaj nga Vlora në Tiranë, pamë që rruga ishte në gjendje katastrofike. Pamë disa makina, në fillim kur erdha për herë të parë nuk kishte fare makina në Shqipëri. Pastaj pashë një bum makinash, dhe kur erdha në Tiranë pashë se ajo kishte ndryshuar jashtë mase. Një nga vendet pa makina fare ishte bërë një qytet me makina dhe pluhur. Nuk dominonin më këmbësorët në rrugë. Kishte kaos. Parkimi ishte për të qeshur dhe i rrezikshëm se për pesë minuta makinën nuk e gjeje më në cepa. Ta vidhnin. Prandaj një bandë e veçantë, e cila ruante me armë makinën tënde ishte gati të merrte një kuotë të vogël për ta ruajtur. Ishte për të qeshur se dhe unë e lashë makinë për pak para për ta ruajtur tek dikush me armë. Në atë kohë në Shqipëri nuk kishte ujë dhe energji elektrike dhe në atë kohë njerëzit ngriheshin në orën katër të mëngjesit për të mbledhur ujë për konsumin e ditës. Kujtoj kinkaleritë e shumta që u ngritën. Më kujtohet mirë njëra në bulevard, ku të ofronin edhe birrë dhe kjo ishte për të qeshur. Kërkova një birrë dhe burri që shërbente më jep një që ishte false, ndërsa për reklamë mbante një origjinale. Kështu Tirana fillon të rritet dhe rritet pa kontroll fare...


Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?