Kapitalistet e Tiranës së '20-s, lista
me 51 tregtarë e sipërmarrës

1 Dhjetor 2013, 08:14| Përditesimi:

  • Share
Dokumentet origjinale të administratës së Ahmet Zogut të vitit 1929 për ndërmarrjet tregtare dhe bizneset kryesore të kryeqytetit shqiptar janë si njëfarë radiografie e stadit të zhvillimit kapitalist në Shqipëri në dekadën e dytë të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Në dy pjesët e përparshme kemi përcjellë listat e sipërmarrjeve kryesore tregtare në Vlorë, Berat, Fier e Sarandë. Dokumentet janë pjesë e një Qarkoreje të 8 gushtit 1929 të Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare, që iu përcoll të gjitha përfaqësive diplomatike shqiptare nëpër botë.  Qëllimi ishte për “me u njoftun sa ma shumë që të jetë e mundur industrisë sdhe tregtisësë sonë Kombëtare”. Legatave shqiptare nëpër botë u kërkohej që një kopje e listave “t’u komunikohet Dhomave Tregtare dhe zyrave të ndryshme të Ekonomisë që ndodhen nën jurisdiksionin tuaj”.  Kopja që kemi në dorë, e gjendur në Bibliotekën e Kongresit…, iu përcoll edhe Faik Konicës, mirëpo nuk ka asnjë të dhënë se Ministri shqiptar në SHBA ndërmori ndonjë veprim konkret me këtë dokument.

Krahasuar me një qendër të rëndësishme dhe me tradita të hershme si Vlora, dokumenti tregon nivelin rudimentar të zhvillimit të ekonomisë, tregtisë dhe industrisë në Tiranën e viteve 1920. Tirana nuk kishte as 10 vjet që ishte bërë kryeqytet i vendit dhe kësisoj pulsin dhe epërsinë e zhvillimit ekonomik të vendit ende e kishin qendra të tilla si Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Berati.

Ndër zejet e Tiranës të asaj kohe vendin kryesor e zinte profesioni i bakallit me 21 sipërmarrës. Më pas si zeje vinte manifatura me 14 sipërmarrës. Vendin e tretë e zinte kinkaleria me 5 sipërmarrës; mandej tregtia e mirëfilltë me 4 sipërmarrës; kolonialet (material) me 2 pjestarë; rrobaqepsia dhe farmacia me nga 2 sipëmarrës dhe sahatçitë e shitësit e pijeve alkoolike me nga një sipërmarrës.

Në listën e tregtarëve dhe sipërmarrësve tiranas bënin pjesë kryesisht familje të njohura tiranase, si edhe nga ato të ngulura më vonë prej viseve të tjera.  Shumë prej pinjollëve të atyre dyerve janë të njohur edhe sot në fusha të ndryshme të biznesit, politikës, jurisprudencës, veprimtarive profesionale e akademike, tregtisë, mjekësisë e shkencave të sakta, kulturës, letërsisë, arteve e sporteve, në vend e në botë.

Në listën e profesionit të bakallit – emrat e të cilëve jepen siç paraqiten në dokumentin original - bënin pjesë
1.         Islam Daliu
2.         Dalip Topi
3.         Ali Sul Seferi
4.         Islam Fagu  - përmendet dy herë
5.         Shaban Fagu
6.         Rexhep Pazari
7.         Mahmut Shijaku
8.         Ali Bej Mëniku
9.         Qamil Bej Dibra
10.       Ramazan Koçi
11.       Abdyl Shijaku
12.       Mahmut Këllezi
13.       Sadik Toska
14.       Muharrem Bej Erebara
15.       Hasan Rradheshi
16.       Ibrahim Hajdari
17.       Gafur Dibra
18.       Muharrem Kruja
19.       Ramazan Daliu
20.       Selam Petrena (ndofta Petrela)  dhe
21.       Shaqir Petrela
 
Në manifaturë kishim këto sipërmarrës kryesorë:
1.         Abdullah Haxhi Mehmeti
2.         Nipat (?) Gjinali
3.         Ismail Jhma (ndofta Hima?)
4.         Mahmut Begja (Begeja?)
5.         Mersin Koçi
6.         Haxhi Islamtugu
7.         Perikli Jorgoni
8.         Asim Dibra
9.         Mehmet Begja (ndofta Begeja?)
10.       Reshat Petrela
11.       Hysen Bërxholi
12.       Haxhi Aliu (?)
13.       Shaban Alla
14.       Hysen A. Mehmeti
 
Me kinkaleri merreshin:
1.         Ali Kaceli
2.         Fetah Reçi
3.         Sulejman Bërxholi
4.         Mehmet Ndroqi
5.         Beqir Sukniqi
 
Me tregti të mirëfilltë merreshin:
1.         Agjencia Stamles
2.         Agjencia Sita
3.         Leonidha Mishku
4.         Ismail Dibra (tregti automobilash)
5.         Xhemal Tafaj  (tregti lëkurësh)
6.         Prela Luka (pije alkoolike)
 
Kurse me rrobaqepësi merreshin Gjon Luca dhe Mihal Shani.  Si sahatçi përmendeshin Vllazën Tufina. Kurse si farmacist përmendeshin Thanas Shundi dhe Faik Tomini.
I njëjti dokument jep edhe listën e tregtarëve “ma me randësi” të qytetit të Pogradecit dhe të Peqinit.

Në krye të listës së Pogradecit është Mihallaq Bimbli kurse në vend të tretë është Vëllazëria Llokmani, që të dy si “tregtarë toptanxhi”.  Tregtarët e tjerë janë në sektorin e manifaturës, dhe konkretisht: Dhimitër Naço; Gjergji Boba; Koçi Naço; Vëllazëria Ziko; Gjoka Basho dhe Tasik Çomo.
Kurse qyteti i vogël i Peqinit përfaqësohet me tre tregtarë manifature: Efthimi Koçaqi; Rexhep Menehasa dhe Ali Elezi.

Vlera e dokumentit qëndron jo vetëm tek pasqyrimi të nivelit të zhvillimit kapitalist të kryeqytetit  të dy qyteteve të tjera të vogla në fund të viteve 1920, si dhe i përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të nxitur njohjen dhe shkëmbimet tregtare me botën. Dokumenti na njeh edhe me lojtarët apo sipërmarrësit kryesorë të kapitalizmit rudimentar shqiptar të asaj kohe, prej nga mund të ndjekim edhe rrjedhën e jetës dhe aktivitetit të tyre si dhe të pasardhësve të tyre në vitet në vazhdim e deri edhe sot.
 
 Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?