Sasia e kapur në paleta bananesh

Kapet sasi rekord droge në Britaninë e Madhe, u gjet e fshehur në paleta bananesh

23 Shkurt, 13:32| Përditesimi: 23 Shkurt, 13:37

  • Share

Agjencia britanike kundër krimit (NCA) dhe Forcat e Kufirit kanë zbuluar sasinë më të  madhe të asaj që quhet drogë e klasit A në Mbretërinë e bashkuar. Ngarkesa me 5.7 ton kokainë u zbulua në një kontejner në Portin e Southampton më 8 shkurt. Zyrtarët e Forcës së Kufirit u thirrën për të kryer zbulimin nga NCA, e cila identifikoi ngarkesën përmes Task Forcës europiane. Droga u gjet e fshehur në paleta bananesh të cila ishin transportuar nga Amerika e jugut. NCA beson se malli po drejtohej në Portin e Hamburgut në Gjermani.

Hetimet po vijojnë me partnerët ndërkombëtarë në Europë për identifikimin e rrjetit kriminal të përfshirë. Bazuar në çmimet e rrugës në Britani, kokaina do të kishte një vlerë prej 450 milionë sterlinash. Sasia më e madhe e kapur më parë ka qenë 3.7 ton kokainë e kapur në vitin 2022 po në Portin e Southampton. Tregu vendas i kokainës dominohet nga të huajt, për të cilët NCA beson se po fitojnë rreth 4 bilionë stërlina në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Trafiku i kokainës lidhet ngushtësisht me dhunën serioze në tregun zinxhir, duke përfshirë armë zjarri dhe krime me armë të ftohta. Ky treg ka parë një rritje eksponenciale lidhur me dhunën në vitet e fundit. Drejtori i NCA, Chris Farrimond tha: “Kjo sasi rekord e kapur përfaqëson një goditje të madhe në krimin ndërkombëtar të organizuar duke përfshirë kartelet, duke iu mohuar atyre përfitime të mëdha. Puna e NCA ishte vendimtare që kjo të ndodhte.

“Ndërsa destinacioni për mbërritjen e sasisë ishte Europa kontinentale në këtë rast, nuk kam dyshime se një proporcion i rëndësishëm do të përfundonte edhe këtu në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri për Migracionin Legal dhe Kufirin në Britani, Tom Pursglove tha se: “Kjo qeveri ka zero tolerancë ndaj rrjetit ilegal të drogës dhe i jam mirënjohës zyrtarëve të Forcave të Kufirit për dedikimin e tyre për punën e palodhur për mbrojtjen e kufijve tanë dhe sigurinë e publikut”.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?