Kapet biznesmeni me 800 mijë€
dhe dy patenta skafi të Tahirit

3 Nëntor 2017, 16:55| Përditesimi:

  • Share
Policia e Elbasanit ka arrestuar para dy ditësh një biznesmen, ndërsa nga kontrolli në makinën që e drejtonte pa patentë iu gjetën dhe bllokuan 800 mijë euro dhe tre patenta, dy leje drejtimi për mjete lundrues ne emer te Saimir Tahirit dhe e treta e gruas së ish-ministrit, Fatlinda Berisha. 

Sipas policisë i arrestuari Orest Lefter Sota 25-vjeç nga Vlora është pronar i një firme private në fushën e betonit, ndërsa ka deklaruar se shumën do ta përdorte për likuidimin e disa faturave. Burime nga policia pohojnë për Report Tv se “Sota pretendonte se paratë do i çonte në një biznes hekuri” por sipas bluve ai nuk kishte asnjë dokument (faturat) për paratë. 

Gjithashtu burime për Report Tv konfirmojnë se biznesmenit i janë gjetur edhe dy lejet për drejtim të mjete lundruese në emër të ish-ministrit, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten). Në makinë është gjetur edhe një patentë e tretë (për makinë) e cila është e gruas së ish-ministrit Saimir Tahiri, Fatlinda Berisha. Por policia nuk e ka publikuar një fakt të tillë në komunikatën për shtyp te pakten deri në denoncimin publike nga ana e Lulzim Bashës. 

Orest Sota është pronari i firmës ‘Fortis Beton’ ndërsa babai i tij, Lefter Sota është biznesmen në fushën e ndërtimit, hekur dhe medias. Orest Sota ka deklaruar në policinë e Elbasanit se është mik me shoferin e Saimir Tahirit dhe se lejet e drejtimit i kishte harruar ai në makinën e tij. “Kam qenë në një takim me shoferin e Saimir Tahirit pak ditë më parë dhe ai i harroi në makinë” mësohet se tha Sota.

Dy lejet e drejtimit per mjete lundrimi, e para deri në 20 ton dhe e dyta deri në 100 ton janë marrë në 26 dhe 31 korrik të 2017 nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Sota akuzohet për kundërshtim të forcave të policisë, pasi nuk i ndaloi postbllokut dhe pastrim parash, pasi për shumën që iu gjet në makinë nuk kishte asnjë dokument. Sota është përballë dy akuzave, për kundërshtim të forcave të policisë rrezikon gjobë deri në tre vite burg, ndërsa për veprën penale të pastrimit të parave deri në 7 vite burg.
pasaporta saimir tahiri 1
pasaporta saimir tahiri 2
Dy deshmite e aftësië për drejtim të mjeteve lundruese për Saimir Tahirin

Flet komandanti i RENEA
I kontaktuar nga "Shqiptarja.com", komandanti i RENEA, Vasillaq Sota tha se pas arrestimit të nipit, kjo çështje po kthehet në sulme të funksionit të tij.

"S'mund të merremi akoma me histori se ka një dajë ballist e një xhaxha partizan. Secili mban përgjegjësi për veprimet e veta që kryen, dhe përgjegjësinë le ta mbajë nipi për çfarë ka kryer. Unë grandë në polici e kam marrë me gjak dhe s'ma ka dhënë nipi", ka pohuar Sota.

I pyetur nëse është informuar nga kolegët e tij pë arrestimin e nipit, komandanti i RENEA-s ka pohuar se askush nuk e ka informuar.

Komunikata e parë policisë së Elbasani
Më datë 02.11.2017,  Arrestohet 25-vjeçari O. S. në afërsi të fshatit Balldren arrestua në flagrancë shtetasi O.S vjeç 25, banues në Tiranë, administrator i nje subjekti privat pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover” dhe nga kontrolli në mjet ju gjetën e bllokuan një sasi eurosh, të cilat do t’i përdorte për likuidimin e faturave. Nenet 291, 242 e 180 të Kodit Penal” njofton policia.

Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha e denoncoi pasditen e sotme në një status në Facebook fshehjen e dy dëshmive të aftësie për drejtim skafi në emër të Saimir Tahirit që i janë gjetur biznesmenit. Lideri demokrat akuzon se rasti në Elbasan nuk është bërë publik nga policia, ndërsa e dënon fshehjen e ngjarjes kriminale. Ai thotë se ngjarja është fshehur me urdhër të Edi Ramës.

Deklarata e Lulzim Bashës
Burime të sigurta informojnë se:
“Me date 01/11/2017 ehte arrestuar nga policia e Elbasanit shtetasi Orest Lefter Sota sepse nuk i ka ndaluar postbllokut te policise. Gjate kontrollit ne automjet i jane gjetur dhe sekuestruar 800 mije Euro dhe dy deshmi aftesie per drejtim automjeti ne emer te Saimir Tahirit. Ky rast nuk eshte bere publik ne njoftimet qe ben policia”

Duke denuar ashpersisht fshehjen e kesaj ngjarje kriminale nga Haki Cako dhe Fatmir Xhafa me urdher te Edi Rames, i kerkoj prokurorise te hetoje e te mos shmange nga pergjegjesia autoret dhe urdheruesit e ketij akti mafioz.

Reagimi i dyte/ Policia e Elbasanit: Nuk e fshehëm ngjarjen, Basha mos përdorë burime anonime
Lidhur me denoncimin e kryetarit të PD Basha, se ngjarja ishte fshehur Policia e Elbasanit deklaron se “Policia e Elbasanit arrestoi shtetasin O.S. dhe veprimet janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Elbasan. Në proçesverbalin e mbajtur në vendngjarje, është pasqyruar çdo dokument apo provë e bllokuar në cilesinë e provës materiale.

Si çdo procedim tjetër, njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. "Më datë 02.11.2017 nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S., 25 vjeç banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat pasi më datë 01.11.2017 në rrugën nacionale në fshatin Balldren u kap pa leje drejtimi me mjetin "Land Rover" dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat do t'i përdorte për likujdimin e faturave, por të pashoqeruar me dokumentin e origjinës. Nenet 291, 242 dhe 180 të Kodit Penal".

Policia e Elbasanit fton kryetarin e opozites, të mos përdorë burime anonime lajmi duke çuar në keqinformimin e publikut, por ta gjejë të vërtetën tek faqja zyrtare e Policisë së Shtetit.

dy.b/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?