Policia greke ka sekuestruar rreth 300 kg kanabis disa kilometra larg kufirit greko-shqiptar. Mësohet se droga është gjetur në një furgon të braktisur në rrugën “Egnatia” në vendin e quajtur Kalamia, Kozani. Furgoni është zbuluar pasditen e djeshme, por lajmi është bërë publik këtë mëngjes. Dyshohet se shoferi është larguar pasi furgoni mund të ketë pësuar defekt. Vijon operacioni për kapjen e shoferit.
Me shumë gjasa, siç vlerësojnë efektivët e Policisë, mjeti ka pasur një defekt mekanik, ku drejtuesi i mjetit ka kuptuar se tashmë ekzistonte një mundësi serioze për zbulimin e tij, pasi tashmë ishte vënë në dijeni EL.AS. për një kamion të parkuar në Egnatia.
Që në momentin e parë ka pasur një mobilizim të madh të forcave të Policisë, ku operacioni për gjetjen e personit në fjalë ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërkohë që vijon ende. Në orët në vijim pritet njoftimi zyrtar i Policisë, si dhe fotot përkatëse të kësaj sasie të madhe kanabisi të papërpunuar.
Policia greke në një deklaratë për shtyp është shprehur se "Kemi sekuestruar brenda në furgon 7 çanta që përmbanin 117 pako me 303 kg 330 gram marijuanë. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur thirrjes tonë për të ndaluar dhe ka braktisur mjetin dje pasdite. Mjeti rezulton i vjedhur në tetor 2019 në Athinë. Janë sekuestruar dhe një çift targash. Po punohet për kapjen e drejtuesit të mjetit".
Kujtojmë se gazeta më e madhe greke Protothema shkruante dje se pjesëtarë të grupeve kriminale nga Shqipëria kanë transferuar kultivimin e hashashit në malet greke. Sipas autoriteteve greke kufizimet e qarkullimit dhe mbyllja e kufijve për shkak të koronavirusit – sipas vlerësimeve të Prokurorisë – ishin ato që sollën fillimisht kultivimin mjaft fitimprurës të hashashit në Greqi, në vend të importit të hashashit nga Shqipëria dhe siç rezulton, pavarësisht heqjes së masave , kultivimi vazhdon në malet greke.