Politikë

Kandidatja demokrate e Dibrës, Dhurata Çupi për Report Tv: Do bëjmë çmos për 4 mandate! PS po intimidon mësuesit dhe mjekët

21 Prill 2021, 10:20| Përditesimi: 21 Prill 2021, 10:27

  • Share

Kandidatja për deputete e PD-së në qarkun e Dibrës, Dhurata Çupi tha në një intervistë për Report Tv se PS është duke intimiduar mësuesit dhe mjekët në lidhje me votën e tyre. E renditura e 3-ta në listën e PD, Çupi shprehet e bindur se çdo qytetarë të votojë PD dhe në këtë qark do të marrin 4 mandate.

Çupi thotë se ky qark është më i varfri në vend në një kohë që ka më shumë burime dhe resurse. Kjo sipas Çupit është dëshmi e keqqeverisjes  së Ramës në 8 vite.

Lexoni intervistën e plotë

Jemi në qytetin e Burrelit, në rrethin e Matit. Jemi me kandidaten e PD-së, nr. 3 të kësaj partie në qarkun e Dibrës, zonjën Dhurata Çupi. Zonja Çupi, ju jeni nr. 3 i PD-së në qarkun e Dibrës në zgjedhjet e 25 prillit. Ku është fokusuar fushata juaj më shumë, në rrethin e Matit apo në të gjithë qarkun?

Faleminderit në fakt për këtë intervistë dhe për kërkesën tuaj për t’u prononcuar për televizionin tuaj. Unë tashmë në qarkun Dibër jam e njohur si përfaqësuese e PD-së. Kam kryesuar Qarkun Dibër në vitin 2017. Matjanët më njohin, por edhe qarku Dibër më njeh. Unë jam me origjinë matjane, është pjesë e krenarisë sime, ajo çfarë unë nuk e zgjedh dhe nuk është meritë e imja origjina si matjane. E kam thënë gjithë kohën dhe e kam shprehur me kënaqësi krenarinë për të qenë matjane. Përfaqësoj matjanët, por sigurisht jam e njohur në të gjithë qarkun e Dibrës për shkak se kam kryesuar qarkun Dibër. Programi i PD-së ka qenë fokusi im kryesor në komunikim me çdo qytetar. Ajo çfarë shikohet gjatë kësaj periudhe është një entuziazëm i qytetarëve. Qytetarët janë të çliruar që të shprehen lirshëm, ndryshe nga dy fushatat e fundit ku është deformuar, ne duhet të jemi të qartë dhe të drejtpërdrejtë, është deformuar vullneti i qytetarëve dibranë, tashmë janë bërë publike dosjet e pahetuara ende. Pra nga zgjedhjet në zgjedhje dosjet janë aty, aktorët janë aty, ndërkohë që nuk kemi vendim të drejtësisë për të marrë masa ndaj tyre e megjithatë qytetarët shprehen, dalin lirshëm, ka një frymë dhe mbështesin programin e PD-së.

Si e presin matjanët programin e PD-së në këto zgjedhje?

Programi i PD-së është i plotë, është korrekt, është i ekzekutueshëm, nuk sjell mrekulli por sjell atë çfarë u nevojitet familjeve shqiptare, çfarë u nevojitet të rinjve, çfarë i nevojitet moshës së mesme apo çfarë u nevojitet pensionistëve. Nëse do ta shikonim, programi është i ndarë në dy qasje. Është qasja kombëtare, ajo politika e madhe të themi e qeverisë dhe ajo çfarë i sjell çdo qarku ky program, çdo familjeje shqiptare. Ka një program që fillon në zinxhirin jetësor me bebet, pra 0-5 vjeç, ku fëmijët do të marrin 30.000 lekë çdo muaj, çdo bebe e lindur nga 0-5 vjeç, për çdo familje që ka këtë fëmijë. Është programi për shkollat e mesme, të cilët fëmijët do të drekojnë një vakt, pra vaktin e drekës do ta drekojnë në shkollë, ku do të ketë staf arsimor të shtuar për shkak se deri në orën 16 pasdite këta fëmijë do të kenë aktivitete jashtëshkollore dhe do të kalojnë kohën, pra nga mëngjesi deri në orën 16 në shkollë, ku edhe do të kenë, siç e përsërita, edhe një vakt të ofruar nga buxheti i shtetit. Më pas ka një program për studentët, tarifat falas të Bachelor-it dhe të Master-it. ne e dimë sa rëndojnë këto tarifa mbi studentët dhe sidomos mbi studentët e qarkut Dibër që vijnë nga familje kryesisht me një ekonomi të centralizuar apo me një ekonomi të varfër. Më pas është stazhi që do të bëjnë me 12 muaj këta, ku buxheti i shtetit do të trajtojë me 300.000 lekë në muaj, për 12 muaj rresht, të këtyre studentëve që mbarojnë studimet, për të krijuar atë çfarë quhet eksperiencë. Ne kemi në program dyfishimin e ndihmës ekonomike për shkak se qarku Dibër, e përsëris këtë, sigurisht që nuk është optimist dhe nuk është ...Unë nuk e them këtë me krenari, çështjen e dyfshimit të ndihmës ekonomike, por është në program për të ndihmuar sadopak familjet, për të dalë si emergjencë në muajt e parë të qeverisjes. Është për pensionistët, programi e përcakton qartë rritjen e pensionit në mesataren e vendeve të rajonit. Është e pritur shumë mirë pjesa e heqjes së taksës Rama 240 lekë për litër, e taksës së karburantit dhe që është e pritur shumë mirë edhe kjo nga qytetarët. Ne e dimë rëndesën në çdo xhep, në çdo familje shqiptare, të çmimit të karburantit. Jemi ndër 5 vendet më të shtrenjta në botë sa i përket çmimit të karburantit. Pra është një program me këmbë në tokë, le të themi, është një program që ndihmon buxhetet e familjeve dhe që është i mirëpritur nga qytetarët.

Zonja Çupi, duke ditur se pushtetin lokal në rrethin e Matit e ka PS-ja, mendoni ju që do t’i intimidojë qytetarët për votat?

E thashë që në krye të bisedës me ju. Në të gjithë Shqipërinë pushteti lokal është kthyer tashmë në një filial të pushtetit qendror. Dimë që bashkitë drejtohen nga titullarë të pavotuar dhe duke qenë dhe të pavotuar në fakt kanë tendencën edhe të mos i përgjigjen me shërbim publik qytetarëve dhe të mos i respektojnë për votën e tyre sepse nuk janë me votën e qytetarëve. Ne vijmë nga një eksperiencë në qarkun Dibër, të një deformimi të rezultatit zgjedhor. E thashë edhe në krye të herës që aktorët e dosjes 184 vazhdojnë të jenë aktivë në qarkun Dibër. E kam denoncuar këtënë media, e kam denoncuar edhe në komunikimin me ndërkombëtarët dhe qytetarët sot e kanë zhdukur frikën, qytetarët sot janë të çlirët të dalin. Nuk do të mundet që pushteti vendor, kryetari i Bashkisë apo gjithkush që të tentojë të intimidojë qytetarët, nuk do të munden t’ia dalin më 25 prill.

Zonja Çupi, në rrethin e Matit për nr. 2 të partisë suaj kandidon Kreshnik Çollaku. Ç’mund të na thoni për këtë?

Qarku Dibër ka 5 kandidatë. Unë për shkak të modestisë nuk mund të flas për vete por, katër kandidatët e tjerë janë kandidatë shumë dinjitozë që përfaqësojnë vlera individuale dhe vlera të një shoqërie të shëndetshme. Janë 4 kandidatë dinjitozë dhe për secilin kam vlerësimin maksimal.

Në rrethin e Matit ju kandidoni për herë të dytë. A keni dyshime se mund të ndodhë fenomeni i blerjes së votës?

Jo vetëm dyshime, por ka fakte, ka prova që po intimidohet administrata, po telefonohet administrata, po intimidohen mësuesit, po intimidohen mjekët, ashtu siç kemi një të vërtetë që duhet ta themi, që në kërkesat për të bërë takime me targetgrupe të ndryshme, në dijeninë time këto targetgrupe, pjesa më e mirë intelektuale, nuk ka pranuar të jetë në takime me përfaqësues të PS-së apo të ofertës së PS-së për qarkun Dibër. Këta mund të përdorin çdo formë për të intimiduar votuesin dhe të përdorin çdo presion për të intimiduar votuesit, por unë besoj që më 25 prill nuk do t’ia dalin. Shqipëria ka nevojë për ndryshim, Mati ka nevojë për ndryshim, qarku ka nevojë për ndryshim. Jemi qarku më i varfër në të gjitha statistikat, jemi qarku më i shpopulluar. Kemi një pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe nuk është e përkthyer në shërbim publik ndaj këtyre qytetarëve. Dhe unë besoj që qarku Dibër do të jetë një mësim i mirë se si mund të ndëshkohet keqqeverisja.

Pandemia ju ka penguar në kryerjen e fushatës, sepse shpeshherë krahu tjetër ju ka akuzuar se shkelni edhe rregullat në grumbullimin e njerëzve.

Krahu tjetër, nëse do ta shikojmë, ka krijuar ose e ka ndërtuar fushatën vetëm duke akuzuar opozitën, duke akuzuar liderin e opozitës. Nuk ka program, nuk ka qasje qeveritare, nuk ka asnjë qasje elektorale sa i përket komunikimit me qytetarët. Pandeminë nuk e ka sjellë PD-ja, pandeminë nuk e nxit PD-ja. Përkundrazi, ne jemi vendi më i keqmenaxhuar në Evropë sa i përket menaxhimit të pandemisë. Kemi një qeveri dhe një kryeministër që ka abuzuar me fondet e pandemisë dhe në çdo takim që unë bëj me qytetarët, nuk është problem fare, nuk është ngritur shqetësim fare pandemia, përkundrazi ata pandeminë kryesore kanë konsideruar këtë qeveri që duhet të ikë.

Si mendoni për ta maksimalizuar votën, se drejtuesi juaj politik për qarkun Dibër zoti Mziu, është shprehur se do të merrni 4 mandate. Ju ç’mendim keni?

Sa i përket frymës popullore, sa i përket mbështetjes së njerëzve në këtë qark, sa i përket mungesës së investimeve totale dhe interesimit të kësaj qeverie për qarkun Dibër, në fakt nuk ka moral që PS-ja të ofrojë fare kandidatë dhe të kërkojë votë në qarkun Dibër. Por ne jemi në demokraci. Unë nuk e kam zakon të flas me numra. Ne do të bëjmë çmos që të marrim 4 deputetë sepse e meriton lista e kandidatëve, e meriton programi i PD-së, e meriton Lulzim Basha që të bëjë ndryshimin dhe të sjellë ndryshimin edhe në qarkun Dibër. Ne jemi në ditët e fundit, ne do të bëjmë çmos deri në momentin e fundit që të bindim çdo qytetar, të marrim votën e çdo qytetari dhe të marrim besimin e çdo qytetari.

Faleminderit dhe suksese!

Faleminderit juve!

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?