Drejt një kandidati të përbashkët në Elbasan? Alibeaj: Na duhet një fitues! Të bëhen konsultime dhe sondazhe

25 Janar 2023, 22:00| Përditesimi: 25 Janar 2023, 22:51

  • Share

Pak ditë pasi Luçiano Boçi, Sali Berisha dhe Ilir Meta mblodhën simpatizantët e tyre për të festuar 32 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike në Elbasan, ‘grupimi’ i Alibeajt ka zbritur në terren.

Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj organizoi sot një festë me mbështetësit e grupimit të kundërshtarëve të Berishës dhe Boçit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të cilët bojkotuan pak ditë më parë Luçiano Boçin. Në sallë janë parë Gazmend Bardhi, Zheni Gjergji e Lefter Gështenja. Ndërkaq, Dashnor Sula ka njoftuar mungesën për shkaqe shëndetësore dhe Flutura Açka për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.

Teksa u pyet për kandidatin e Partisë Demokratike për bashkinë e Elbasanit, Alibeaj tha për mediat se qëllimi ishte që të arrihej në një dakordësi për një kandidat që do kishte mbështetjen e të gjithë demokratëve. Sipas tij, duhen bërë sondazhe me qytetarët dhe të merret mendimi i selisë lokale për të caktuar një kandidat që përfaqëson të gjitha rrymat dhe jo një kandidat të njëanshëm i cili nuk siguron dot fitoren. Alibeaj tha se do të merret mendimi i strukturave dhe më pas në Kryesi dhe Kolegjin e Kryetarëve do të miratohet kandidatura për Bashkinë e Elbasanit.

“Unë po them një gjë që besoj kushdo e kupton edhe atë fjalën time që kam thënë të jetë një kandidat për demokratrët por edhe fitues. Që të jetë fitues nuk duhet një nivel i lartë matematike për të kuptuar se ne kemi nevojë për të gjithë demokratrët të cilët edhe nuk mendojnë si ne. Por edhe ata që nuk na votuan në 2021-shin duke parë edhe rezultatin e 6 marsit, unë besoj se kjo është një kërkesë minimale që t’ja bëjmë secili vetes. Pyetja është si mund të gjendet kandidati i PD-së që të përfaqësojë të gjithë pjesët? Mënyra më e mirë është të bëjmë sondazhe të opinionit që prekin shijet dhe nevojën e qytetarisë së Elbasanit. Teknologjia e lejon mundësinë që me mekanizma të tillë, të gjejmë atë që është më i miri”-tha Alibeaj.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?