Kanceri, Beqaj:Furnizim QSUT-së
me citostatikë, mjekim falas

22 Tetor 2013, 14:12| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Në kuadër të muajit tetor, fushatës kundër kancerit të gjirit, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaron se do të angazhohet për të ndërhyrë sa më shpejt, në radhë të parë duke garantuar furnizimin e QSUT-së me citostatikë.

Planet afatmesme të kësaj ministrie për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve tumorale është dhe përcaktimi i protokolleve, kostot efektive të trajtimit, forcimi i autonomisë spitalore dhe fuqizimi i qeverisjes klinike kurse masat afatgjatë janë rritja e numrit të qendrave të specializuara ku trajtohen tumoret. 

“Jemi të angazhuar të ndërhyjmë sa më shpejt me furnizimin shumë më të plotë të QSUT-së me citostatikë. Ndër masat afatmesme gjykojmë se janë të domosdoshme përcaktimi i protokolleve, kosto efektive të trajtimit, i forcimit të autonomisë spitalore dhe fuqizimit të qeverisjes klinike. Masa afatgjatë janë rritja e numrit të qendrave të specializuara ku trajtohen tumoret."- tha Beqaj. 

Ministri kujtoi urdhrin që i është firmosur , sipas të cilit që prej datës 1 tetor  të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna janë grupe të përjashtuara nga aplikimi i tarifave për shërbimet mjekësore.

Që prej 2009, ekzistonin tarifa për këto sëmundje, që nuk janë më të vlefshme dhe praktikisht me urdhrin për këto sëmundje janë zeruar", tha Beqaj

Nga aplikimi i tarifave per të sëmurët me sëmundje tumorale përjashtohen nga tarifat 5 analiza kliniko–hematologjike, 28 analiza biokimike, 14 analiza hormonale, 7 markuesit tumoralë, 5 ekzaminimet e hemostazës, si dhe BGA (Astrupogram), biopsitë e rutinës, egzaminimime imunohistokimike, ECHO, mamografi, CT-Scaner dhe rezonancë manjetike.      Ndërkohë, në analizat dhe ekzaminimet që përjashtohen nga aplikimi i tarifave për gratë shtatzana janë 20 të tilla, përfshirë edhe ekografi.

Beqaj foli dhe për programin masiv që do të nisë vitin tjetër për ekzaminimin falas.
“Vitin e ardhshëm nisim program masiv të kontrollit bazë për sëmundjet në Shqipëri. Duam të nisim ekzaminimin për të gjithë shqiptarët në moshën 40- 60 vjeç. Ekzaminimi do të jepet falas por do të jetë dhe një detyrën që qytetarët ta bëjnë në kohë e në rregull që gradualisht të ulim rreziqet që i vijnë popullatës dhe të rrisim jetëgjatësinë dhe vitet e jetës së shëndetshme”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?