Kampion për të 7 vit radhazi, Duka uron Vllazninë e femrave: Na ka nderuar edhe në arenën ndërkombëtare, simbol për vajzat shqiptare

12 Korrik 2020, 11:15| Përditesimi: 12 Korrik 2020, 14:12

  • Share

Të shtunën Vllaznia për femra arriti të siguronte për të shtatin vit radhazi titullin kampion të Shqipërisë në futboll. Një arritje historike për të cilën ka shkuar sot edhe presidenti i FSHF-së Armando Duka, që nëpërmjet një shënimi në 'facebook' thotë se ky klub na ka bërë krenar edhe në arenën ndërkombëtare.

“Dua të uroj skuadrën e Vllaznisë, që shpallet kampione e Shqipërisë në futbollin e femrave për të shtatin vit radhazi! Një arritje historike e një skuadre që po shkruan historinë e futbollit të femrave, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë dhe duke dhuruar njëkohësisht emocione të mëdha në fushën e lojës.

Nuk mund të lë pa përmendur faktin se Vllaznia na ka bërë të gjithëve krenarë veçanërisht në arenën ndërkombëtare, teksa vitin e kaluar vendosi edhe një rekord për futbollin e femrave, pasi kaloi turin eliminator dhe shkoi deri në fazën e 1/32-ve të UEFA Ëomen’s Champions League”, – tha Presidenti Duka, duke theksuar edhe faktin që Vllaznia është kthyer në një simbol për shumë vajza që duan të luajnë futboll.

“Përveç kësaj, unë vlerësoj edhe së tepërmi faktin se Vllaznia është kthyer në një simbol për shumë vajza shqiptare e që duhet marrë shembull nga të gjitha klubet. Është gjithashtu edhe një burim frymëzimi për të investuar akoma më shumë te futbolli femrave, që Federata Shqiptare e Futbollit e ka shpallur si prioritetin kryesor për të ardhmen. Dua të uroj edhe një herë Vllazninë, drejtuesit, stafin teknik dhe shpresoj që në të ardhmen të shtohen radhët e vajzave të cilat duan të luajnë futboll. Shumë urime vajzave shkodrane që na bënë edhe një herë krenarë me suksesin e tyre!”, - shprehet Presidenti i FSHF-së në urimin e tij.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?