Ish-deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli, tha për ‘Kontrast’ se zgjedhjet e pjesshme lokale treguan që 50% e demokratëve nuk pajtohen as me Berishën dhe as me Bashën. Sipas tij, i pari përfaqëson të shkuarën, ndërsa i dyti është një humbës serial që nuk reflekton.
Kadilli shtoi se fitorja e Berishës në Shkodër apo votat e disa kandidatëve të tij tregojnë se zgjedhjet nuk janë prekur.
“Rezultati konfirmoi atë që kam paralajmëruar, madje shpesh herë edhe i vetëm, sepse gjithmonë njerezit kanë menduar që zgjidhja vjen nga një lider. Janë mësuar ta gjejnë zgjidhjen nga dikush dhe jo nga përpjekja e tyre. Unë e kam parashikuar që për çdo votë të PD-së, ‘Foltorja’ plus LSI-ja do të marrin dy vota. Dhe pak a shumë ashtu doli rezultati, 1 me 2. Por nuk jam i gëzuar, sepse nëse e kemi paralajmëruar më të keqen, kjo nuk do të thotë se e keqja na gëzon. Rama rikonfirmoi sot rezultatet e veta në mënyrë të panjollosur, sepse në 25 prill 2021 është i njollosur nga akuzat. Afërsia e rezultatit të bën të dyshosh se nuk i ka future duart në zgjedhje. Ne kemi rastin e Dibrës ku me pjesmarrje më të ulët se zgjedhjet e mëparshme, kandidati i Berishës ka më shumë vota. Çfarë mund t’i themi këtij rasti? Pra nuk i janë prekur votat. Rezultati real i votave është që 15% i merr Basha, 20% i merr Berisha dhe pjesa tjetër nuk voton fare. Opozitës i mungon në inventar 50% e votuesve të saj. Një shumicë e heshtur e opozitarëve nuk gjejnë përgjigjë as te Berisha, as te Basha. Sepse njëri është e shkuara ndërsa tjetri është një humbës përsëritës që nuk lodhet” - tha Kadilli për 'Kontrast' në Report TV.
Nëse një bashki mbetet pa kryetar një vit para zgjedhjeve të ardhshme, nuk është e nevojshme të ketë zgjedhje të reja. Ky është propozimi i Fatbardh Kadillit, i cili për emisioin ‘Kontrast’ tha se kjo situatë nuk i motivon qytetarët.
Ish-deputeti propozoi rishikimin e ligjit elektoral dhe shpjegoi pse ishin të panevojshme zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki.
“Këto zgjedhje ishin të panevojshme dhe duhet parë ligji elektoral. Madje është fyese për votuesit. Pse duhet të zgjidhen për një vit kur buxhetin ia ka miratuar paraardhësi. Kjo nuk i motivon qytetarët të votojnë. Kështuqë duhet parë ligji që nëse ka mbetur më pak se një vit nga përfundimi i mandatit të mos ketë zgjedhje” – tha ai për ‘Kontrast’ në Report TV.
I pyetur për deklaratat e Berishës dhe Bashës pas rezultatit të 6 Marsit, Kadilli tha se të dy së bashku janë arsyeja kryesore pse gjysma e opozitarëve nuk iu përgjigjen thirrjes për pjesëmarrje.
K.T.//ReportTv.al“Janë të dy shumë të natyrshëm dhe të sinqertë. Basha tha se është gati të bëjë gjithçka ta mbajë Partinë Demokratike. Ndërsa Berisha thotë ‘meduza’ dhe e ka me Ramën. Ajo që kanë nevojë njerëzit është opozita reale. Basha dhe Berisha nuk fitojnë dot as së bashku, as të mbledhur e as të shumëzuar. A kanë ndjekës? Sigurisht që kanë sepse kanë fanatikë që u kanë bërë ndere. Por fakti që gjysma e opozitarëve nuk u erdhën në zgjedhje domethënë që nuk presin gjë prej tyre” – deklaroi Kadilli.