Politikë

Kadilli dorëzon propozimet për ndryshimin e statutit të PD: Çmontim të monopolit të kryetarit! Analiza e partisë nuk është fushatë spastrimi

28 Qershor 2021, 13:22| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 22:18

  • Share

Në prag të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, ish rivali i Bashës për kreun  e PD, Fatbardh Kadilli konkretizon idetë e tij për mënyrën e drejtimit të partisë duke depozituar propozime për ndryshime në statut.

Ndonëse anëtarët nuk i besuan drejtimin e Partisë, Kadilli është i bindur se propozimet e tij për reformimin e PD do të gjejnë mbështetjen e vendimmarrësve demokratë.

“Janë shumë pika të propozuara, është një manifest i tërë, nga ai manifest burojnë sjellje politike, filozofi politike dhe ndryshim të mënyrës së funksionimit. Nga diskutimet e fundit në kryesi, deklarova se do i sjell këto pika të përkthyera në ndryshime statutore, me shumë ndryshime statutore. Synimi kryesor është çmontimi i monopolit të kryetarit, vendosja e primarit që e çon forcën e kësaj partie te vota e anëtarit dhe jo vula e kryetarit dhe ndryshime të tjera që bëjnë fleksible strukturën tonë. Këto janë ndryshimet kryesore që përbëjnë disa nene të statutit. Nëse në garë nuk u votua personaliteti im për të drejtuar partinë, idetë e mia do të jenë fokusi dhe përqendrimi i punës sime në vijim. Sepse besoj fort që vetëm në këtë mënyrë, PD do të jetë e pastër, e hapur, e bashkuar dhe fituese”, tha Kadilli.

Pavarësisht se nuk është dakord me mënyrën sesi PD po zhvillon analizën e brendshme, këtë proces, Kadilli nuk e sheh si fushatë spastrimi, siç pretendojnë kritikët e lidershipit blu.

“Nuk besoj se do ketë frymë spastrimi . Është përgjegjësi jo vetëm e kryetarit po e gjithë partisë për të treguar se duhet të bashkëjetojmë politikisht ku çdo mendim sado i ndryshëm duhet të jetë në parti. Është përgjegjësi e të gjithë anëtarësisë të tregojë aftësi për të bashkëjetuar.  PD e ka marrë mesazhin që duhet të jetë më e madhe se kryetari për të frymëzuar”, u shpreh Kadilli.

Anëtarët e PD kanë të drejtë t’i propozojnë ndryshimet e statutit brenda datës 10 korrik Komisionit të Përhershëm statutor i përbërë nga 9 anëtarë, të cilët do të filtrojnë propozimet e bëra dhe do t’ja kalojnë për miratim Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet me 17 korrik.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?