Kadastra e Tropojës transferohet në Kukës , PD: Rama dhe Lame po hakmerren politikisht me qytetin, pjesë e planit për të shpopulluar vendin

31 Gusht 2022, 14:18| Përditesimi: 31 Gusht 2022, 14:36

  • Share

Partia Demokratike, nëpërmjet anëtares së Kryesisë, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar lidhur me transferimin e shërbimeve të kadastrës për qytetarët e Tropojës nga Bajram Curri në Kukës.

Ajo thotë se izolimi i Tropojës, duke hequr çdo shërbim në emër të reformave, nuk është qeverisje e mirë, por hakmarrje primitive politike ku akuzon kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kadastrës Artan Lame se nuk kanë bërë një reformë, por një plan për të shpopulluar vendin.  

"Dje pushteti i Ramës dhe Lames u ka hequr banorëve të Tropojës shërbimin e fundit që merrnin në qytetin e Bajram Currit:  Zyrën e Kadastrës shtetërore.

 E transferuar në Kukës, kjo zyrë e shton edhe më tej barrën e malësorëve të varfër, pasi distanca me qendrën e Qarkut është vajtje-ardhje 220 km, u dhe duhet të kalojnë 4 herë dy doganat me Kosovën!

Ky vendim është persekucion edhe për faktin se 80 përqind e pasurive të paluajtshme në rrethin e Tropojës janë të parregjistruara.  Të paregjistruara janë edhe mbi 90% të banesave në të gjitha fshatrat e rrethit.

Më poshtë një listë e shërbimeve që banorët e Tropojës duhet të marrin në qytete të tjera të vendit duke përshkruar qindra kilometra rraskapitëse:

-shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve kryhet në Kukës;

-shërbimi i tatim-taksave dhe i marrjes së vertetimeve të thjeshta kryhet në Kukës;

-shërbimet e Drejtorisë së Arsimit kryhen në Lezhë; 

-shërbimet e Drejtorisë së Shëndetit kryhen në Shkodër;

-shërbimet gjyqësore do të kryhen në Kukës me mbylljen e Gjykatës së Faktit.

Izolimi i Tropojës, duke i hequr çdo shërbim, në emër të reformave, nuk është qeverisje e mirë, por hakmarrje primitive politike.

Është një turp, si për Artan Ramën edhe Edi Lamen, por edhe për autoritetet vendore që mbyllin sytë dhe gojën, teksa nga Tirana u marrin erzin dhe u lënë autoritet vetëm mbi qentë endacakë.  Kjo lëvizje nuk është reformë, por pjese e planit ë shpopullimit të vendit. Bëjua të vështirë jetën, që të marrin rrugët e botës! Kjo ka ka qenë e vetmja politikë e qëndrueshme  Edi Ramës në 9 vite pushtet.

Qytetarëve të Bajram Curit dhe të fshatrave të Tropojës u bëjmë thirrje të mos dorëzohen! I garantojmë se me ardhjen e PD në qeverisjen e vendit shërbimet e transferuara jashtë Tropojës do t’u kthehen.", u shpreh anëtarja e Kryesisë së PD, Mimoza Hajdarmataj.

Zyra Kadastrale e Tropojës deri më 30 gusht ka funksionuar në Tropojë, por ditën e djeshme është vendosur transferimi në Kukës.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?