Ka të gjithë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, skiatorja 15-vjeçare Lara Colturi që la Italinë për Shqipërinë: Mezi pres debutimin (VIDEO)

31 Tetor 2022, 13:00| Përditesimi: 31 Tetor 2022, 13:27

  • Share

Në Itali ishte kampione, por nga ky vit e tutje skiatorja Lara Colturi do të përfaqësojë Shqipërinë. 15-vjeçarja italiane është sportistja më e re në Botërorin e skive në 47 vitet e fundit, por debutimi me flamurin kuqezi është shtyrë, pasi më 22 tetor gara e Austrisë u anulua.

“U nisa para dy javësh në Solden të Austrisë për ta parë se si ishte dhe u stërvita atje. Pata mundësisë të kem një përgatitje shumë të mirë, me borën, me pajisjet e mia dhe me trupin tim. Isha e lumtur se do të bëja debutimin me Shqipërinë në Botëror, por për fatin e keq moti nuk na ndihmoi. Ishin kushtet shumë të rënduara për garë. Gjithsesi unë jam gati për garën e ardhshme dhe për atë po mendoj. Do nisem dy javë para në Finlandë për të parë pistën,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë.

Në intervistën për Report TV Colturi zbulon se çfarë e bindi që të linte Italinë dhe të zgjidhte Shqipërinë.

“E gjitha ka nisur kur mamaja ime dhe presidenti i federatës së skive Elvis Toçi janë takuar. Kanë vendosur të nisin një rrugëtim së bashku dhe ne vendosëm familjarisht për këtë. E kuptuam se na pëlqente ta ndërrmernim këtë sfidë dhe jam shumë e lumtur që përfaqësoj Shqipërinë,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë.

Ndonëse modeste të dhënat e skiatores referojnë se ajo një ditë mund të bëhet kampione bote, në sportin që e ka të trashëguar nga e ëma, ndërsa për herë të parë këtë fundjavë ishte në Shqipëri.

“Deri tani kam qenë vetëm në Tiranë, por kam parë shumë foto të Shqipërisë. Nuk e kam parë nga afër por deti i Shqipërisë duket i mrekullueshëm. Patjetër që do shkoj ta vizitoj. Përsa i përket objektivave i kam vendosur vetes qëllim që fillimisht të jenë të arritshme. E para dua të kënaqem me këtë që bëj dhe mendoj se të tjerat do vijnë vetë pastaj,”-Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë.

Gara e parë e Lara Colturi në Botëror si përfaqësuese e Shqipërisë në ‘Giant Slalom’ do jetë më 19 nëntor në Finlandë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?