Ju bien flokët masivisht? Zbuloni shkaktarët dhe produktet bimore që ju vijnë në ndihmë / Ylli Merja tregon kurën disa javore për mbirjen e flokëve në mënyrë natyrale

18 Shtator 2023, 13:57| Përditesimi: 18 Shtator 2023, 13:59

  • Share

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për rënien e flokëve në vjeshtë, si të kuptojmë që është sezonale dhe si ta parandalojmë përmes metodave natyrale.

Humbja e flokëve është një dukuri normale dhe përgjithësisht ndodh gjatë ndërrimit të stinëve, sidomos në vjeshtë. Në fakt sipas specialistit Merja, dobësimi dhe dëmtimi i flokëve fillon që në stinën e verës duke rezultuar më pas me rënien e tyre në vjeshtë. Shkaktarët e rënies së flokëve janë të shumtë si:

·        Qëndrimi në diell në orarin 11.00 -15.00, pasi rrezatimi  UVB dëmton skalpin dhe dobëson flokun

·        Trashëgimia familjare (më tepër tek meshkujt)

·        Konsumi i sheqerit të tepërt. Glukoza e rritur shoqërohet me çlirimin e hormonit androgjen, i cili redukton folikulat

·        Konsumi i proteinave në nivele të ulta (tendenca për të mos konsumuar proteina për rënie në peshë)

·        Njerëzit anemik si pasojë e mungesave të elementeve Hekur, Zink, Kalcium, etj, dobëson fibrat dhe folikulat e flokut

·        Rritja e ndjeshmërisë nervore në disa zona të caktuara të skalpit të kokës (tkurren folikulat, ngjeshen dhe shkulet fija)

·        Ulja e cistinës, aminoacidi që zhvillon përbërësin proteinik të flokut

·        Teprica ose mungesa e vitaminës A

·        Çrregullimi hormonal, hormoni e tiroides

·        Infeksionet e shpeshta të streptokokëve në skalpin e kokës, në vesh, në grykë, hundë, etj

·        Stresi fizik dhe psikik dhe çrregullimet hormonale

·        Duhanpirja, trashja e gjakut

Për trajtimin dhe parandalimin e rënies së flokëve së pari duhet të njohim shkaktarët. Sigurisht, specialisti Merja thekson se ka një kurë kryesore bimësh për shëndoshjen e rrënjës së flokut dhe më pas kësaj kure mund t’i bëhen shtesa në bazë të problematikës që ka shkaktuar rënien e flokëve. 

Produktet që forcojnë rrënjën e flokut janë:

·        Bima që zgjon folikulën – shkurrja e Flomit ose zgjomi (euphorbia dendroides)

·        Kombinimi i qepës dhe hudhrës – të shtypura vendosen mbi skalpin e kokës 10-15 minuta

·        Përdorimi i brokolit, specit rrisin cistinën

·        Fara kungullit dhe arroret forcojnë dhe trashin flokun pasi përmbajnë hekur, zink, kalcium, vitaminë D

·        Patatja e kuqe, karrota pasi përmbajnë vitaminë A dhe betakarroten

·        Rozmarina, dafina, sherebela, arra – forcojnë flokun, rregullojnë hormonet

·        Vaj kokosi, vaj arre, vaj liri

Ndërsa për personat, sidomos meshkujt që kanë një rënie më të theksuar dhe më të shpeshtë, Merja rekomandoi një kurë disa javore për mbirjen e flokëve në mënyrë natyrale. Së pari ekzaminohet floku me mikroskop që nga rrënja deri tek maja, shikohen folikulat nën skalp dhe pastërtia e skalpit (nëse ka infeksion). Më pas fillon mjekimi:

·        Pas larjes së kokës vendosim maskë me qepë dhe hudhër të shtypur mbi skalp për 10-15 minuta. Heqim maskën dhe pa e larë flokun vendosim një ekstrakt floku me hudhër dhe bimë qumështore. Lihet 24 orë. Kjo bëhet 3 ditë rresht çdo darkë.

·        Dita e katërt e në vazhdim: Pihen 3 x 1 gotë në ditë çaj për forcimin e rrënjës së flokut. Mund të shtojmë në çaj përbërës për sëmundjen konkrete. Spërkasim skalpin e kokës ose me ekstrakt floku ose maskë floku. Kjo bëhet 4-5 herë në javë (vazhdon 3-4 javë).

·        Pas 3-4 javëve shikojmë flokun të mbirë. Nëse janë të hollë ose të zbardhur, floku pastrohet me brisk. Pas kësaj, mjekimi përsëri fillon si në ditën e parë: 3 ditë me ekstrakt hudhre të fortë dhe qumështor, ditët e tjera me çajin, ekstraktin ose maskën. Floku nxihet dhe trashet.  

Në fund të bisedës specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja sugjeroi dhe disa çajra në formë maske për të pasur flokë të shëndetshëm, për flokë të yndyrshëm dhe për probleme me skalpin e kokës.

·        Në një litër ujë zieni 2-3 minuta 1 dorë hudhra, 4-5 degëza rozmarinë dhe 1 lugë livando. Me çajin lani flokun, në të cilin mund të shtoni 1 lugë supe uthull molle.

·        Për flokë të yndyrshëm: Në 1 litër ujë zieni 2-3 minuta 3 lugë mollë të egra, 3 degë rozmarinë, 1 dorë petale trëndafili ose kamomil.

·        Për infeksione, stafilokoku ose myku: Në 1 litër ujë zieni 2-3 minuta 2 lugë gjelle rigon, 2-3 degë rozmarinë, 1 dorë sherebel. Shpëlani kokën 1 herë në ditë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?