Jo vetëm mësim, por edhe terapi psiko-sociale, fëmijët ukrainas ‘mysafirët më të  rinj’ në shkollat shqiptare

10 Prill 2022, 16:13| Përditesimi: 10 Prill 2022, 16:16

  • Share

Mysafir të rinj do iu bashkohen dhe bankave të shkollave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Golem, Orikum, Sarandë. Janë 211 fëmijë ukrainas të moshës 3-16 vjeç të ardhur për shkak të luftës në vendin tonë po integrohen në sistemin tonë arsimor. Shkëlqim Allkaj, përgjegjës për kurrikulat dhe cilësinë në Ministrinë e Arsimit shpjegon mënyrën sesi është konceptuar procesi mësimor.

 “Këta nxënës aktualisht vijojnë mësimin online në shkollat e tyre në Ukrainë, por shumë prindër kanë shprehur interesin pranë ambasadës së tyre, për t’i integruar në shkollat shqiptare. Do përfshihen në shkolla që ne i kemi aktive edhe pas orës 12 që janë shkolla, bëjnë projektin, bëjnë detyrat e shtëpisë në shkollë apo që janë shkolla qendra komunitare”, tha Allkaj

Në procesin mësimor do të angazhohen mësues të gjuhës së huaj anglisht, frëngjisht dhe rusisht.

“Ne do të përpiqemi që komunikimin mësuesit tanë ta realizojnë në kryesisht në gjuhën  frënge dhe gjuhën që ata flasin. Në stafet tona pedagogjike ka mësues që kanë mbaruar për gjuhën ruse dhe mund të jenë një ndihmesë për komunikimin me këta nxënës, por duhet të sqarojmë se nuk jemi futur në përmbajtje që ata po bëjnë sipas kurrikulave shqiptare, por thjesht jemi duke i integruar dhe do ta shikojmë hap pas hapi”, shtoi ai.

Rëndësi do t’i kushtohet gjithashtu mbështetjes psiko-sociale, ku pas orëve të mësimit do të ketë orë të dedikuara për terapi.

“Në mënyrë të veçantë për t’ju dhënë mbështetje psiko-sociale, integrim në aktivitete me nxënësit tanë dhe gradualisht (në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit në Shqipëri) edhe integrim mësimor do të ketë 1 -2 orë pas mësimit”, tha Allkaj.

Aktualisht Ambasadës së Ukrainës i janë vënë në dispozicion adresat e zyrave arsimore dhe personi i kontaktit që do të koordinojë të gjitha procedurat e nevojshme për regjistrimin e përkohshëm në shkollë të nxënësve që kanë shprehur interes.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?