Jemin Mema, pemëtari nga Prizreni punëtor sezonal në Kukës: Shteti të mbështesë fermerët për kultivimin e arrorëve

18 Shkurt, 16:04| Përditesimi: 18 Shkurt, 16:09

  • Share

Në fshatrat e Kukësit ka nisur krasitja dhe përgatitja e drurëve frutore për stinën e pranverës. Jemin Mema nga Prizreni, çdo fillim shkurti kalon kufirin dhe vjen në Kukës, ku është punësuar nga të njohurit e tij në krasitjen e pemëve.

“Unë jam lumian dhe ndihem më afër me Kukësin se sa me Prizren, ne na kanë ndarë padrejtësisht me kufij, se jemi njerëz të një gjaku”, tha ai.

Zanatin e pemëtarit e ushtron prej 25 vitesh dhe ka vënë re se njerëzit po i rikthehen tokës. Është shtuar interesi për të mbjellë pemë frutore apo për të ngritur vreshta si në fshatrat e Kosovës ashtu dhe të Shqipërisë.

“Po shoh se janë shtuar pemëtoret, fermerët po kultivojnë gjithnjë e më shumë por shteti nuk i mbështet”. – u shpreh ai.

Por pavarësisht se natyra është bujare, Jemini thotë se institucionet duhet të subvencionojnë për zhvillimin e pemëtarisë.

“Pemëtaria në Kukës goxha është e zhvilluar, por puna është se këtu nuk ka vënë dorë shteti. Ministria e Bujqësisë për shembull nuk i subvencionon, nuk i përkrah. Në Kosovë vetëm në arrë 500 euro i subvencionon shteti, por ka edhe ndihma tjera si në pleh kimik, në teknikë. Këtu në Shqipëri fatkeqësisht pemëtarët edhe fermerët nuk subvencionohen nga shteti”.- tha Jemini.

Në Kukës, klima favorizon më së tepërmi rritjen e mollëve, arrave dhe rrushit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?