‘Jazz&Blues’, gjithçka ndodhi mbrëmjen e parë të Festivalit ‘Gjon Mili’! Nga homazhi për fotografin tek performancat e artistëve vendas e të huaj

13 Korrik 2023, 15:49| Përditesimi: 13 Korrik 2023, 15:56

  • Share

Festivali i Gjon Milit, rimbledh dashamirësit e muzikës “Jazz&Blues” te “Reja” këtë mes javë. Të dashuruar me fjalën e tingullin, janë Elona Islamaj dhe Stenaldo Mëhilli që prezantojnë këtë edicion të dytë.

Ngjarja muzikore i bën homazh mjeshtrit të fotografisë botërore, Gjon Milit, duke i njohur kontributin për zhvillimin e muzikës jazz veçmas gjatë Luftës së Dytë .

I frymëzuar nga vende që ka vizituar si Stambolli, magjia e mesazheve të kartolinave apo personazhe të autorëve si Agata Kristi, pianisti austriak Martin Listabarth solli për publikun kryeqytetas kompozimet e tij më të fundit. 

Paralelisht me performancën e tij tek “Reja” u ekranizua në kuadër të Javës Malazeze edhe filmi “Ace of spades” i Drasko Djurovic.

 “Jam shumë i lumtur që jam këtu në Tiranë. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që po performoj në këtë vend të mrekullueshëm. Madje mund të them se është hera e parë që luaj përballë një filmi, kështu që kjo është një eksperiencë emocionuese.”, u shpreh Martin Listabarth.

Promovimi i talenteve të reja të muzikës jazz dhe blues është në qendër edhe të mbrëmjeve muzikore që zgjasin deri në 15 korrik, ku ndalesa do të jetë  në Pazarin e vjetër në Korçë. Arsi Bako është një prej zërave që rrëmbeu vëmendjen e spektatorëve.

Artisti i ri Emanuel Turhani përmes tingujve të pianos të çon në zanafillë të muzikës blues, kur siç rrëfen muzikanti Andi Kongo Antoni Maggio do të kompozonte ‘I got the blues’.

I ftuari special, perkusionisti italian Olmo Chitto performoi në vibrafon së bashku me “Andi Kongo quartet”. Këngë të vjetra shqiptare dhe arbëreshe erdhën në ngjyrat e muzikës jazz e blues.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?