Sport

'Jam në formë të jashtëzakonshme', Calja premton historinë për Shqipërinë: Në Olimpiadë për medalje, për doping mos kini frikë

14 Korrik 2021, 13:11| Përditesimi: 14 Korrik 2021, 17:05

  • Share

Për herë të parë në histori Shqipëria shpreson të marrë një medalje në Lojrat Olimpike që nisin me 23 korrik dhe këtë barrë të rëndë e ka mbi supe Briken Calja, peshëngritësi kampion Europe në stilin e shtytjes.

“Unë jo më kot flas që jam afër medaljes sepse rezultatet janë të matshme, nuk është vetëm një dëshirë e Brikenit. Normalisht që dëshira është shumë e madhe për t’ia dalë dhe konkurentët i njoh. Gara do jetë një ndër më të fortat e peshëngritjes për t’u ndarë medaljet. Do jenë 6 shtete, që janë superfuqi, që do ndeshen për këto medalje. Unë gjithsesi gëzoj një formë të jashtëzakonshme dhe do ia dalë më së miri,”-tha peshëngritësi.

Për Briken Calen, i cili është kualifikuar me normë dhe jo me ftesë, kjo do të jetë hera e tretë që merr pjesë në Lojrat Olimpike.

“Në 2012 unë kam marrë kualifikim dhe po ashtu në 2012 kam marrë vendin e gjashtë, që është një ndër rezultat më të mira në historinë shqiptare. Në 2016 kam zënë vendin e pestë, i barabartë me të katërtin për shkak të peshës trupore. Pra edhe më herët kam qenë afër podiumit,”-u shpreh ai.

Calja, i cili më herët është shpallur edhe kampion i trefishtë i Europës, iu heq shqiptarëve edhe një merak:

“Mos të harrojmë që vetëm këtë vit kam 10 kontrolle të befasishme nga ËADA. Pra vijnë kur të duan ata. Edhe në kohën e pandemisë kam bërë mbi 10 kontrolle. Në 2019 kam bërë mbi 20 kontrolle. Pra rrini pa merak se kjo pjesa e dopingut Brikenin nuk e frikëson aspak.”

Në Olimpiadën e Tokios Shqipëria do përfaqësohet me 7 sportistë, ndërsa vetëm peshëngritja ka dy.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?