‘Jam komandant i Pentagonit!’ Qëlloi patrullën e plagosi policin në Tiranë, ja çfarë dëshmoi Klered Bozhanaj! Report Tv zbardh dosjen

22 Shtator 2023, 09:52| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 16:16

  • Share

TIRANE -  “Jam komandant i Pentagonit”, kjo ishte fraza që Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi me 2 plumba në bark efektivin e repartit “Shqiponja”, Edlir Alleshi, shqiptoi para hetuesve në seancën e dytë të marrjes në pyetje mëngjesin e së premtes, 22 shtator 2023.

Rreth 12 orë pas arrestimit, policia mori në pyetje të dyshuarin në lidhje me rrethanat dhe motivet që e çuan të shkreh armën. Deklarimi i tij ka shtuar edhe më tej dyshimet se 42-vjeçari mund të ketë probleme të shëndetit mendor.

Grupi i hetimit ka kërkuar ekspertizë të plotë mjekoligjore e cila do të saktësojë nëse i akuzuari vuan nga mendore.Burime nga policia thanë për Report Tv se kjo ka qenë e vetmja frazë që ai ka thënë në deklarime.

Pas arrestimit mbrëmjen e së enjtes, 21 shtator 2023  pyetja e tij ka qenë e pamundur, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Dosja ndaj Bozhanajt për plagosjen e policit 34-vjeçar është referuar në prokurori për “vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentative”.

Report Tv ka siguruar referimin e policisë në prokurori, në të cilin tregohet dëshmia e një berberi që identifikoi agresorin.Berberi me iniciale B.A, i cili qethi paraditen e së mërkurës Klered Bozhanaj  pasi iu vunë në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë nga policia, ishte i pari që tregoi identitetin e 42-vjeçarit. Ai u tha hetuesve se personi që shihet duke ikur me vrap është Keli, të cilin e kishte qethur paradite dhe ishte me një njëjtat rroba.

Dëshmia e tij përputhet edhe me atë të gruas së autorit të plagosjes së policit. Mimoza Bozhanaj ka treguar se pasi kishte dalë për shëtitje me bashkëshortin dhe 2 fëmijët, Kleredi shkoi të paguante lekët e qethjes së paradites, dhe sipas saj, kusurin që i dha berberi ia dha djalit për të blerë fara. 
Më tej, për ngjarjen janë pyetur edhe familjarë të Bozhanajt. I ati i tij u tha hetuesve se djali që ishte kthyer nga Italia kishte pasur probleme mendore, e kishte këshilluar të vizitohej por nuk kishte pranuar.

Ndërkohë, në referim tregohet në mënyrë të detajuar dinamika e ngjarjes, e zbardhur përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Rreth orës 17.36 në trotuarin përpara lokalit shikohen dy punonjës policie me motor që kanë ndaluar afër Klered Bozhanajt, i cili nis të lëviz te hyrja e pallatit, ngjitur me lokalin aty pranë. Në atë drejtim kanë shkuar edhe policët.

Më tej Bozhanaj futet djathtas për nga hyrja e pallatit. Kur ora shënon 17.36.16 shikohet që polici Edlir Alleshi vihet në ndjekje duke lëvizur në drejtim të Bozhanajt. Polici hedh kokoren në rrugë dhe futet në hyrjen e pallatit ku është futur 42-vjeçari.

Pas Edlir Alleshit futet dhe polici Ted Koldashi. Në 17.36.42 nga hyrja e pallatit vërehet Koldashi me pistoletë. Në orën 17.46.48 nga shkallet e pallatit del polici Edlir Alleshi me armë në dorë. Në orën 17.36.54 Alleshi shtrihet duke u përkulur. Policët hyjnë në lokal dhe në orën 17.37.06 në pamje shfaqet Klered Bozhanaj me pistoletë në dorë dhe del nga hyrja e pallatit duke u larguar. 42-veçari u arrestua 24 orë pas ngjarjes pasi hyri në shtëpinë e tij në zonën e “Kinostudios”. Një grup efektivësh që e mbanin nën vëzhgim banesën, ndërhynë sapo Bozhanaj po ndërronte bluzën.

Kjo u dha mundësinë policëve ta kapin në befasi, edhe pse në fillim i dyshuari tentoi të bëj rezistencë, por e kishte të pamundur të largohej. Atij iu gjet dhe sekuestrua arma e krimit, një pistoletë me fishek në fole, e cila mund të kishte rrezikuar sërish jetën e efektivëve nëse do e kishte në dorë. Bashkë me armën, të mbështjellë me letër alumini policët gjetën disa plumba të tjerë dhe një doza hashashi që dyshohet se Bozhanaj i kishte për përdorim vetjak.

Ora 17:10
Qëlloi policin me dy plumba, i ati: Pasi u kthye nga Itali Kleredi shfaqi probleme të shëndetit mendor, e këshillova të vizitohej

1695322491_kleredbozhanaj.jpeg

Për ngjarjen janë pyetur edhe familjarë të Bozhanajt. I ati Vitri Bozhanaj u tha hetuesve se djali që ishte kthyer nga Italia kishte pasur probleme mendore, e kishte këshilluar të vizitohej por nuk kishte pranuar.  Report Tv e shqiptarja.com siguron dosjen e policisë në prokurori për Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi me 2 plumba në bark efektivin e repartit “Shqiponja”, Edlir Alleshi.

 

“Në muajin Gusht te vitit 2022 është kthyer së bashku me familjen e tij nga shteti Italian dhe prej këtij muaji ka qëndruar në banesën e tij. Pas kthimit nga Italia të djalit të tij, ai ka deklaruar se i biri kishte deklaruar se në shtetin Italian kishte patur problem me punëdhënësin dhe policia kishte mbajtur anen e shtetasit Italian, ne keto kushte i biri ishte detyruar të kthehej në Shqiperi duke fajësuar policin Italiane ku për punonjësit e policise kishte krijuar një llojë urretje.

Gjatë jetesës në banesë djali i tij kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor pasi nuk ka qënë i ekuilibruar në biseda, konstatim për të cilin ai i kishte sugjeruar djalit të kryente vizitë shëndetësore në një spital psikiatrik por djali i tij në mënyrë të vazhdueshe e ka refuzuar këshillën e babait. Nga vezhgimi dhe bisedat e zhvilluar ndermjet tyre, Vitriu kishte konstatuar se djali i tij kishte krijuar bindjen se nuk e donte askush dhe se të gjithë e urrenin.

Në lidhje me ngjarjen shtetasi Vitri Bozhanaj ka shpjeguar se më datë 20.09.2023, rreth ores 18:00, djali i tij Klered Bozhanaj ka dalë së bashku me gruan dhe djalin e tyre në lulishten para pallatit. Në orën 19:00 min shpjegon se eshte telefonuar nga bashkëshortja e tij të dilte njëherë jashtë pasi në lagje pasi kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Pas njoftimit nga bashkëshortja shtetasi Vitri ka dalë jashtë dhe ka shkuar te lulishtja e pallatit dhe atje ka kontaktuar me bashkëshorten e djalit të tij shtetasen M. Bozhanaj, të cilën e ka pyetur se ku ndodhej Kleredi, ndersa ajo i ka thënë se është larguar por pa i treguar një adresë të sakt për itinerarin e tij. Pas komunikmit me nusen e djali ka dalë në lagje për të kërkuar djalin e tij dhe pasi nuk e ka gjetur është rikthyer tek nusja e djalit.
Gjatë kohës që ka qënë duke qëndruar iu ka lindur mendimi që të kontrollonte te kompleksi "Xhura" dhe Xhamia ku djali i tij shkonte herë pas here. Në këtë moment janë afruar punonjësit e Policisë me të clët është takuar dhe ato e kanë pyetur se ku ndodhej djali i tij të cilëve Vitriu ju është përgjigjur se nuk ka informacion se ku ndodhej. Më tej biseda është zhvilluar në ambientet e banesës ku policia ka ushtruar dhe kontroll. I pyetur nëse djali i tij ka pasur armë zjarri në banesë apo ta mbante me vete, ai ka shpjeguar se nuk ka dijeni për një gjë të tillë dhe nuk e ka parë kurrë djalin me armë zjarri me vete.

Ora 16:57
'Ndal policia!' Dëshmia e pronarit të lokalit që transportoi policin në spital, identifikoi dhe Klered Bozhanaj

1695242114_7877.jpg

Pronari i lokalit afër pallatit  ku banonte Klered Bozhanaj brenda të cilit ka ndodhur dhe plagosja e policit, ka ndihmuar për ta transportuar atë drejt spitalit të Traumës. Madje ka identifikuar me foto dhe autorin. Report Tv e shqiptarja.com siguron dosjen e policisë në prokurori për Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi me 2 plumba në bark efektivin e repartit “Shqiponja”, Edlir Alleshi.

“Ndal policia!” thirrja që vinte jashtë lokalit ka bërë që pronari i lokalit të dalë për të parë se çfarë po ndodhte rreth orës 19:00 të 20 shtatorit.

Në rrugë ka vënë re motorin e policisë të rrëzuar në tokë. Pas kësaj ka dalë nga banaku dhe në një distance rreth 3 metra duke dalë nga lokali ka dëgjuar të shtenë armësh.

Është afruar tek hyrja e pallatit i cili është ngjitur me lokalin dhe tek shkallët e katit të parë nga hyrja ka vënë re dy punonjës të policisë të cilët po dilnin nga hyrja.

Sipas tij njëri nga punonjësit e policisë është rrëzuar ndërsa kolegu i tij po e ndihmonte. Aty është afruar dhe ka parë që punonjësi i cili është rrezuar ishte i plagosur dhe ka ndihmuar se bashku me punonjësin e policisë për ta spostuar nga vendi ku ishte. Me tej deklaruesi shpjegon se punonjësi i cili ndihmonte kolegun i ka kërkuar që të merrte mjetin e tij personal dhe ta afronte tek polici i plagosur me qëllim transportimin e tij për në spitalin e Traumës. Ka afruar mjetin e tij tip Golf 5 dhe pasi e kanë ngjitur në mjet punonjësin e plagosur atë e kanë dërguar ne spitalin e Traumes.

Tek spitali i Traumës pronari i lokalit ka treguar dhe foton e autorit pasi e njihte me fytyrë pasi ishte komshi tek lokali dhe banonte në katin e 6-të të pallatit dhe ku ka ndodhur ngjarja ku pikërisht në katin e 6-shtë nga verifikimet e kryera rezulton banesa e shtetasit Klered Bozhanaj. Dëshmitari ka deklaruar se kishte dëgjuar vetëm të shtëna por kishte parë personin i cili qëllonte ndaj punonjësve të policisë.

Ora 16:09
'Ik më lini rehat!' Report TV zbardh dosjen e Klered Bozhanaj: Ndjekja nga lulishtja nëpër shkallët e pallatit! Më pas të shtënat që plagosën policin

1695298691_kleredbozhanaj.jpg

Report Tv e shqiptarja.com siguron dosjen e policisë në prokurori për Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi me 2 plumba në bark efektivin e repartit “Shqiponja”, Edlir Alleshi.

Në të zbulohet dhe dëshmia e kolegut Alleshi që mbeti i plagosur mbrëmjen e 20 shtatorit 2023, nga momenti kur identifikuan të dyshuarin, ndjekjen në shkallët e një pallati nr 50 në rrugën "Hysen Gjura", Tiranë deri në momentin kur Bozhanaj qëlloi me armë drejt efektivit të policisë dhe më pas dërgimi në spital.

Rreth orës 18:50, 20 shtator patrulla ka qenë duke patrulluar në pallatet e kompleksit "Gjura", në Tiranë.

Edlir Alleshi dhe efektivi i tij kanë parë një person që qëndronte në këmbë në lulishte duke pirë cigare të cilin pasi e kanë kaluar kanë vënë re se po i largohej prezencës së policisë. Pasi kanë vërejtur lëvizjen e tij kanë vendosur ta pyesin duke ju prezantuar në mënyrë të qartë që ishin punonjës policie, por kanë marrë një përgjigje arrogante prej ketij personi i cili ju ka thënë “ik më lini rehat”.

Në këto kushte punonjësit e policisë kanë ndaluar motorin për të kryer një verifikim por ai është larguar me vrap duke hyrë në shkallët e pallatit. Pas largimit me vrap Alleshi e ka ndjekur nga pas nëpër shkallë. Pas tyre ka shkuar dhe efektivi i dytë.

Alleshi i ka thënë kolegut  se personi që po ndiqnin ishte i armatosur.

“Gjatë ndjekjes nëpër shkallë të përsonit që po ndiqnin janë qëlluar me armë zjarri nga sipër po nga ky person. Të ndodhur në këto kushte punonjësit e Policisë janë kthyer pas për të siguruar vetëm si dhe për të bllokuar hyrjen e pallatit. Në momentin që kanë dalë në hyrje të pallatit efektivi tjetër ka shkuar te lokali duke njoftuar klientët të largoheshin pasi kishte të shtëna me armë zjarri.

Gjatë kohës që ndodheshin para hyrjes së pallatit Alleshi i ka treguar se ishte plagosur. Menjëhere ka marrë efektivin e ka futur bashkë edhe me dy kolegët e tjerë të cilët ishin afruar e kanë futur në makinë dhe e kanë nisur për në Spital me qëllim dhënien e ndihmës mjekësore.

Pranë pallatit ka qëndruar vetëm punonjësi i Policisë dhe pasi kanë kryer transportin për në Spital të kolegut është rikthyer sërish te vendi i ngjarjes ku ka konstatuar një zonjë të cilës i ka treguar karakteristikat e autorit

Bozhanaj u arrestua një ditë më parë, 21 shtator teksa po tentonte të hynte në banesë

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 22/09/2023 14:52

    Doli i cmenduri tjeter ne fund hahhaha Jemi vendi me me shum te cmendur rrugve se ne psiqiatri hahahha

    Përgjigju
  • Tralala zura nje gale: 22/09/2023 11:10

    Futini nje dajak qe ti vije mendja se cdo kriminel po na del si i semure mendor

    Përgjigju
  • Shoku: 22/09/2023 11:07

    Eshte arrestuar nga skuadra anti depresionit ne policine e tiranes????

    Përgjigju
  • Erik: 22/09/2023 10:59

    Nese e kane kapur duke shkuar per ne banese, nuk ka qene duke u veshur ne momentin e arrestimit. E kane kapur ne banese duke u veshur mbase.

    Përgjigju
  • Kastriot: 22/09/2023 10:42

    Edhe un jam barack obama nese je ti komandant pentagoni or tejj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?