Jakin Marena: ‘Dashnor’ i Gruevskit, se rruan për SPAK por nuk e pyet as gruaja

20 Prill, 14:39| Përditesimi: 20 Prill, 14:42

  • Share

Ilir Meta është bërë një fenomen në rrjetet sociale kohët e fundit, duke zënë njëherësh ekranet televizive dhe faqet e mediave në lidhje me zhvillimet në Partinë e Lirisë të cilën ai drejton.

E kemi parë të kacavirret maleve dhe rrëpirave cep më cep Shqipërisë, të hypë nëpër gardhe dhe pemë, por dhe nëpër platforma metalike, duke dhënë mesazhe se është i përgatitur fizikisht, është i ri dhe i fortë për të përballuar sfidat në të ardhmen. I ka humbur rëndësinë dhe majmunit ‘Kiko’ që nuk e dimë arsyen pse është zhdukur nga qarkullimi këto kohët e fundit.

Dhe pasi ka zbritur nga pemët dhe këto katërkëndëshat metalikë, si një ‘spiderman’, Metën e kemi parë të ‘zbarkojë’ nëpër studiot televizive, për të ushtruar ‘sportin’ tjetër të tij të preferuar sulmin ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, duke e cilësuar madje deri dhe kreun e një organizate kriminale që po merret me futjen në burg të tij.

Nuk ka asnjë drojë kur shprehet si në kafe, në mes të studios televizive dhe përballë miliuona shikuesve se ka takuar këtë person apo atë person, që i paska thënë se do ta fusin në burg, do t’i konfiskojnë vilat, pallatet e ndërmarrjet private të biznesit, zbardh madje deri takimet dhe bisedat telefonike me gazetarë, që i kanë thënë të qëndrojë më mirë në Austri se do ta prangosin.

Janë biseda konfidenciale me njerëz të njohur dhe të panjohur dhe zbardh bisedat e pakërkuara duke i vënë një pozitë tepër të vështirë, jo vetëm ata që përmend por dhe gazetarët nëpër panelet televizive dhe moderatorët, të cilët me sa duket janë ata që kanë pjesën e tyre në nxjerrjen nga ‘binarët’ të Ilir Metës, me mesazhet e lajmet që i japin, duke e futur në një paranojë të tmerrshme dhe nxjerrë nga brenda pikërisht atë të vërtetin, politikanin që ka bërë shumë zullume dhe që tashmë me sa duket, po shton dhe pak dozë aktrimi për t’u paraqitur para shqiptarëve si një njueri aspak nomal që duhet ta pranojnë kështu siç është.

Dhe bisedat për pazar si në pazar i bën, i tregon vetë, në vetë të parë, ‘i thashë më jep këtë, të jap këtë, marr këtë post, lë këtë post, vendosim këtë president, bëjnë atë ministër” e gjëra të tjera të këtij lloji, që ia kanë nxjerrë ‘themelet’ politikës që në krye të herës, duke i humbur kuptimin final të saj.

Dhe mbi të gjitha, ashtu në morinë e fjalëve pa kuptim, teksa i bën thirrje “SPAK-ut torollakut” që t’ia konfiskojë të gjitha, që nga vilat, shtëpitë, pallatet e deri dhe ndërmarrjet, sepse do të qëndrojë kudo, madje do të vendosë krevatin në shtëpinë e nën Selvijes apo në selinë e Partisë së Lirisë, për hir të së vërtetës tashmë po ‘vret vetminë’ një një pallat luksoz në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, pra teksa shprehet i hapur ndaj SPAK që të bëjë ç’të dojë me pasuritë e tij, pranon dhe vetë se i ka të gjitha këto pasuri, duke u dhënë fund hamendësimeve për akuzat e të të bërit miliarder vetëm me rroga shteti.

Me sa duket Meta ka gjetur një rrugë e dy punë me paraqitjet e tij në publik si një njeri aspak normal dhe në një stërvitje të fortë sa rrugëve të atdheut të mbushura plot me pemë dhe me platforma metalike ku kacavirret si pa të keq dhe jep mesazhe, bën foto e video sa nën shoqërinë e qenve dhe maceve të shtëpisë, ka 11 banjo në vilën që ka në Gjirin e Lalzit, disa prej tyre me dedikim për kafshët shtëpiake. Fenomen në rrjetet sociale, si dikur Lekë Plepi i famshëm.

Paraqitet para shqiptarëve si një njeri, ndonëse është kryetar i një partie politike, që nuk mban asnjë përgjegjësi për ato që bën, njëherësh përgatitet dhe për më të keqen, për atë që e ka nxjerrë nga ‘binarët’ fare dhe ku kanë ‘dorë’ dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij që e kanë zhytur në paranoje, burgun për të gjitha zullumet që ka bërë.

E tha dhe vetë, le ta fusin në burg, s’pyet për ‘SPAK-un torollakun’, nuk e rruan për institucionin më të lartë të hetimit në Shqipëri, pasi betohet nëpër studiot televizive por dhe në majë të platformave metalike, se dhe nga burgu do të bëjë bejetën me SPAK, dhe nga burgu do të rrëzojë Edi Ramën e regjimin e tij. Duke mos harruar tashmë të përshëndesë në çdo raste, ‘legjendën Sali Berisha’.

Meta përmend ‘litarin në shtëpinë e të varurit’ në fakt, sepse Berisha është në të njejtin hall për vete, madje më të avancuar sepse është nën arrest shtëpiak, i mbyllur në pallatin e tij dhe ai për korrupsion dhe pret nga dita në ditë që me hapjen e dosjeve të mëdha, si ‘Gërdeci”, ’21 janari’, afera CEZ-DIA etj., që të lëvizë nga shtëpia në qeli. Por ama ai e ka bërë një ‘copë rrugë’, është që nga dhjetori i vitit të kaluar nën arrest shtëpie. Ka bërë një farë ‘nxemje’ Berisha me arrestin.

Meta nuk ndalet, teksa ka shpallur “Rithemelimin” e Partisë së Lirisë, zhdukjen e arrogancës në parti sipas parimit të Shotës ‘plumbi del me plumb’ dhe arroganca zhduket me arrogancë, duke përjashtuar dhe lënë jashtë strukturave të gjithë ata që mendon apo ia kanë tiposur shumë nga bashkëpunëtorët e tij se e spiunojnë në SPAK, në SHIK, nëpër ambasada, tek Edi Rama, apo se e shohin shtrembër. Duke deklaruar se do largohen në emër të luftës kundër ‘nepotizmit’ dhe krahinalizmit, pavarësisht se thotë se janë të lirë që të konkurrojnë për të…humbur.

Në mënyrë të habitshme Meta e ka filluar luftën nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, për ‘zjdukjen e nepotizmit’, duke e kuptuar vetëm pas 30 vitesh se paskan qënë gabim se kanë drejtuar bashkë, herë njëri herë tjetri kryetar, Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar për shumë vite, LSI-në për shumë e shumë vite, dhe tashmë duhet të jetë ose njëri ose tjetri në kryesinë e Partisë së Lirisë, pasi nuk është demokratike që të jenë të dy në panelin drejtues të partisë.

Herë duke bërë të lënduarin, herë duke bërë agresivin, herë duke bërë liderin e herë duke bërë rojën e selisë së Partisë së Lirisë, Meta i akuzoi në bllok, që nga Kryemadhi e Braimllari, e deri tek magazinieri i PL për mungesë vigjilence, për thyerje ndaj presionit të SPAK, Ramës, SHIK-ut e deri tek akuzat për spiunimin tek ata të tij, me paranojën se i kanë vjedhur pajisjen qëndrore elektronike të selisë, për të cilën ka bërë dhe një denoncim.

Dhe për këtë ‘tradhëti’ akuzon në fillim Kryemadhin, gruan e tij, të cilën e fajson që nga djegia e mandateve pa lejen e tij, anipse dikush mund të pyesë se çfarë pune kishte Meta me LSI-në në vitin 2019 kur ishte në mandatin e dytë presidencial pa parti, dhe pastaj akuzon gjithë strukturën drejtuese të PL tashmë, për tradhëti të lartë ndaj tij, duke e ekspozuar të dobësuar para Dumanit, Ramës, SHIK-ut dhe gjithë botës. Madje sipas tij dhe kur i hedhin foton në rrjetet sociale, e hedhin si një plak 300 vjeç e të lodhur dh e prekur në pikën e tij më të ‘dobët’ fuqinë burrërore.

Duke marrë dhe reagimin e bashkëshortes së tij Kryemadhi e cila me sa duket ka parë gjendjen aspak normale të bashkëshortit të tij Meta, teksa ka deklaruar se ‘nuk i rruhet as për SPAK-un dhe as për burgun”, ndërkohë që i ka kujtuar se kryetari i partisë është lider dhe jo roje selie, por dhe duke paralajmëruar se nuk ndalet në konkurrimin e saj për anëtare kryesie.

Nga ana tjetër, aktrim ose jo mbetet për t’u parë në vijim nëse kanë qënë aktorë të kalibrit të lartë, Kryemadhi ka bërë me dije se janë të ndarë me Metën për çështjet politike dhe mbi të gjitha marrëdhëniet e tyre bashkëshortore kanë ngrirë ka mbi një muaj e gjysmë.

Ndoshta është një rast unikal dhe për t’u studiuar për periudhën post-komuniste kur një çif ngrin marrëdhëniet bashkëshortore deri në prag-divorci, larg qoftë, dhe jetojnë të ndarë nga njëri tjetri, thjeshtë dhe vetëm se nuk bien dakord politikisht. Në kohën e Enver Hoxhës dhe ndodhte kjo.

Meta është i vendosur për të bërë partinë sipas shijeve të tij të fundit, me njerëz që e mbështesin kur bën stërvitje malit, pemëve, platformave metalike dhe në palestër, me drejtues që mbajnë shënime për tendosjet dhe pasthirrmat e tij teksa tërheq sustat në palestër për ‘strategjinë e palesterizimit të Shqipërisë’ të përfshirë në programin me 5 pika të “Rithemelimit” të PL, që do t’ia paraqesë popullit shqiptat. Të cilët në të gjitha herët thotë se janë ‘të palestruar’ nga ky regjim nga mungesa e të ardhurave dhe s’kanë nevojë për palaestër apo për stërvitje. Por në sallat e mbyllura i harron këto.

Por mbi të gjitha është tepër i vendosur për të mos pasur të paktën publikisht Kryemadhin dhe mbështetësit e saj nëpër këmbë, teksa deklaron se ‘lufton nepotizmin dhe krahinizmin’ anipse bashkëshortja e tij e akuzon se ka marrë shumë skraparlesha skraparli afër vetes. Dhe Meta shetit studio më studio dhe tribunë më tribunë me librin e ish kryeministrit maqedonas Nikola Gruevki në dorë, për mendimin ekonomik të tij që ndërtoi sipas kreut të PL Shkupin dhe Maqedoninë e Veriut dhe e renditi në listën e vendeve më të zhvilluara në Evropë.

Anipse Gruevski është në azil politik në Hungarinë e Viktor Orban, i dënuar me burg në mungesë për korrupsion madhor, Ilir Meta si një ‘dashnor’ i betuar i Gruevskit shëtit me librin e tij në dorë dhe ndam ‘mendimin e tij të vyer ekonomik’ që do ta instalojë në programin e PL për të ‘mirën e Shqipërisë”.

Nuk e dimë nëse e thotë për inat të Ramës që mbështeti kundërshtarët e Gruevskit në Shkup, të cilët kanë vokacion pro-perëndimor, apo Meta po i lëshon ndonjë mesazh ish kryeministrit maqedonas që gjendet në azil politik në Hungari. Pasi gojët e liga thonë se rruga e Gruevskit në arratinë e tij jashtë vendit për të mbërritur në Budapest, kaloi nga Gjiri i Lalzit, dhe Meta ia dha ‘një dorë’ ndihme për të hyrë në Qafë-Thanë dhe duke e shoqëruar deri në Muriqan me njerëzit e tij, për të hyrë në Malin e Zi.

E themi këtë sepse dhe Ilir Meta është familjarisht në hall të madh. Ndonëse SPAK tha se nuk ka Metën nën hetim, pra nuk e ka të pandehur, por dihet se heton me intensitet dosjet në ngarkim të tij, që nga lobimi 700 mijë dollarë në SHBA, deri tek afera e rëndë CEZ-DIA. Për të cilën ka akuza se Meta ka qënë i involvuar tërësisht dhe për kompaninë mbledhëse të borxheve të këqia ‘DIA”, nën emrin e Kastriot Ismailajt që bëri burg, Meta akuzohet se qëndron pas saj.

Por nga ana tjetër është nën hetim dhe pasuria e Metës, pas denoncimeve që janë bërë, dhe SPAK ka lëshuar dhe marrë dhjetëra porosi nga banka e institucione ndërkombëtare. Pa llogaritur hetimin në vend të vilave, shtëpive dhe ndërmarrjeve që thuhet nën zë se janë në pronësi të Metës. Me sa duket dhe mesazhet për Gruevskin nuk janë fort pa lidhje.

Ndërkohë që Kryemadhi, pavarësisht shfaqjes e qetë para kamerave, më e ftohtë për hir të së vërtetës, dhe qëndrimi se ‘nuk i rruhet fare për SPAK-un as për burgun”, është nën hetim për ndërhyrjet estetike, për lobimin në SHBA, për pasurinë, ku ka dëshmuar jo vetëm ajo por dhe nëna e saj në SPAK, Eshtë ushtruar kontroll nga BKH, i është sekuestruar një celular i saj në shtëpinë prindërore, dhe sipas vetë Kryemadhit i janë sekuestruar dhe telefonat e tre fëmijëve të saj, të cilët janë pyetur në organin e hetimit për përballimin e jetesës në shkollat më të shtrenjta të Londrës, paratë cash që kanë marrë. I thotë Kryemadhi këto!

Frika dhe paniku i madh nga hetimi, por dhe një përballje e mundshme me përgjegjësinë për zullumet për të cilat akuzohen se kanë kryer familjarisht sa kanë qënë në pushtet ose jo, paçka se ka një tendencë të Metës për t’u ‘distancuar’ nga Kryemadhi deri në ngritje të marrëdhënieve bashkëshortore dhe qëndrimi në banesa të ndryshme si për t’ia ‘ngecur’ të gjitha përgjegjësitë, ka bërë që Meta të marrë malet, të kacavirret nëpër pemë dhe platforma metalike, si dhe të ushtrohet në palastër duke shërbyer si ‘ushqim’ për rrjetet e mediat sociale. Por dhe të sulmojë ashpër SPAK-un e kreun e tij Altin Dumanin se duan ta fusin në burg, duke premtuar se do ta përballojë burgun si burrat. Por që gjendja anormale që ka kapluar Metën tregon se e ka pritur keq mundësinë e arrestimit dhe mbi të gjitha konfiskimit të pasurisë dhe burgun e hamendësuar dhe të pritshëm ndoshta, nuk po e përballon si burrë.

Ndërkohë që bashkëshortja e tij, në dukje më e ftohtë, dhe ajo nën shënjestrën e drejtësisë ngjan si më e dorëzuar dhe pret zhvillimet e mëtejshme për veten. Se si do të vejë halli i ‘nepotizmit’ të tyre në Partinë e Lirisë, ende mbetet mister, pasi nganjëherë dhe aktrimi arrin nivelet më të paimagjinueshme. Dhe me sa duket shqiptarët nuk shqetësohen fort, as për mirë e as për keq. Thjeshtë argëtohen.

Ajo që dimë është se SPAK është më se i vendosur për t’i shkuar në fund hetimit të këtyre dosjeve të rënda, jo vetëm për Metën e Kryemadhin, por dhe për Berishën dhe familjarët e tij, bashkë dhe me zyrtarët dhe ish zyrtarët e tjerë të lartë. Pandëshkueshmëria në këtë vend duket se do të marrë fund njëherë e mirë, nuk pyet SPAK as për emër, as për kërcënime dhe as për fuqi politike. Ka mbështetjen e SHBA, BE dhe Britanisë. Por dhe shqiptarëve

Mbi të gjitha, ajo që presin të gjithë shqiptarët është se përpos dënimit për zullumet e shumta në kurriz të Shqipërisë, zyrtarët e korruptuar të ‘dorëzojnë’ dhe paratë e pasuritë e vjedhura. Edhe Meta e pret një gjë të tillë, kur thotë se nuk pyet për ‘SPAK-un torollakun’ nëse i merr vilat, shtëpitë apo ndërmarrjet, madje dhe nëse e fut në burg. Do vendosë krevatin te nën Selivija apo në selinë e PL, ose do ta rrëzojë regjimin nga burgu. Pra mban me gajret veten se nuk e ‘rruan as për SPAK e as për burg’, pavarësisht se dhe SPAK ka treguar se nuk e rruan për asnjë politikan të korruptuar. Dhe Meta nuk është budalla, ndoshta bën si shejtan budalla. Por ne të paktën po shpresojmë se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend do marrë fund..

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares