Jakin Marena

Jakin Marena: ‘Beleri’, pafuqia e Athinës dhe kandidatët ‘ad hoc’ për Himarën

12 Janar, 19:32| Përditesimi: 12 Janar, 21:39

  • Share

Fredi Beleri si kryetar i zgjedhur për bashkinë e Himarës është ‘litari jashtë’ i lënë nga Sali Berisha përpara se të futej në ‘ingranazhet’ e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, teksa aktualisht është nën arrest shtëpiak si i akuzuar për korrupsion pasiv.

I kyçur në pallatin e ‘pushtuar nga familja e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, ndonëse banon në katin e katërt të këtij pallati, ‘këngën’ e tij kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama përpara 20-30 ithtarëve të mbetur që duket sikur luten me sytë nga qielli, e bën nga ‘papafingoja’ e katit të tetë.

Pasi kati i katërt me sa duket korrespondon me banjon dhe nuk ka si ‘ligjëron’ për përmbysje të mëdha dhe revolucione që fshijnë regjime nga banjo. Mban ‘erë’ që në krye të herës një lëvizje e tillë e tij, që do ta kishte burimin nga banjoja e shtëpisë.

Thamë që në krye të herës se Beleri është ‘litari jashtë’ i lënë nga Berisha, pasi duke e ditur fatin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar për pushtetin vendor, pra se do të shënonte një humbje të thellë opozita sikurse ndodhi, e gjeti të udhës që të kandidonte pikërisht njeriun për të cilin ka lëshuar akuzat më të rënda ndaj tij, si anti-shqiptar, vrasës ushtarakësh shqiptarë dhe si të vënë në shërbim të të gjitha rrymave radikale greke. Dhe jo pa të drejtë.

Por duke përzgjedhur mes të gjithë emrave pikërisht Fredi Belerin, Berisha shpresoi që të sillte një përplasje të mundshme mes Shqipërisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe Greqisë të drejtuar nga ana e Kyriakos Mitsotakis. E di sensibilitetin grek për Himarën, pasi e ka provuar dhe më parë, kur riktheu në skenë përplasjen e organizuar nga radikalët grekë, teksa PD në atë kohë mbështeti Bollanon.

Dhe duket se ia ka arritur deri diku të ngrejë tensionet në Athinë dhe të përkeqësojë marrëdhëniet greko-shqiptare, pasi Beleri duke qënë se nuk fitonte dot në një përballje të drejtë me rivalin e tij përfaqësues të mazhorancës socialiste, veproi siç di vetë ai.

Në fillim premtoi gjatë fushatës përhapjen dhe konsolidimin e helenizimit në Himarë, premtoi pasaporta e shtetësi greke për ata që e votonin, por solli me mbështetjen e qarqeve të caktuara greke, deri dhe te shërbimet e sigurisë dhe autobusë me emigrantë për të votuar për të në Himarë. Shtuar këtu dhe fushatën që bënë dy kryetarë bashkish të mëdha në Greqi, njëri prej të cilëve i afërt i Mitsotakis, të cilët erdhën në Himarë e bënë thirrje për të votuar Belerin. E që në mënyrë të habitshme në zgjedhjet në Greqi për pushtetin vendor, ata humbën në mënyrë spektakolare.

Duke shfrytëzuar dhe ‘gjumin’ e theksuar të kandidatit socialist për Himarën, i cili ishte ‘kaluar’ dhe e quante thuajse të sigurtë fitoren përballë një njeriu të tillë të cilësuar si anti-shqiptar si progonatasi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të udhëhequr nga Berisha, teksa pa se prap nuk e kishte të garantuar fitoren, filloi dhe të ‘dorovisë’ lart e poshtë votuesit himarjotë me lekë në këmbim të votës.

E thotë organi i akuzës për këtë, pasi vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 14 majit e arrestoi në kushtet e flagrancës për korrupsion zgjedhor, dhe prej afër 8 muajsh është i mbyllur në qeli nën këtë akuzë. Gjykatat e të gjitha niveleve, e kanë lënë në burg, ndërkohë që kanë vendosur se nuk mund të betohet si fitues, pa u dhënë vendimi përfundimtar i formës së prerë për akuzën për të cilën është në qeli.

Dhe siç ishte parashikuar nga Berisha që la ‘litarin jashtë’ arrestimi i Belerit për korrupsion zgjedhor, ndonëse në kushtet e flagrancës, ngriti një stuhi sulmesh në fillim nga media greke afër qeverisë dhe më pas nga ‘peshat e rënda’ të politikës greke, deri tek vetë kryeministri Mitsotakis.

Veproi hapur Athina zyrtare në shenjë hakmarrjej, jo si grekët në vakti. Kryeministri Mitsotakis nuk ftoi homologun e tij Rama në një takim informal në Athinë në kuadër të përvjetorit të nismës për integrimin e Ballkanit në BE, duke e shoqëruar këtë akt dhe me dërgimin e ministrave për të vizituar Belerin në burg apo duke përdorur në lobimin në BE dhe kërcënimin se do të bllokojë procesin e intergimit të Shqipërisë në Unionin Evropian.

Deklaratat e Mitsotakis ishin të ashpra në drejtim të Shqipërisë dhe qeverisë së saj, duke vënë si kusht lirimin e menjëhershëm të Belerit nga burgu si dhe betimin e tij në krye të bashkisë së Himarës, si kusht për të mos venë veton për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ndonëse nuk hasi në një gjuhë të ashpër apo veprim proporcional nga Rama, i cili e priti me të gjitha nderet në takimin e zhvilluar në Tiranë në samitin e BE-Ballkani Perëndimor, përgjigjia e Tiranës zyrtare ishte se gjithçka është në dorën e drejtësisë dhe jo të politikës. Dhe akoma më tepër, duke nënvizuar se drejtësia e re dhe mospërzierja e politikës në punët e saj, sikurse dhe ka devizë sëpaku mazhoranca socialiste, është një nga kushtet e vëna nga vetë BE që Shqipëria të përparojë në bisedimet për anëtarësimin në BE. Pra është kusht dhe nga Greqia si vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Kartën e vetos për negociatat Greqia e përdori dhe në Bruksel, duke paralajmëruar se pa Belerin jashtë burgut, s’ka bisedime për procesin e integrimit në BE për Shqipërinë. Të gjitha këto lëvizje, Mitsotakis i bëri nën justifikimin se po shkelen të drejtat e minoritetit grek në Himarë, anipse Himara s’është zonë minoritare dhe për më tepër që Beleri është në burg e po gjykohet si blerës votash dhe jo si minoritar. Megjithëse duhej të ishte gjykuar dhe për veprimtarinë e tij anti-shqiptare dhe masakrën e Peshkëpisë.

Por pikërisht këtu qeveria greke humbi të gjitha pikët e mundshme si dhe tregoi pafuqinë e saj. SHBA deklaroi qartë dhe prerë se kjo çështje është në dorë të drejtësisë së re shqiptare dhe duhet të hetohet e gjykohet si të gjithë qytetarët e tjerë, pa ndërhyrje politike apo ndërshtetërore.

Goditja e dytë erdhi nga vendet e BE, ku që në fillim kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se kjo çështje i përket drejtësisë dhe marrëdhënieve bilaterale, ndaj s’do lejohej për asnjë moment që të bëhej çështje e BE. Për më tepër kancelari gjerman deklaroi se për marrëdhëniet dypalëshe mes shteteve, nuk mund të lejohej bllokimi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për ta bërë më të qartë se e drejta e vetos ndonëse ende nuk është hequr, nuk do të ‘pijë ujë’ më në vendimmarrjen e BE pasi ka bllokuar procese politike e ekonomike, nën udhëheqjen e Scholz, dhe të mbështetur nga Spanja, Franca dhe vendet e tjera të cilët iu kundërvunë pretendimeve të qeverisë greke ndaj Shqipërisë për Belerin, BE bëri një ‘test’ domethënës, teksa mori një vendim në favor si union pavarësisht kundërshtisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban. I cili për të mos dalë keq para BE, shmangu votën kundër, duke mos marrë pjesë fare në votim. Pavarësisht se më parë mund të quhej veto kjo e Hungarisë, në këtë rast nuk u mor fare parasysh nga BE.

Sinjali ishte i qartë për qeverinë greke, se s’do ketë asnjë lloj vetoje për bllokimin e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE, por dhe një sinjal për Bullgarinë që nesër të mos bllokonte më Maqedoninë e Veriut, pasi nuk do merrej parasysh vetoja e saj. Kjo ishte një shuplakë e fortë për Greqinë, në përpjekjet e saj për të ushtruar presion ndaj Shqipërisë, por dhe për të bërë si lidere e rajonit. Pozicion që tashmë e ka humbur.

Një reagim i tillë nga SHBA dhe BE që mbështeten qeverinë e Ramës, duke ia lënë çështjen “Beleri” vetëm drejtësisë, bëri që Athina zyrtare t’i hiqte një ‘tullë’ pretendimeve të saj për Himarën, duke kërkuar jo nxjerrjen nga burgu të Belerit në mënyrë urgjente sikurse e kishte kërkuar më parë në mënyrë ultimative, por ta lejonin sëpaku të betohej si kryetar bashkie në Himarë. Qeveria greke ia kërkoi Ramës këtë.

Por dhe avokatët e Belerit e kërkuan në të gjitha shkallët e gjyqësorit lejen për betimin, duke marrë njëherësh dhe në të gjitha këto shkallë gjyqësori përgjigje negative. Ndonëse qeveria greke tentoi ta fuste në ‘hullinë’ politike këtë kërkesë të saj të dytë, sërish kryeministri Rama ishte i prerë për respektimin e pavarësisë së drejtësisë së re, sikurse e kanë kërkuar dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania. Pa bërë asnjë cedim në këtë drejtim. Pasi ka dhe shembuj të qartë se mazhoranca socialiste kishte në qeli ish kryetarë bashkish, ish ministra dhe ish deputetë, deri dhe një zv.kryeministër në ndjekje penale, e s’ka bërë asnjë ndërhyrje për t’i mbrojtur. Madje as ka tentuar. Përkundrazi ka mbështetur drejtësinë, sikurse deklaron vetë Rama që ‘t’i nxjerrin ujin e zi korrupsionit”.

Teksa u tregua e pafuqishme me presionin e dytë ndaj drejtësisë së re dhe qeverisë shqiptare, qeveria greke hoqi dhe një ‘tullë’ tjetër në pretendimet e saj. Tani kërkon emërimin e një minoritari në krye të bashkisë së Himarës, deri në momentin kur të jepet vendimi për Belerin. I cili për qeverinë greke tashmë s’ka gajle që të ‘presë thumba’ në burg, pasi është jashtë ‘radarit’ të interesit të saj, i intereson vetëm marrja e drejtimit të bashkisë së Himarës, dhe jo Beleri.

Por qeveria greke ka habitur me skenarin e saj për të pasur në dorë qeverisjen e Himarës nga një njeri i mbështetur nga Athina. Ka nisur të hedhë në tregun e politikës emra kandidatësh ‘ad hoc’ për qeverisjen bashkisë së Himarës.

Përtej faktit se kjo është një ndërhyrje e pastër e Greqisë në punët e brendshme të një shteti fqinj, pra Shqipërisë duke kërkuar të emërojë në krye të Himarës një njeri të vetin, mundësisht emrin e përzgjedhur nga vetë Athina zyrtare, ajo që të habit është fakti se sponsorizon në mediat greke afër saj dhe lajme sikur është biseduar mes Mitsotakis dhe Ramës, që në krye të Himarës deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata për Belerin, të emërohej ish deputeti socialist dhe i LSI, dhe ministër i Shëndetësisë më pas, Vangjel Tavo. Pa asnjë lidhje me Himarën për hir të së vërtetës, pasi është me origjinë nga Vodhina e Dropullit.

Mediat greke afër qeverisë ‘emëruan’ për një qeverisjen e Himarës, një dropullit. Në fillim ishte vetë Tavo, i cili deklaroi publikisht që jo vetëm se nuk e kishte kontaktuar kryeministri Rama për të marrë drejtimin e Himarës, por se s’ka as dëshirë ta bëjë e do refuzojë dhe sikur t’ia kërkojnë.

Ndërkohë që dhe vetë Rama në një konferencë shtypi për mediat deklaroi se “Vendimi i GJKKO ishte pozitiv në këndvështrimin tim edhe për një hapësirë që krijon por së pari njëherë nuk është vendim i formës së prerë do presim të marrë forma të prerë, s’mund të veprojmë me një vendim të shkallës së parë. Të gjitha këto të tjerat që kanë qarkulluar kanë si burim median greke, as median shqiptare as qeverinë as zyrën time.

Kështu që unë nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke pa më pyetur dhe mua. Janë emra historira që unë i kam parë në median shqiptare të marra nga media greke. Është pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta portale televizioni ose kur t’u jepet rasti pyesni autoritetet greke. Unë di që ne presim vendimin e formës së prerë”. Një deklaratë e pastër se nuk ka dhe s’do ketë diskutime për emra.

Por nga ana tjetër, mediat greke afër qeverisë së Mitsotakis sërish ‘furnizuan’ publikun grek dhe atë shqiptar përmes mediave shqiptare, me emra të tjerë, gazetarësh e jogazetarësh, si kandidatë për të drejtuar përkohësisht Himarën deri sa të merrej vendimi për Belerin.

Të gjitha këto ‘pirueta’ të Athinës zyrtare për Himarën, jo më për Belerin tashmë, i cili është në dorë të drejtësisë së re shqiptare, kanë një qëllim. Sëpari për të ushtruar presion ndaj qeverisë shqiptare dhe për të treguar se për Himarën s’mund të vendosë pa pasur konsensusin e Greqisë, pavarësisht se shanset e ndikimit janë zero. Por që është një ndërhyrje e pastër në punët e brendshme të vendit tonë.

Nga ana tjetër është dhe një lëvizje me goditje të largët në dy qëllime kryesore: Përpjekjen për të krijuar precedentin e Veriut të Kosovës dhe në jug të vendit, gjë që është jo e vështirë por tërësisht e pamundur që të ndodhë. Si dhe ushtrimin e presionit ndaj Shqipërisë, teksa po afrohet diskutimi për kufirin detar, i cili pas bisedimeve mes palëve do të shkojë në Hagë për të marrë zgjidhjen përfundimtare.

Me sa duket Greqia është trembur nga mbështetja që aleatët e mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania i dhanë qeverisë së Ramës dhe Shqipërisë për rastin “Beleri”, duke arritur deri aty sa të lënë vetëm dhe t’i kundërvihen një vendi anëtar të BE dhe nga vetë BE. Ndaj po përpiqet që nëpërmjet presionit, goditjeve ‘poshtë brezit’ me këta kandidatët ‘ad hoc’ për të drejtuar Himarën, që në përballjen për kufirin detar të përfitojë sa më afër pretendimit të saj.

Me sa duket qeveria greke ka arritur të shohë pafuqinë e saj për të ndikuar në rajon, për të pasur me vete aleatët e mëdhenj kundër Shqipërisë sikurse i ka pasur më herët. Aleatët janë në anën e Ramës. I ka mbetur vetëm një aleat për këtë qëllim, dhe ky është Sali Berisha në Tiranë, lideri i “Foltores”. Por dhe ky është në hall për vete, i shpallur “non grata” dhe tashmë është dhe nën arrest shtëpie, në pritje të gjykmimit për akuzat që ka në ngarkim momentalisht dhe ato që mund të startojnë në të ardhmen.

Betejë e humbur nga Athina, pasi Shqipëria nuk është më ajo e para shumë viteve, është faktor stabiliteti në rajon dhe si e tillë shihet nga aletët tanë të mëdhenj./Java

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?