Gazment Bardhi

Jakin Marena: Bardhi çoi në SPAK dosjet e ‘Babit të Zenit’ dhe vilës së Nokës?!

2 Prill, 19:56| Përditesimi: 2 Prill, 19:59

  • Share

Kryetari i grupit të deputetëve të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka shkaktuar bujë me deklaratat e tij të dyzuara në lidhje me vajtjen në SPAK për të denoncuar çështjen “Xibraka”, thjeshtë dhe vetëm për të përmendur emrin e Olsi Ramës si të implikuar.

Janë bërë objekt humori deklaratat e tij për një ‘burrë të gjatë, me flokë të zinj e të qethur shkurt, me moshë 45 vjeç”, që sipas Bardhit ka lëvizur me një automjet me të akuzuarit për këtë çështje dhe që ky njeri me këto cilësi duhet të jetë me patjetër Olsi Rama. Paçka se automjeti figuronte në emër të dikujt tjetër që Bardhi e njeh fort mirë!

Nuk përbëjnë çudi deklaratat e dyzuara, të përçarta apo dhe që kundërshtojnë që në fillim të herës njëra tjetrën, nga ana e Gazment Bardhit, i cili herë kërkon të bëjë juristin dhe kur nuk ndrit asgjë në këtë ‘sektor’, rikthehet të bëjë Sali Berishën, duke tentuar ta imitojë në akuzat e tij ndaj kundërshtarëve politikë.

Bardhi tentoi të gjente ‘armikun’ e duhur për ta pasur si ‘kalë beteje’ në përpjekjen për të qënë në krye të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, në përbërje të Rithemelimit. Pavarësisht se u bë objekt humori.

Fundja për këtë arsye e ‘drodhi belin’ Bardhi, duke kaluar nga PD zyrtare dhe numri dy i partisë së Lul Bashës, në grupin e Foltores te Sali Berisha, grup i cili anipse ka deri më tani më shumë mbështetje tek demokratët, është pa emër, pa vulë dhe nuk njihet zyrtarisht. Aq sa nesër të bëhen zgjedhje, do t’i duhet t’i lusë ‘fundin’ e shpirtit Ilir Metës për ta përfshirë nën “çatinë” e Partisë së Lirisë që të garojë zyrtarisht në zgjedhje.

Bardhi e ka të vështirë të imitojë jo vetëm Berishën sa të jetë gjallë ky i fundit, pasi populli demokrat kur ka origjinalin s’ka pse kthehet tek kopja e keqe e tij, por nuk arrin të imitojë as veten, për shkak të “piruetave’ të befta dhe në një hark të shkurtër kohor që ka bërë këto kohët e fundit, aq sa kalimi i “ylberit’ politik për të është bërë thjeshtë një rutinë.

Njëherësh Bardhi me këto lëvizje, kërkon që të mbajë një ‘sy’ dhe një ‘vesh’ tek posti i kryetarit të Foltores, pasi Berisha në moshë të thyer dhe nën arrest shtëpiak, është më i brishtë se kurrë. E themi këtë sepse,  edhe nëse e përballon fizikisht situatën e krijuar për shkak të akuzave të forta të SPAK për korrupsion, por dhe për hapjen e dosjeve të rënda të ’21 janarit’, aferës CEZ-DIA e deri te hetimi i pasurisë përfshirë dhe sponsorizimet e Rusisë ndaj PD për destabilitet në Shqipëri e rajon, është thuajse e sigurtë që ai nuk do të arrijë t’i shpëtojë arrestit, në qeli ose në shtëpi.

Ndaj Bardhi po bën të pamundurën që në njërën anë të duket i ashpër si Berisha, i njëjtë si ai në akuzat pa asnjë bazë që bën ndaj kundërshtarit politik, mundësisht për ato akuza për të cilat është dhënë verdikti i drejtësisë njëherë, për të krijuar mjegullnajë por dhe për të mos hapur njëherësh ndonjë hetim real për atë që kërkon, ndërsa në anën tjetër po punon fort për qëllimin e tij final, marrjen e kontrollit të Foltores, teksa në horizont janë shfaqur e po shfaqen gjithnjë rivalë që mendohet se e pengojnë në arritjen e këtij ‘finishi’ politik.

Këtu e kanë zanafillën të gjitha akuzat e Gaz Bardhit për “Xibrakën”, deklaratat se zotëron tërë dokumentacionin e mundshëm që implikon dhe vëllain e kryeministrit, dhe kur vjen puna për t’i bërë publike, pa kaluar 12 orë nga artikullimi i këtyre akuzave e qëndrimeve, në sytë e publikut në një ndër emisionet më të shikuara për shqiptarët, tërhiqet duke thënë se ka bërë thirrje për rihapjen e çështjes dhe për këtë ka dhënë disa indicie.

Deklarata këto që janë bërë dhe në kushtet kur të gjitha ‘provat’ dhe ‘faktet’ i janë hedhur poshtë me prova dhe fakte nga gazetarë terreni, të cilëve në ndryshim nga moderatorët, nuk u shmanget dot, pasi ata e prekin lajmin me dorë dhe nuk cedojnë në këtë drejtim. Këtu u ndje keq Bardhi, i cili ka tentuar ta kalojë sa me humor sa me ‘pirueta’ situatën e sikletshme para publikut, para të cilit pa kaluar 12 orë nga akuzat, u detyrua t’i tërhiqte ato.

Por meqë nata nuk është vetëm për gjumë por dhe për pak reflektim, Bardhi, i ndjerë i poshtëruar nga shuarja e të gjitha akuzave dhe tërë strategjia e ngritur prej tij për të zgjedhur ‘armikun’ e duhur për ta pasur si ‘kalë beteje’ për të ardhmen, mendoi të bënte një shou tjetër, ashtu në mënyrë të dyzuar dhe mbajtur ‘kauzën’ e tij në këmbë. Dhe fiktivisht. Bardhi është këmbëngulës, e ka për jetë a vdekje atë copë mandati deputeti dhe synimin për të kapur lidershipin e Foltores në periudhën post-Berisha.

Lajmëroi mediat dhe shkoi në SPAK, por për habinë e të gjithëve nuk bëri asnjë padi. Ndonëse deklaroi se kishte prova e fakte që mund ta rithenin sërish “Xibrakën” nën një hetim të zgjeruar. Bardhi shkoi në SPAK për t’i kërkuar institucionit më të lartë të hetimit që SPAK që të bëjë padi për vëllain e kryeministrit. Sipas tij ka dhënë indicie për rihetim të kësaj çështjeje.

Dikush e cilësoi këtë lëvizje të Bardhit si një përpjekje për të dalë nga rrethi vicioz ku e kishte futur veten me këto lajthitje juridike për praninë e ‘një burri të gjatë, të qethur shkurt, me flokë të zeza dhe 45 vjeç”, i cili i kishte përngjarë me Olsi Ramën.

Dikush tjetër e cilësoi një përpjekje të Bardhit për t’i bërë qejfin Berishës, i cili e ka humbur lidhjen me realitetin, pasi prej dhjetorit të vitit të kaluar është izoluar nën arrest shtëpiak në pallatin e tij, dhe duke pasur të vetmen dritare komunikimi me botën majën e ballkonit njëherë në ditë, dhe ato që i thotë Flamur Noka ashtu siç i do vetë Berisha. Pra ka dashur t’i bëjë qejfin ‘plakut’ të cilin mendon se mund ta mashtrojë dhe me këto akuza që s’janë akuza, pasi i rrëzohen pa mbushur akoma 12 orë dhe mbi të gjitha e pranon dhe vetë Bardhi.

Por ka dhe një variant tjetër, që po zë vend gjithnjë e më shumë në koridoret e Foltores dhe Rithemelimit. Kjo ka të bëjë me përpjekjet e Bardhit për t’i shkurtuar kohën Berishës në krye të këtij grupimi politik dhe për të marrë vetë në dorë fatet e Foltores. Se koha po ecën me shpejtësi dhe zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm janë në prag.

Me Berishën në majë të ballkonit që mundohet të mbajë të lidhur pas vetes demokratët ithtarë, me Argitën nëpër këmbë që merr çdo mungesë në tubimet gjithnjë e në sosje në “rrugicën e Salës”, me Flamur Nokën po nëpër këmbë që çon tek Berisha gjithçka ndryshe nga mesazhet e kreut të grupit të deputetëve të Rithemelimit, Bardhi po ngutet gjithnjë e më shumë në përpjekjen e tij për të marrë drejtimin e gjithë grupimit politik pa emër dhe vulë.

Ndaj kanë nisur të dalin zërat e parë se Gazment Bardhi jo vetëm që s’ka asnjë provë dhe fakt për të rikthyer hetimin për çështjen “Xibraka” që të implikojë Olsi Ramën, por po ia punon pas shpine vetë Berishës që ta shohë sa më shpejt përballë gjykatës që të marrë dënimin për të gjitha akuzat që janë artikuluar zyrtarisht në kurriz të tij.

E thënë më shqeto, Gaz Bardhi nuk shkoi në SPAK për të bërë kallzim penal ndaj Olsi Ramës, gjë e cila u verifikua botërisht se nuk e bëri, e deklaroi dhe vetë se bëri vetëm një thirrje ndaj SPAK që ta hetojë, por thuhet se Bardhi shkoi në SPAK për të pyetur se deri ku kanë shkuar hetimet për “Babin e Zenit”. I duhet për të matur kohën politike se sa do jetë në krye të Foltores Berisha, në mënyrë që të kalkulojë strategjinë e ardhshme në funksion të qëllimit të tij final. Pasi ndonëse nuk e artikulon më akuzën për “Babin e Zenit”, po mendon dhe punon në mënyrë të nëndheshme në funksion të akuzave të hedhura kundër tij, sa ishte me Bashën.

Ndërkohë, meqë shqiptarët e kanë si zakon që të bëjnë ‘një rrugë dhe dy punë”, Bardhi është interesuar dhe për fatin e “vilës mbi 700 milionë euroshe të Flamur Nokës në Gjirin e Lalzit”. Ndoshta ka pyetur se a ka filluar hetimi, deri ku kanë ecur hetimet për vilën e rivalit të tij për të qënë dyshi i Foltores, dhe për të përfituar sapo t’i ‘shkasë’ këmba Doktorit. Ka dhënë dhe ndonjë ‘indicie’ për dosjet e rënda të “Babit të Zenit” apo rivalit të tij, Mul Nokës.

Këto janë lajmet më të reja që ‘vibrojnë’ koridoreve të Foltores dhe të grupit të deputetëve të Rithemelimit, në lidhje me kallzimin e dështuar të Bardhit në SPAK ndaj Olsi Ramës dhe kamuflimit të këtij ‘udhëtimi’ publik të Bardhit deri në SPAK, të interesimit për shpejtësinë e groposjes ligjore të Berishës për t’i zënë vendin.

Në pamje të parë, mund të themi se Bardhi nuk e ka menduar keq një gjë të tillë. Madje ka të drejtë të pretendojë për të zënë postin e drejtuesit të Foltores. Ka bërë shumë ‘pirueta’ dhe një dalje bosh në këtë qëllim, do të ishte katastrofë politike për të. Por ajo që nuk ka menduar Bardhi me sa duket është se ka përballë Berishën, që është një ‘skile’ e vjetër e politikës.

Besoj se dikush duhet t’ia thotë se kur Berisha bën sikur nuk kupton asgjë, është shumë më i rrezikshëm, sepse kur lëshon më pas ‘dorën e rëndë’ mbi të vetët, e ka menduar e peshuar mirë. Tani bën sikur nuk kupton dhe hesht nga halli. I duhen ato numrat në Parlament që ka sjellë Bardhi me vete, i duhen për të demonstruar ‘muskuj’. Por në të gjallë të tij, Berishës brenda PD nuk i merr askush asgjë, dhe sikur t’i takojë. Ndërsa t’i marrin grupimin politik ‘qyl’ fare, madje dhe duke i punuar kundër, as që mendohet. Berisha është shtrydhës, jo i shtrydhur nga të tijtë.

Gjithsesi ajo që mund të themi është se Bardhi dështoi dhe në ‘sektorin’ e tij, jurisprudencën, teksa u nis për të bërë kallëzim në SPAK dhe përfundoi në thirrjen ndaj SPAK që të hetojë për “Xibrakën”. Por ama shpresojmë të këtë marrë ca info se deri ku ka mbërritur hetimi penal për për “Babin e Zenit” dhe vilën e Mulit. Nuk janë pak këto, për një politikan si Bardhi, që njeh vetëm zyrën dhe studiot televizive.

Por ama nuk ka llogaritur dhe një gjë fare të ‘vogël’ në akuzat për “Xibrakën”: Reagimin e fortë të Olsi Ramës, të cilin e ka akuzuar pa asnjë provë dhe fakt, por thjeshtë me të dëgjuar dhe me përngjasime, i cili ka ngritur padi ndaj Gaz Bardhit për shpifje. “Ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazment Bardhi duhet të ndiqet penalisht”, reagon mes të tjerave Olsi Rama, duke treguar qartë se është më se i vendosur për t’i dhënë fund njëherë e mirë të gjitha akuzave në kurriz të tij, thjeshtë dhe vetëm se është vëllai i kryeministrit dhe për t’ dhë fund njëherë e mirë shipfjeve që bëhen në kurriz të tij.

Llogarinë me këtë padi duhet të bëjë Bardhi, të cilin nuk e mbron asnjë studio televizive dhe sikur të rrijë natë ditë aty, po nuk pati asnjë provë dhe asnjë fakt në dorë. Nuk thonë kot ‘ruaju reagimit të të urtit dhe të heshturit, se të përvëlon pasi ka gjithnjë të drejtë”. Se çfarë pati Bardhi se kuptojmë. Duke pasur në ‘dorë’ dhe një vendim gjykate të dhënë ndaj ish shefit të tij Basha për të njejtën çështje, duke qënë se Olsi Rama po qëndronte në punë të vet në krye të klubit të futbollit “Partizani”, ca pati Bardhi që pa asnjë provë dhe fakt në dorë, rinisi akuzat që i kishte lënë madje dhe shefi i tij i vjetër dhe i ri Sali Berisha. Kësaj t’i bëjë derman Bardhi. Pasi Berishën aty do ta ketë, në majë të ballkonit për shumë e shumë kohë, maksimumi do ‘lëvizë’ nga shtëpia në qeli./Java

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?