Sali Berisha

Jakin Marena: Dikur ‘ndaheshin’ për një pako kafe, sot për të shpëtuar pasurinë

3 Maj, 19:09| Përditesimi: 3 Maj, 19:14

  • Share

Në kohën e komunizmit gjithkush bënte një përpjekje, brenda rregullave që të mos të kapte ligji i atëhershëm apo ‘neni 55’ i agjitacion prapagandës, për të mbijetuar si familje.

Në të gjitha hapat që hidhje në atë kohë duhej të ishe i kujdesshëm, pasi nëse do të shfaqje dhe rezervën më të vogël për mosfunksionimin e sistemit komunist, apo jetës së ‘lumtur e të begatë’ që promovohej, menjëherë fillonin përndjekjet, linçimet e në fund burgu e internimi familjarisht, nën akuzën se i je kundërvënë pushtetit të popullit. Shpalleshe armik me një fjalë.

Asokohe burgjet e komunizmit, duke filluar nga Spaçi, vazhduar me Burrelin dhe me burgjet e tjera famëkeqe në të gjithë vendin, ishin tejmbushur dhe me ‘armiq’ të këtij lloji, të cilët kishin shfaqur pakënaqësinë e mungesës së ushqimit, pamundësisë së “tollonit’ për të mbuluar nevojat familjare me ushqimet bazë, bukën e keqe, bukën e misrit gjithë vitin, nivelin e ulët të pagave nëpër kooperativat bujqësore apo dhe ankesa të tjera të këtij lloji.

Mund të themi se shumica e të dënuarve apo të internuarve në atë kohë ishin nga kjo kategori. Pak ishin ata që i ishin kundërvënë me bindje dhe me teza komunizmit dhe udhëheqësit komunist Enver Hoxha. E themi këtë pasi ka dhe nga ata që kanë vdekur me emrin e Enverit në gojë, duke fajësuar nivelet e PPSH dhe të qeverisjes poshtë tij si shkaktarë për këtë gjendje të mjerueshme në të cilën ishte zhytur Shqipëria, në atë periudhë të zezë izolimi gjatë regjimit komunist, ku as ‘miza’ nuk lejohej të dilte e të hynte. Nuk i shpëtonte ‘syrit vigjilent të partisë’ dhe armës së ‘dashur’ të saj, Sigurimit të Shtetit.

Ka dhe politikanë të nivelit të lartë, duam apo s’duam ne, që e dinë mirë këtë punë, pasi kanë qënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit në atë kohë dhe nuk kanë lënë gjë pa spiunuar në radhët e kolegëve të tyre. Madje kanë qënë spiunë që në bankat e shkollës, vullnetarë dhe në ‘shërbim të partisë’ dhe pa ua kërkuar. Ndoshta këtë bindje kanë pasur se i shërbenin partisë dhe në këtë formë, ndoshta e kishin gjetur si rrugë për poste dhe një jetë më të mirë.

Nuk u ka dalë keq, në atë sistem por dhe në demokraci. Janë ‘përzgjedhur si me dorë’ për të bërë deputetin, ministrin, zv.ministrin apo poste të tjera të rëndësishme. Janë të manovrueshëm sepse kërcënoheshin me dosje. Madje çdo lider partie që ia ka ditur ‘kimetin’ kësaj punë, në mos ka qënë dhe vetë bashkëpunëtor i Sigurimit, njerëzit më të besuar në postet më të rëndësishme ka pasur pikërisht nga ky kontigjent. Nuk po përmendim emra, të gjithë e dinë se kush janë, por po flasim në parim, pasi nuk është ky objekti i këtij shkrimi.

Që të kthehemi tek gjetja e mënyrave për të mbijetuar në komunizëm e për t’i bërë ballë nevojës për ushqime, strehim e punësime, shqiptarët ishin ‘inovatorë’ në gjetjen e shtigjeve të daljes nga sikleti. Halli të bvën të ‘eksplorosh’ dhe të pamundurën.

Kështu për të marrë zgjerim në pallat asokohe, jepeshin me autorizim atëherë kundrejt një qiraje modeste dhe ku pas vitit 1990 u lindi e drejta t’i blinin këto ambiente që kishin marrë për t’i bërë pronë të tyre, pra për të marrë zgjerim, shtohej familja me pasaportizimin në qytet të një familjari të tij. Zgjerohej familja, dhe po të bëheshin dy kurorë lindte e drejta të ishe në listën e pritjes për zgjerim banese.

Nëse kishe një shtëpi 1+1 dhe ishe dy kurorë në të njejtën banesë, atëherë bëhej ndarja dhe automatikisht çifti i ri futej në listën e nevojtarëve për të marrë hyrje të re në një pallat të ri, apo të vjetër sipas mundësisë, fuqisë dhe prioritetit për të ndërtuar në atë qytet.

Ndahej dhe burri nga gruaja, një pjesë e fëmijëve shkonin me burrin, një pjesë me gruan, kryesisht të vengjlit për këtë të fundit, dhe kishte prioritet strehimi i një gruaje kryefamiljare. Megjithëse ndarja ishte fiktive, vetëm bëhej kujdes nga çifti që të mos lindnin fëmijë pas ‘divorcit’.

E njëjta situatë ndodhte dhe kur kërkohej të shtoheshin mundësitë për të marrë më shumë ushqim dhe elementë të tjerë të këtij lloji. Bëhej ndarja, dhe figuronin fiktivisht dy familje. Për pasojë automatikisht hynte në fuqi futja në listë jo një por dy familje, dhe për pasojë merrnin dyfishin e ushqimeve bazë në ‘dyqanin e partisë’.

Të rinjve të sotëm ju duket si përrallë apo lajthitje e brezit tonë që e kapëm dhe këtë periudhë të vështirë mbijetese, dikush e ka harruar nga vënia e pasurisë së vjedhur nga arka e shtetit, duke shfrytëzuar postin zyrtar në këtë periudhë . ‘Zengjini’ i ri babait të tij ia heq kokën të parit thonë.

Pra harrohet se janë ndarë ‘fiktivisht’ çifte dhe për të marrë një pako kafe më tepër, pasi vetëm një pako në muaj jepej, dhe kuptohet se çfarë cilësie ishte kafja turke që pihej në atë kohë në shtëpi. ‘Lëng gështetnjash’ thuhej asokohe. U fut dhe ‘kafja e elbit’ apo perzierja e saj, dhe me humor ata të ‘vdekurit’ për kafe e quanin ‘tagji kuajsh’.

I gjenin rrugët që përmenda më sipër, ‘ndarjen’ apo ‘divorcin’ me gruan apo dhe me gjysmën e kalamajve, vetëm që të siguronin dy tollona, me dy pako kafe, me dy pako oriz, dy pako sheqer, dy njësi mishi dhe gjëra të tjera të dyfishuara.

Dikush mund të pyesë se përse po e sjellim në kujtesë këtë kohën e komunizmit, me të gjithë vështirësitë e veta, ndërsa sot, ku më pak dhe ku më shumë situata ka ndryshuar rrënjësisht?

Po risjellim në kujtesë disa ‘inovacione’ të asaj kohe për të përballuar sadopak mungesën e elementëve bazë të jetesës, sepse dhe sot po shohim fenomene të tilla që po aplikohen fare hapur dhe në sytë e të gjithë shqiptarëve, por për një qëllim tjetër që nuk ka të bëjë me mbijetesën.

Kemi parë se si politikanë dhe zyrtarë të nivelit më të lartë, politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, të mesëm apo dhe të ulët janë dyndur nëpër dyert e gjykatave duke sajuar debate dhe përplasje fiktive për të realizuar një ‘ndarje’ apo ‘divorc’ me gruan, djalin apo familjarët më të afërt. Dhe në bazë të gjithë konfliktit të tyre është pasuria e përballja me drejtësinë e re.

Nuk ‘divorcohen’ sepse duan të bëjnë një ndarje të drejtë të pasurisë. “Ndarja’ mes tyre ka ndodhur apo pritet të ndodhë vetëm për shkak se duan që ta shpëtojnë këtë pasuri, të vënë pa asnjë mund dhe djersë, por të përfituar në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit e abuzimit me pushtetin. Atë pushtet që ka pasur kushdo zyrtar në këtë vend që ka bërë korrupsion, dhe po dëgjon nga larg ‘tringëllimën e prangave’, pasi mund të jenë ata përballë akuzës së SPAK apo prokurorisë. Sepse SPAK vepron sipas ‘stilit’ amerikan të hetimit, ‘ndiq paranë’.

Çfarë s’kemi dëgjuar këto kohët e fundit. Një kryetar partie, si Ilir Meta ka ‘ngrirë’ marrëdhëniet bashkëshortore me gruan e tij ish kryetare po e kësaj partie Monika Kryemadhi. Jeton në një hotel, luksoz thonë, dhe nuk ngurron t’i japë jetë lajmit përmes fotove të postuara se është në rrugën e ndarjes me gruan, përpos ndarjes politike që e bëri të qartë në Konventën e Partisë së Lirisë kur e la jashtë të gjitha forumeve dhe strukturave të saj.

Në disa media shkruhet se po bëhet një ‘zënkë’ publike fiktive mes Metës dhe Kryemadhit, për të shpëtuar pasurinë por dhe për të shpërqëndruar drejtësinë. Në fakt po hetohet për lobimet në Amerikë, ndërhyrjet estetike për t’u bërë të bukur dhe jo për të qëndruar në formatin që u ka dhënë Zoti, si dhe ndërhyrje në stomak për dobësim. Që kushtojnë goxha para dhe janë përtej të nivelit të përballimit me rroga shteti. SPAK po heton për këtë qëllim. Eshtë gjykata që shqyrton faktet e organit të akuzës, nëse qëndrojnë për të dhënë dënimin e merituar, nëse nuk qëndrojnë dhe për të dhënë pafajësinë. Ka dhe akuza të tjera që pritet të hetohen me themel.

Por ajo që po themi është se është dhënë sinjali për distancimin e këtij çifti nga njëri tjetri, çka po në media thuhet se është bërë dhe për të ‘shpëtuar’ të paktën njëri prej tyre nga akuzat e SPAK. Me një fjalë për të qënë njëri jashtë ‘rrezes’ së qelisë që të kujdeset për pjesën tjetër të familjes, financiarisht por dhe politikisht. Të shpëtohet ajo që është për t’u shpëtuar, duke u ‘sakrifikuar’ njëri në fund të herës. Koha do të vertetojë, nëse ka qënë aktrim apo i vërtetë procesi i ‘ngrirjes’. Urojmë që të ketë qënë dhe të jetë aktrim, askujt nuk ia urojmë ndarjen e familjes në dy pjesë.

Kemi një kryetar grupimi politik si Sali Berisha i Rithemelimit që është me ‘letra’ vetëm me bashkëshorten e tij Lirie. Madje jeton vetëm me pagën e deputetit, apo më parë me pensionin, pas djegies së mandatit të deputetit. Dhe një hyrje pallati që kishte në “Brrakë” e ka shitur dhe tashmë zyrtarisht s’ka asgjë, vetëm ‘rrobat e trupit’. Vila në Gjirin e Lalzit ku ‘vret’ vapën në verë apo pallatet në Tiranë e banesa të tjera të këtij lloji, në çdo cep të Shqipërisë janë në emër të djalit apo vajzës së tij. Djalit nuk i ka thënë njeri ‘puna e mbarë’ deri më sot, megjithëse është në të 40-tat, ndërsa vajza është ‘pasuruar’ rëndshëm në Kosovë, në dy tre vite që ka punuar andej. Megjithëse ish shefat e saj të huaj në Kosovë, as në ëndrrën më të bukur, nuk e kanë parë një pasuri të tillë që ka vajza e Berishës, ish vartësja e tyre. Vazhdojnë të punojnë për mbijetesë.

Ndërsa familja Berisha është nën akuzë për resortin me pallate, ku janë sekuestruar 35 pasuri të dhëndrit dhe vajzës së Berishës, dhe vetë Jamarbër Malltezi është nën arrest shtëpiak për pastrim parash, ndërkohë që vjehrri ish kryeministër Sali Berisha është nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv. Pra janë akuza publike, të cilat s’po i shpikim ne. Ndërsa vetë Berisha me bashkëshorten e tij, është për ‘gjynah’ zyrtarisht, i pastrehë, pa pasuri dhe jeton tek vajza. Jo si malësor në fakt.

Kështu kanë vepruar dhe të tjerë, janë ndarë fiktivisht për të shpëtuar pasurinë e vënë me abuzim, apo më e keqja për t’i shpëtuar burgut. Edhe duke ia kaluar tërë barrën e përgjegjësisë njërit prej familjarëve, në mënyrë që të shpëtohet pjesa tjetër, kuptohet më e madhe, dhe e pasurisë së vënë padrejtësisht. Se me rrogë nuk bëhesh i pasur. As gazetarët nuk bëhen të pasur me rroga, sado të larta të kenë qënë. Jo më të përballosh vila në resortet më të shtrenjta në vend, në bregdet dhe në Tiranë. Dhe jo vetëm një vilë. Nuk paguajnë dot as energjinë, ujin e mirëmbajtjen me ato paga, sado të larta të kenë qënë apo të jenë.

Por është vënë re se ky fenomen ka nisur të përhapet dhe në radhët e showbizit, gaztorëve apo aktorëve të tjerë, që në të vërtetë të vetmin aktrim kanë bërë atë me pasurinë. Këta nuk kanë vjedhur, nuk i akuzojmë kot. Por kanë përfituar ‘rentën’ e marrjes në ngarkim të pasurisë së ndonjë zyrtari të lartë të korruptuar, përmes kontratave të xhentëllmenëve. Por dhe të noterizuara në mënyrë sekrete. Dhe çfarë ‘rente’ se, mbi 20 mijë euro muaji, qyl fare, vetëm që të bëjnë si pasunarë.

Nuk ka ditë që të mos shkruhet për këto “ndarje’ apo ‘divorce’ të famshme, ku çifte të tillë deri para tre katër vitesh pa brekë në bythë dhe me rroga modeste e para modeste koncertesh kanë pasuri marramendëse që nuk vihen për një jetë të tërë me këto të ardhura. Nuk po i përmendim emrat e këtyre çifteve me gjoja ndarje mes tyre, një aktrim i gjallë, ndërkohë që përballë kanë një opinion publik që të paktën në kohën e komunizmit arithmetikën e kanë mësuar mirë dhe dinë t’i bëjnë llogaritë.

E kanë provuar dhe vetë se me rroga nuk mund të arrihet të kesh disa vila, shtëpi, komplekse estetike e palestrimi, lokale luksoze apo pasuri të tjera që një shqiptari të thjeshtë nuk ia rrok mendja. Madje as këtij kontigjenti vetë. Pavarësisht se mund t’i kenë vënë dhe në emër të nënës, gjyshes, gjyshit pensionist, që sa herë ka protesta, duke mos ditur sa i ‘pasur’ është, vjen dhe proteston për rritjen e pensionit, shan qeverinë dhe kryeministrin se nuk paguan për pensionistët.

Mund të themi se përballë ky kontigjent njerëzish, dhe aktruesish me ndarje apo divorce fiktive, kanë përballë një brez që ka parë si fenoment ndarjen e burrit me gruan, babait me djalin, gjyshërit me djemtë dhe vajzat e nipërit edhe për të përfituar një pako kafe më tepër në muaj, apo një tollon me ushqime më shumë. Nuk mashtrohen lehtë njerëzit me këto mënyra.

Shpresojmë që dhe SPAK ta dijë se ekziston ky “çelës kopil’ që hap derën e fenomentit për mbrojtjen e pasurisë së vënë me korrupsion, apo i mbron nga burgu. Shpresojmë që secili nga prokurorët e posaçëm të ketë në shtëpi apo të ketë njohur dikë që t’ia kujtojë se në komunizëm njerëzit janë ndarë dhe për një pako kafe më tepër, që të shohin se sot ndahen apo ‘divorcohen’ për të shpëtuar miliona eurot e përfituara në mënyrë abuzive apo kontigjenti tjetër që ndahen sepse paguhen nga këta maskarenj për të shpërndarë pasurinë në shumë duar, dhe për ta justifikuar dhe mbrojtur atë në fund të herës. Për të qëndruar jashtë ‘rrezes’ së burgut me një fjalë.

Prandaj është e udhës që krahas zyrtarëve të lartë të korruptuar, prokurorët të hetojnë dhe pasuritë e këtyre gaztorëve apo aktorëve që marrin në mbrojtje duke përfituar rëndë, pasurinë e vjedhur në arkën e shtetit nga ‘ustallarët’ e tyre, duke shërbyer thjeshtë si ‘bedelë’ në krye të këtyre pronave, sa për statistikë dhe regjistrim në zyrat e shtetit. Koha është për t’i marrë paketë sipas afrisë që kanë shfaqur e shfaqin dhe për t’i përballur me drejtësinë. Ndryshe të zë ‘haka’ e politikanëve dhe aktorëve të ndarë nga kjo jetë, që jetuan dhe vdiqen me ca divane të shtrembër të komunizmit. Apo ‘haka’ e të gjallëve që nga Ndrenika i madh e deri tek Tinka Kurti që jetojnë modestisht, që megjithëse në moshë të thyer edhe sot vazhdojnë të na mrekullojnë./ JavaNews

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?