Kronikë

Ja kush është Edmond Karriqi që u prangos sot nga SPAK, nga tërheqja e dosjes së drejtorit të Ilir Metës tek shkeljet në Durrës, si u ngjit në krye të Prokurorisë së Kukësit

30 Qershor 2021, 17:36| Përditesimi: 30 Qershor 2021, 19:39

  • Share

SPAK vijon goditjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në praktika korruptive, duke nisur krijimin e një historiku me hetime, arrestime dhe dënime, pikërisht ajo që është kërkuar nga Brukseli. Sot, me urdhër të SPAK-ut, është arrestuar kryeprokurori e përkohshëm të Kukësit Edmond Karriqi, bashkë me shoferin e tij Isuf Gega, pasi merrte para për të favorizuar personat nën hetim. Po kush është Edmond Karriqi dhe si u ngjit në krye të Prokurorisë së Kukësit? Karriqi ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës. Ai ka punuar në Prokurorinë e Durrësit, Kavajës, Kurbinit, Lushnjes dhe Kukësit.

Në vitin 2010, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme i propozoi Ina Ramës, në atë kohë kryeprokurore, ndëshkimin e prokurorit Edmond Karriqi për shkelje të kryera në fund të vitit 2019, kur ishte pjesë e Prokurorisë së Durrësit. Propozimi për ndëshkimin e prokurorit me vërejtje me paralajmërim u bazua në një raport të Drejtorisë së Inspektimit pas një kontrolli disamujor të dosjeve në Prokurorinë e Durrësit, ku gjeti shkelje. Megjithatë, nuk ka të dhëna nëse propozimi për ndëshkimin e prokurorit është pranuar apo rrëzuar, por në vitin 2012, Ministria e Drejtësisë akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme se nuk kishte ndëshkuar 59 prokurorë me shkelje. 

Në tetor në vitit 2017, Edmond Karriqi mori në dorë një dosje të ish-drejtorit të Aeroportin e Kukësit, Agron Xhafa, më pas kandidat për deputet i LSI-së, i cili kishte punësuar rreth 40 persona në Aeroportin e Kukësit, të cilët merrnin rrogën pa u paraqitur asnjë ditë në punë. Xhafa mbante postin e drejtorit nga janari i 2017 deri në momenti që u vu në listën për deputet në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Prokurorja Rita Gjati e kishte dërguar dosjen në gjykatë, duke kërkuar ndëshkimin e drejtorit të Ilir Metës dhe ish-drejtorit drejtorit Arben Carkanji. Burime të sigurta për Shqiptarja.com kanë bërë me dije se ndaj prokurores Rita Gjati është ushtruar presion i madh për mbylljen e dosjes flagrante, por prokuroja nuk u tërhoq, duke e çuar çështjen në gjykatë. Për këtë dosje, Rita Gjati u ndëshkuar më pas nga Adriatik Llalla, duke e transferuar në Tropojë. Prokurori që e zëvendësoi, Edmond Karriqi, befas tërhoqi dosjen nga gjykata, pas dy seancash gjyqësore më 5 dhe 16 tetor 2017. Më pas Karriqi mbylli dosjen, për të cilën do të japim detaje në vijim. 

Megjithatë, në 27 shtator 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të caktonte në mënyrë të përkohshme Edmond Karriqit në krye të Prokurorisë së Kukësit. Në 27 prill 2021, Karriqi, nga prokuror në Kukës, caktohet në Prokurorinë e Lushnjës. Në 18 qershor 2021, pra 12 ditë më parë, KLP-ja vendosi të caktojë sërish Edmond Karriqin përkohësisht në krye të Prokurorisë së Kukësit. Arsyeja se pse KLP-ja nuk e ka emëruar Karriqin përkohësisht dhe jo përfundimisht në krye të Prokurorisë së Kukësit, ka të bëjë procesin e Vetingut. Prokurori i Arrestuar nuk e ka kaluar procesin e Vetingut. Verifikimet për veprimtarinë dhe pasurinë e tij kanë nisur që në dhjetor të vitit 2019, por ende nuk ishte caktuar një datë për seancën dëgjimore, për t’u njohur me dosjen.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?