“Ivanov”, publiku sprovohet me Çehov, Çuli: Kam vite që e dua këtë shfaqje! Boriçi si “Hamleti i Rusisë”: Tentativë për një teatër të madh!

16 Tetor 2022, 16:46| Përditesimi: 16 Tetor 2022, 18:24

  • Share

Mbi tri muaj muaj përgatitje, e me një kast të përzgjedhur aktorësh, regjisori Hervin Çuli, rikthen në Teatrin Kombëtar Anton Çehov.  Pas suksesit me “Xhaxha Vanjan” (2006) e “Tri Motrat” (2016), publiku prej kësaj fundjave nis e vihet në provë me veprën “Ivanov”.  Skenografia e kostumet krijojnë një dezhavu të atmosferës së Rusisë së shekullit të 19-të.

Një dramë me katër akte, ku Çuli duke i qëndruar besnik dramaturgut, e përball spektatorin me rrjedhën monotone të jetës.

“Kjo është një nga ato shfaqje që unë kam vite që e dua. Është vdekja e intelektualit, ose më saktë, vetëvrasja e intelektualit”, thotë regjisori Hervin Çuli.

Vendos në pikëpyetje  përmes protagonistit Nikolaj Ivanov, ekzistencën e njeriut me aspirata intelektuale, në një botë ku banaliteti e ka të lehtë të zërë jo thjesht një qoshk, po vend qendror.

“Është një shfaqje e vështirë, ka trishtim, komicitet brenda. Një shfaqje e gjatë me dy pushime, por është teatër i mirë”, rrëfen më tej Çuli.

Dritan Boriçi, me një interpretim natyral e të pasfocuar , e shpërfaq zbrazëtinë e indiferencën e Ivanov, i gjendur mes personazheve pa vizion e ideale për të ardhmen.

“Duhet ta bësh personazhin të tillë, që të jetojë, të dalë nga letrat e të frymojë”, rrëfen aktori Dritan Boriçi.

Festa të trishtuara ku qeshet me të madhe, thashetheme që zbrazin në gotë të kristaltë kotësinë mbi të cilën endet qenia njerëzore, e përballë tyre Ivanov, që i pafuqishëm humbet fillin.

“Ajo çfarë është klithma më e madhe e Ivanovit, është të largohemi nga teatri tallava, të kthehemi tek teatri i madh. Ne i  kemi mundësitë që të bëjmë një teatër të madh, ose të paktën ta tentojmë”, shprehet më tej Boriçi.

Gati i paaftë për të dashuruar, i ngecur në boshllëkun ekzistencial, e madje  as të mëshirojë, as gruan e tij të sëmurë Anën, të interpretuar nga Luli Bitri.

E atëherë publiku mund të vihet në dilemë  a është ky një hero pozitiv, apo paaftësia për të kaluar krizën, e qortimet e mjekut Lvov që vjen në skenë nga Laert Vasili do t’i japin një petk tjetër , Ivanovit, i konsideruar si Hamleti i Rusisë.

Dashuria gati e imponuar Sashës, që interpretohet nga Elia Zaharia, loja e rafinuar e Neritan Liçajt, karaktere që spikasin përmes interpretimit të aktorëve të tjerë, ftojnë publikun që pas kësaj të diele të shijojë shfaqjen në 21, 22 dhe 23 tetor...

 

A.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?