Italo Fortino: Standardi pasuri
si ta ndryshojmë gjuhën

27 Tetor 2012, 15:01| Përditesimi:

  • Share
Profesor Italo Fortinon e takuam në konferencën "Shkollat shqipe në trevat shqiptare nga shek. XVI deri në gjysmën e dytë të shekullit XVIII", që u zhvillua dje në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Duke folur për hershmërinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe, profesor Fortino rrëfeu një listë të gjatë personalitetesh të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, që edhe në tokë të huaj e sollën të gjallë gjuhën shqipe deri në këtë shekull. Pasi përmend rolin e De Radës, Anton Santorit, etj, ai ka gjetur mjaft argumente me vlerë për ta shtyrë datën e shkollave të para në gjuhën shqipe. Ai kujtoi dje Jul Varibobën që shkruante shqip dhe kompozonte këngë kishtare me tekste në gjuhën shqipe, duke u bërë mësues dhe ruajtës i gjuhës arbëreshe. Për Profesor Fortinon, që aktualisht punon në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin Oriental të Napolit, gjuha shqipe është shumë e çmuar. Ndaj ai ndan me ne edhe shqetësimet për debatin e ndryshimit të Standardit...

Profesor Fortino, si kanë qenë bashkëpunimet tuaja me Qendrën e Studimeve Albanologjike në Shqipëri?

-Me Qendrën Albanologjike ne kemi marrëveshje kulturore. Kemi punuar kohët e fundit për romanin e parë të letërsisë arbëreshe, "Sofia e Kominiatëve". Romani është shkruar në vitet '70 të shek. XIX nga Francesk Antonio Santori, që lindi më 1819 në Picilia (Santa Katerina Katerina Albanes). Ky roman ishte në dorëshkrim dhe kishte ngelur i pabotuar deri më sot. Romani ka rëndësi sepse e fillon më herët historinë e shkrimit të letërsisë shqipe. Në vitin 1894 Santori vdiq në katundin Shën Jakomo, ku punoi si famullitar. F. A. Santori është interesuar shumë për kulturën arbëreshe. Ka shkruar vepra të ndryshme, romanca, etj. Ky është romani i fundit që ka mbetur në dorëshkrim.

Sa rëndësi po i vihet arbërishtes sot në bashkëpunim me QSA?
-Duhet të studiohet edhe arbërishtja, sepse një pjesë e madhe e letërsisë është shkruar në arbërisht. Vepra e Jeronim de Radës, Vepra e Varibobës e Santorit, e Serembes, e Skiroit, etj, janë shkruar arbërisht dhe mund të kuptohen, por ato ndryshojnë pak nga shqipja, të paktën nga pikëpamja leksikore, se arbërishtja në bashkëjetesë me italishten ka marrë hua. Por ajo ka ruajtur në të vërtetë formën arkaike të shqipes.

Ju i thoni finestra dritares?

-Po, por janë disa katunde që përdorin për dritare fjalën dritësore, pra mund të kuptohet nga ju.

Dritësore tingëlloka më bukur sesa dritare!

-Po, por problemi kryesor kur arbëreshët nuk kuptohen është problemi leksikor, jo gramatika, sepse gramatika është e njëjtë me shqipen.

Gramatika është e njëjtë me shqipen thatë. Kohët e fundit janë bërë debate të shumta për gjuhën dhe standardin e shqipes, këtu në Shqipëri. Besoj se keni dijeni?

-Po. Po. E di. Standardi i shqipes tani është një pasuri, që hyri dhe u bë i njohur në gjithë botën shqiptare. Edhe mund të pasurohet. Por dua të them se një gjuhë nuk mund të krijohet në tavolinë. por mbasi gjuhët janë dinamike pritet që ato të ndryshojnë vazhdimisht. Por si do ta ndryshojmë një gjuhë. Gjuha nuk u bindet ndryshimeve të vendosura në tavolina ose grupe njerëzish. Ndryshimi vjen gradualisht, pasi shkrimtarët fusin disa elemente që pastaj përdoren nga të gjithë dhe bëhen një thesar i përmirësuar për të pasuruar edhe gjuhën standarde shqipe. Ky është problem. Gegët thonë se disa gjëra të gegërishtes nuk përdoren, por infinitivi, paskajorja që nuk është në gjuhën standarde, dhe është pasuri e gegërishtes mund të përdoret. Mirë, janë disa autorë që e përdorin dhe duke vijuar ta përdorin në mënyrë të lirë gradualisht ato bëhen pasuri e standardit dhe bashkohen me forma të tjera dhe pastaj kur të bëhen një thesar i përbashkët mund të futen gradualisht në këtë gjuhë. Pasurohet vazhdimisht gjuha. Gjuhët vetvetiu nuk mund të lejojnë ndryshime drastike. Gjuhët kanë një fuqi të brendshme dhe ata që mund të çojnë drejt ndryshimit janë autorët, shkrimtarët, që kanë një ndikim të fortë në gjuhë. Në qoftë se Dritëro Agolli, për shembull, ose Ismail Kadareja, ose Fatos Arapi, e të tjerët përdorin disa forma të gegërishtes, ato forma hyjnë gradualisht në gjuhën standarde. Nuk mund të bëhet ndryshimi në gjuhë me një ligj. Diçka e tillë është bërë edhe në Itali, por nuk funksionojnë këto ndryshime, përdoren, por është diçka e vështirë.

Pra në mësimin e gjuhës në shkollat shqipe, arbëreshët përdorin standardin?

-Patjetër. Sepse standardi si gjuhë dinamike, si gjuhë e përhapur te të gjithë shqiptarët mund të përdoret dhe të pasurohet vazhdimisht.

Po arbërishtja sot në ç'gjendje është?

-Arbëreshët kanë ruajtur formën e tyre arkaike për më shumë se pesë shekuj. Tani me globalizimin, me marrëdhëniet dhe me lëvizjet që janë shumë të shpeshta, me internetin me mjete e tjera, patjetër ka ndikime të rrezikshme. Për mua, kur isha i vogël, gjuha e parë ka qenë arbërishtja dhe ku isha pesë vjeç kam mësuar italishten sepse shkoja në shkollë dhe ajo ishte gjuhë zyrtare. Tani ka ndryshuar gjendja, gati në të gjitha katundet arbëreshe mësohet italishtja dhe pak arbërishtja. Në të kaluarën ka qenë qendër transmisioni e gjuhës e gjithë familja dhe katundi, dhe sheshet ku takoheshin. Këto marrëdhënie po ndryshojnë. Për të ruajtur gjuhën në katundet arbëreshe duhet të ketë një funksion të rëndësishëm shkolla që të mund të arrihet të zëvendësohet dhe të ndihmojë transmisionin e gjuhës në familje.

Kur ka nisur shkolla e parë me mësimin e arbërishtes?

Mund ta datojmë me veprën e Lekë Matrëngës në vitin 1592. Ai ka botuar një katekizëm, "E Mbësuame e Krishterë". E thotë që në atë kohë se arbëreshët ishin njëgjuhësh, domethënë kuptonin mirë vetëm arbërishten, e dinin më mirë nga italishtja në Horën e Arbëreshëve. Ishte një gjuhë shqipe e shkruar me alfabet me germa latine, që ndryshon patjetër nga alfabeti i sotëm. Edhe për alfabetin mendohej që ishte një traditë pas Lekë Matrëngës në 1592. Tekstin që shkruhej për katekizmin, mund ta shkruanin, ta vendosnim dhe atje përshkruhej shkolla e parë arbërishte. Kleri ka pasur rol në mësimin e gjuhës shqipe. Lekë Matrënga ishte një prift, një famullitar në Horën e Arbëreshëve dhe ka luajtur një rol kryesor në mësimin e gjuhës arbëreshe.
Besoj se mësimi i arbërishtes nuk ka mbetur vetëm në periudhën e Lekë Matrëngës? -Në mësimin shqip në shekullin e 18-të kemi dy autorë të rëndësishëm, Jul Variboba dhe Nikolë Keta. Jul Variboba ishte nga një fshat arbëresh në Kalabri dhe Nikolë Keta arbëresh nga Sicilia. Janë dy studentë në një kolegj të nderuar në shekullin e 18-të. Variboba ka prodhuar një vepër letrare siç është "Gjella e Shën Mërisë së Virgjër", Nikolë Keta, përveç fjalorëve ka një vepër me karakter letrar dhe një vepër më karakter antropologjik dhe studime për antropologjinë e arbëreshëve dhe janë të rëndësishme. Në shekullin e 19-të kemi Jeronin De Radën që ka studiuar në një kolegj në Kalbari dhe na ka dhënë vepra kryesore të letërsisë shumë të bukura, sidomos "Këngët e Milosaos" që janë thesar i letërsisë.

Çfarë mesazhi sillni për gjuhën arbëreshe mes nesh?

Mendoj që kjo konferencë shkencore ka rëndësi, sepse duhet të shikojmë nëpërmjet vështirësive të së kaluarës sesi është ruajtur gjuha shqipe, gjuha arbëreshe, p.sh, kur u bë gjuha zyrtare turqishtja e më pas. Shqipja dhe gjuha arbëreshe pasurohen se kanë një letërsi me vlerë.

Pra gjuha pasurohet nga poetët dhe letërsia, mendoni ju?

-Po gjithmonë ka qenë kështu. Arbëreshët kanë ruajtur në shekuj rapsoditë dhe prozën popullore. Jeronim de Rada ka botuar në vitin 1896 librin me poema, "Rapsodi Albaneze" e quan ai, dhe kanë shumë rëndësi sepse janë tekste në poezi dhe ruajnë jo vetëm aspekte poetike, por edhe disa parime, mesazhe shoqërore të arbëreshëve për të ruajtur kulturën e tyre. Këto rapsodira kanë arritur deri në ditët e sotme dhe kanë vlerë gjuhësore. Gjyshja ime më ka treguar disa rapsodi, jo vetëm më rimë në poezi, por edhe të transformuara në tregime. Për shembull teksti i Kostandinit dhe Jurontinës është i kënduar, sepse arriti në formën e poezisë këndohet në disa rrethana të veçanta në disa festa.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?