Bota

Italia në krizë politike/ Më 20 korrik Draghi para deputetëve, presidenti s’i pranoi dorëheqjen! Ministrat e lëvizjes ‘5 yjet’ mund të tërhiqen nga qeveria

15 Korrik 2022, 14:36| Përditesimi: 15 Korrik 2022, 15:40

  • Share

Pas refuzimit të dorëheqjes nga ana e presidentit Sergio Matarella, kryeministri i dorëhequr i Italisë Mario Draghi do t’i drejtohet edhe një herë dhomave të Parlamentit dhe Senatit në 20 korrik për të kërkuar votëbesimin. Draghi dha dorëheqjen pasi përfaqësuesit e Lëvizjes 5 yjet, pjesë e koalicionit qeverisës, nuk ishin të pranishëm gjatë votimit të dekretit të ndihmave, duke deklaruar se nuk mund të votojnë një paketë që rrit kostot e energjisë. Tashmë Draghi ka vetëm 5 ditë kohë për të bindur dhomën e senatit se kushtet mbi të cilat u ngrit qeveria e tij, funksionojnë ende.  

Vendimi i Draghit për t’u dorëhequr erdhi edhe pse paketa për të ndihmuar italianët që përballen me çmimet e larta të energjisë mori 172 vota pro dhe 39 kundër, por munguan votat e Lëvizjes 5 Yjet. Mediat në Itali raportojnë se qarkullon ideja e tërheqjes nga qeveria të ministrave të Lëvizjes 5 yjet, para se Draghi t’i drejtohet edhe një herë ligjvënësve të mërkurën. Draghi ka theksuar se pa lëvizjen “Pesë Yjet" nuk mund të krijohet qeveria.

Ndërkohë ish kryeministri Giuseppe Conte, lider i Lëvizjes 5 yjet, tha se askush nuk mund të marrë votat tona nëse nuk marrim përgjigje të vërteta, strukturore dhe të rëndësishme. “Ne nuk kërkojmë vende, emërime, asgjë, por padyshim kërkojmë të respektojmë një program të përcaktuar në fillim: tranzicionin ekologjik dhe emergjencën e çështjeve sociale që tani kanë shpërthyer”, tha Conte pas bojkotit të votimit.

Është në kompetencat e Presidentit Sergio Mattarella që ta pranojë apo ta refuzojë dorëheqjen e kryeministrit. Por nëse kriza e qeverisjes nuk mund të zgjidhet shpejt, Mattarella mundet të shpërndajë parlamentin, duke krijuar kushtet për zgjedhje të parakohshme.

Kriza politike në Itali shpërthen në një kohë kur vendi është zhytur në një gjendje emergjence për shkak të thatësirës dhe mungesës së energjisë si dhe vendimeve të rëndësishme që duhen marrë për fondet financiare të BE. Komisioneri për Ekonominë në Bashkimin Evropian, Paolo Gentiloni, një ish-kryeministër italian, tha se Brukseli po i ndjek me habi dhe shqetësim zhvillimet politike ne Romë, në një kohë të trazuar për Evropën që kërkon një nivel të lartë kohezioni dhe udhëheqje të fortë”.

Ora 20:49
Kriza politike në Itali/ Metsola: Këto janë kohë të vështira në BE, kemi nevojë për stabilitet politik

1657911050_rr.JPG

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka reaguar për krizën politike në Itali.

“Me luftën në Ukrainë, rritjen e çmimeve dhe rimëkëmbjen pas Covid-it, ne kemi nevojë për stabilitet politik në Evropë. Italia është një vend i rëndësishëm anëtar dhe një vend themelues. Ne kemi nevojë që ajo të ruajë rolin e saj udhëheqës brenda Bashkimit Evropian, veçanërisht në këto kohë të vështira", tha Metsola.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?