Sport

Italia 'harron' të fitojë, tjetër barazim pa gola! Ekipet 'big' nuk falin, fitojnë Gjermania,Spanja, Anglia e Belgjika! Kosova ndan nga 1 pikë me Greqinë

6 Shtator 2021, 10:51| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 12:01

  • Share

Italia kampione e Europës “harron” të fitojë. Pas barazimit ndaj Bullgarisë të kaltërit e kanë barazuar edhe ndeshjen e radhës kualifikuese të Botërorit 2022. Ndaj Zvicrës në Bazel sfida u mbyll pa gola ku Jorginho humbi penallti në pjesën e dytë. Italia e kryeson me 11 pikë grupin C por nuk është në pozicion të favorshëm pasi Zvicra e vendit të dytë me 7 pikë numëron dy ndeshje më pak. Por Italia vendos një rekord botëror me 36 ndeshje pa humbje.

Gjermania nuk pati mëshirë ndaj Armenisë duke e mposhtur 6-0 dhe ngjitet në vend të parë në grupin J kualifikues me 12 pikë pas 5 ndeshjeve të para. Dygolësh realizoi Gnabry dhe nga një herë e tundën rrjetën Reus,Verner, Hofman dhe Adeyemi.

Në grupin e Shqipërisë atë I Anglia di vetëm të fitojë. Tre luanët edhe pse me një ekip të ri mposhtën 4-0 Andorrën dhe kryesojnë me 15 pikë të plota 5 më shumë se Polonia e vendit të dytë me të cilën do të përballet të mërkurën. Dygolësh shënoi Lingard dhe realizuan edhe Kane e Saka. Shqipëria mban vendin e tretë.

Në grupin B Spanja bëri autokritikë dhe pasi u mposht tre ditë më parë nga Suedia fitoi 4-0 ndaj Gjeorgjisë dhe mori kryesimin e grupit. Iberikët me 10 pikë kryesojnë një më shumë se Suedia që ka dy ndeshje më pak dhe Spanja e rrezikon vendin e parë.

Kosova barazoi me Greqinë 1-1 në Prishtinë. Vedat Muriqi barazoi në frymën e fundit ndërsa dardanët ngjiten në vend të tretë me 4 pikë.

Edhe Belgjika ka fituar 3-0 ndaj Çekisë dhe kryeson me 13 pikë grupin E kualifikues duke qënë 6 pikë larg vendit të dytë. Lukaku, Hazard dhe Saelemaekers ishin autorët e golave./ Përgatiti Andi Kapxhiu

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?