Itali, presidenti Begaj nis turin e dytë të vizitave në Kozenca të Kalabrisë me komunitetin arbëresh

1 Maj, 09:50| Përditesimi: 1 Maj, 18:38

  • Share

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e nisi turin e dytë të vizitave në rajonin e Kalabrisë nga Civita, (Çifti), një qytet në provincën e Kozencës, i ndërtuar nga një çift arbëreshësh më shumë se 500 vjet më parë.

Për të nderuar Kreun e Shtetit shqiptar, arbëreshët në Civita kishin organizuar një pritje zyrtare në institucionin e Këshillit Komunal, ku u shkëmbyen mendime për identitetin, kombin dhe ardhmërinë si edhe për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.

Në emër të banorëve arbëreshë në Civita, Kreut të Shtetit iu urua mirëseardhja në koshën e Civita-s nga famulltari i kishës, i cili ju drejtua Presidentit në arbërisht duke i thënë: “Kur ke hyrë në këtë kishë, ke hyrë në zemrën e besimit të arbëreshëve”. Historia e komunitetit është gdhedur në basolerievët e kësaj kishe, e cila është ndërtuar në vitin 1510. 

Ndërsa Kryetari i bashkisë së Civita e vlerësoi Presidentin Begaj për këtë vizitë në Kalabri.

Vetë Kreu i Shtetit iu përgjigj duke u shprehur se thjesht kishte mbajtur një premtim të dhënë për këtë vizitë: “Ne si shqiptarë kemi një proverb të vjetër, që thotë se fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur janë shumë të rëndësishme. Para disa kohësh bëra një vizitë të parë këtu në rajonin e Kalabrisë dhe të gjithë kryetarët e komunave donin që unë t’i vizitoja.

Iu premtova që do të vija sërish, sepse në një vizitë është e pamundur t’i shohësh të gjitha komunat dhe bashkitë arbëreshe në Itali. Dhe sot jam shumë i lumtur që realizova këtë dëshirë të kryetarit të bashkisë dhe natyrisht për emocionet e përftuara sot nga bujaria e qytetarëve të Civitës, nga mikpritja, këngët e kënduara shqip dhe veshjet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.”

Një falënderim Presidenti Begaj përcolli dhe për Italinë fqinje, që siç hapi dyert për arbëreshët, të njëjtën qasje tregoi edhe ndaj shqiptarëve me ndihma gjatë viteve të vështira pas viteve ‘90, duke pritur emigrantët e dalë nga izolimi, e më vonë duke integruar Diasporën e re të Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në Civita, Presidenti Begaj vizitoi dhe muzeun etnografik, ku përmes veshjeve, pikturave dhe dokumenteve, tregohej historiku i këtij komuniteti. Civita, me autenticitetin në arkitekturë, ka frymëzuar piktorin Ibrahim  Kodra, që e ndërkombëtarizoi identitetin arbnor përmes pasqyrimit në art të shtëpive të kësaj komune.

E gjithë kjo dëshmi e gjallë historike, sipas Presidentit Begaj, duhet përcjellë edhe te brezat e rinj”.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që arbëreshët i kanë dhënë kombit, ndërsa premtoi se do të jetë gjithmonë krah tyre për të vijuar me hapa të tjerë konkretë që i shërbejnë ruajtjes së arbërishtes.

Arbëreshët janë pjesë e rëndësishme e kujtesës së kombit tonë. Ju jeni shembull i rrallë i ruajtjes së identitetit, historisë, gjuhës, kulturës e ritit, u shpreh Presidenti Begaj.

Ora 18:32
Presidenti Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie

 

Pasditen e 1 majit, në vijim të vizitës në rajonin arbëresh të Kalabrisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me banorët e komunës Firmo. Presidenti Begaj përcolli mesazhin për ndërveprim mes komuniteteve me kultura të ndryshme dhe në këtë aspekt vlerësoi rolin e arbëreshëve për fuqinë e identitetit, trashëgiminë kulturore, traditën popullore dhe folklorin. Duke iu referuar traditës së përvitshme të “Valljes”, që në këtë fshat ruhet si simbol i fitores së Skënderbeut, Presidenti Begaj theksoi se ajo mbetet gjithnjë frymëzuese. Ai ju drejtua pjesëmarrësve në këtë festë të “Valljes” të promovojnë njohjen e identitetit dhe diversitetin kulturor.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shohim të "vallëzojnë lirshëm" veçanërisht të rinjtë, të cilët duhet të luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e kësaj trashëgimie. Të rinjtë janë ambasadorët e ardhshëm të kulturës sonë dhe mbajtësit e flamurit të identitetit arbëresh dhe shqiptar”, - u shpreh Presidenti Begaj, i cili tha se duhen përgatitur brezat për të përballuar sfidat e globalizimit, si dhe duke ruajtur unikalitetin e trashëgimisë.

“Kultura dhe tradita arbëreshe, si pjesë shumë e rëndësishme e kulturës shqiptare, - vlerësoi Presidenti Begaj, janë dëshmi e fuqisë së lirisë për të mbijetuar përmes shekujve, edhe në kushte të vështira dhe ndryshime të mëdha historike”.

Sikurse në takimet e mëparshme me arbëreshët, edhe në Firmo Kreu i Shtetit përcolli mesazhin për ruajtjen e traditave, kulturës e gjuhës, si një mënyrë për të kujtuar origjinën, por dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.

Ora 15:02
Presidenti Begaj viziton arbëreshët në komunat e Kozencës: Ju falenderoj që ruani dhe trashëgoni gjuhën shqipen

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kalabri u ndal në komunat e Acquaformosës dhe Lungros në provincën e Kozencës.

Në Acquaformosa është hera e parë që një Presidenti i Shqipërisë zhvillon një vizitë dhe, për këtë arsye, drejtuesit vendor dhe komuniteti e konsideruan ardhjen e Presidentit Begaj një nderim të veçantë.

Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mikpritjen arbëreshe dhe përpjekjet e bëra ndër shekuj për të ruajtur si pasuri të paprekshme trashëgiminë, ndërsa përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kalabrisë dhe Italisë.

“Unë jam këtu për të ofruar mbështetjen time si President i Republikës së Shqipërisë, për të bërë detyrën time kushtetuese, për të mbrojtur e për t’ju gjendur të gjithë shqiptarëve kudo ata janë, jetojnë e punojnë. Është kënaqësi e madhe që gjej një mirëkuptim të jashtëzakonshëm nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, nga Presidenti i Italisë, Matarella, dhe të gjithë zyrtarët e tjerë italianë, të cilët shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme për vlerat e shtuara të komunitetit arbëresh dhe shqiptar, të cilët kanë ndërtuar jetën dhe janë integruar shumë mirë në shoqërinë italiane”.

Në qendër të qytetit, ku ngrihet dhe busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i bashkisë dhe arbëreshët e Acquaformosës. Ai vizitoi dhe kishën San Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, një ndër më të rrallat në rajonin e Kalabrisë. 

Ndërsa nga Ungra, ndalesa e radhës e kësaj vizite, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkim, sipas porosisë së Gjergj Kastriotit, siç u shpreh ai: “Po te jemi bashkë, asgjë nuk na thyen. Po të jemi të ndarë, edhe një fëmijë na mund”. Presidenti Begaj vizitoi Eparkinë e Lungros, ku bisedoi me ipeshkvpin, Imzot Donato Oliverio të cilit i shprehu vlerësimin për rolin e jashëtzakonshëm që ka luajtur kisha në mbrojtjen e vlerave tona identitare.

Gjatë takimeve me drejtuesit vendor, komunitetin arbëresh dhe klerikët e komunave të provincës së Kozencës, Kreu i Shtetit theksoi nevojën e  intensifikimit të marrëdhënieve, shkëmbimit të vizitave mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Së pari, është detyrimi im si President i Republikës së Shqipërisë për t’ju shprehur mirënjohjen time dhe të të gjithë popullit shqiptar për atë çka bëni për ruajtjen e identitetit tuaj. Të parët tuaj, pasardhës të Skënderbeut, ikën nga viset shqiptare jo për shkak të dëshirës për t’u larguar nga atdheu, u larguan nga atdheu i tyre për shkak të pushtuesit dhe erdhën dhe gjetën një derë të hapur këtu në Italinë mike”.

Kreu i Shtetit premtoi vijimin e angazhimit të përbashkët për ruajtur dhe promovuar atë çfarë është përcjellë deri tani nga arbëreshët, gjuhën në veçanti. 

“Nuk mund të ketë një komb pa gjuhën e tij, pa ruajtur vlerat e identitetit kombëtar. Ju falënderoj nga zemra për atë çka bëni, që jo vetëm të ruani dhe promovoni gjuhën shqipe, por edhe ta trashëgoni te brezi i ri. Është detyra jonë të bëjmë presionin e duhur që gjuha shqipe të jetë e detyrueshme për shkollat”, - deklaroi Presidenti i Republikës.

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 02/05/2024 03:11

    Nje gje duhet pranuar,z.President eshte /a hit/ mes arberesheve dhe gezon respekt te madh mes tyre.E kane ftuar vete dhe kjo eshte hera e dyte.

    Përgjigju
  • Argentina: 01/05/2024 16:40

    Po neve arberesh ne argjentine kur do kete vizita historike ! Hasta la vista

    Përgjigju
  • epo kjo pune: 01/05/2024 15:41

    ka arbereshe edhe ne Greqi z. President. thyeje akullin e beju presidenti i pare qe del nga viset arvanitase e cameri.te takon dhe e ke detyrim si uniteti i kombit qe jeni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?