Ishte në kërkim, ekstradohet në Tiranë anëtari i grupit kriminal të trafikut të drogës Shqipëri-Itali

14 Janar, 11:39| Përditesimi: 14 Janar, 14:10

  • Share

TIRANË- Dy persona të shpallur në kërkim për trafik droge janë ekstraduar nga Italia dhe Greqia në vendin tonë.

I ekstraduari nga Italia, Gjergji Luli, rezulton anëtar i një grupi kriminal që trafikonte drogë Shqipëri-Itali. Bëhet fjalë për një grup kriminal prej 21 personash, që drejtohej nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço. Më 16 dhjetor, SPAK mbylli dosjen për këtë grup kriminal dhe ia kaloi për gjykim GJKKO.

Anëtari i këtij grupi, Luli dyshohet se ka transportuar dhe më pas i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, për 200 000 euro, dy personave të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur këtë sasi lënde narkotike, në zonën e Bergamos, Itali, në periudhën mars-nëntor të vitit 2016.

Gjithashtu, në janar të vitit 2017, në Bergamo, është sekuestruar edhe një sasi tjetër kokaine, që dyshohet se shtetasit Gjergji dhe Alfred Luli ia kishin shitur shtetasve Gjergj dhe Renato Zefi.

Ndaj Lulit, GjKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal".   

Ndërkohë, nga Greqia është ekstraduar Arben Cufe, 48 vjeç, i shpallur në kërkim si organizator i trafikimit të një sasie kanabisi në Greqi. Sasia e lëndës narkotike është transportuar në Greqi, kundrejt pagesës në euro nga 4 shtetas, të cilët janë arrestuar nga Policia.      

Në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.  

Ekstradimin e tyre e përshëndeti edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

"Vijon çdo ditë bashkëpunimi i shkëlqyer me Interpol për gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Përgëzime Interpol Tirana në bashkëpunim edhe me njësitë partnere në Itali dhe Greqi, lokalizuan, ndaluan dhe sot ekstraduan në Shqipëri dy persona, pjesëtarë të grupeve kriminale të përfshira në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike", shkruan Balla. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?