Leonid Volkov

Ish krahu i djathtë i Navalny-t, sulmohet me çekiç në Lituani jashtë shtëpisë së tij

13 Mars, 07:18| Përditesimi: 13 Mars, 07:45

  • Share

Aktivisti i opozitës ruse Leonid Volkov, i cili ka qenë ish-shefi i shtabit të liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexey Navalny, u sulmua të martën jashtë shtëpisë së tij në kryeqytetin lituanez Vilnius, sipas zëdhënëses së Navalny, Kira Yarmysh.

“Leonid Volkov sapo është sulmuar jashtë shtëpisë së tij. Dikush theu xhamin e makinës dhe i hodhi gaz lotsjellës në sy, e më pas sulmuesi e goditi Leonidin me një çekiç,"  tha Yarmysh  në një postim në rrjetet sociale.

Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny, tha se Volkov u sulmua "afër shtëpisë" dhe "ata i goditën këmbët me një çekiç si dhe i goditën krahët".

Imazhet e shpërndara nga Zhdanov treguan Volkovin me një fytyrë të fryrë dhe një këmbë të gjakosur. Xhami i thyer dhe gjaku shihen pranë një makine në një foto tjetër. Volkov është dërguar në spital, tha Zhdanov në një postim në rrjetet sociale.

Autoritetet lituaneze po hetojnë sulmin e së martës, tha ministri i Jashtëm i vendit Gabrielius Landsbergis në një  postim në X. "Autorët do të duhet të përgjigjen për krimin e tyre," tha Landsbergis, duke e përshkruar sulmin si "tronditës".

Sulmi vjen disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, të parë si një ushtrim kushtetues ku presidenti Vladimir Putin është i sigurt se do të fitojë mandatin e pestë.

Volkov, i cili kishte shërbyer si kryetar i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny-t deri në vitin 2023, i hodhi poshtë zgjedhjet në shkurt duke i cilësuar si "cirk", dhe tha në mediat sociale se ato kishin për qëllim të sinjalizonin mbështetjen dërrmuese masive të Putinit.

“Duhet të kuptoni se çfarë do të thotë 'zgjedhjet' e marsit për Putinin. Ato janë një përpjekje propagandistike për të përhapur mungesën e shpresës” në mesin e elektoratit, tha Volkov.

Figura e opozitës ka disa vite që jeton jashtë Rusisë për arsye sigurie. Ajo përballet me akuza të shumta të motivuara politikisht në Rusi.

Navalny, i cili ishte zëri më i shquar anti-Putin në Rusi,  vdiq muajin e kaluar në një burg rus , gjë që u dënua nga liderët botërorë dhe akuza nga ndihmësit e tij se ai ishte vrarë. Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e tij.

Ekipi i Navalny-t dhe shumë aktivistë të tjerë rusë janë larguar nga vendi vitet e fundit pasi regjimi gjithnjë e më represiv i Moskës goditi çdo opozitë. Në vitin 2021, një gjykatë në Moskë tha se Fondacioni Kundër Korrupsionit ishte një grup “ekstremist” në një vendim që u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?