Hans-Georg Maassen

Ish-shefi gjerman i spiunazhit hetohet për ekstremizëm të krahut të djathtë

2 Shkurt, 10:40| Përditesimi: 2 Shkurt, 10:42

  • Share

Ish-presidenti i Zyrës Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Hans-Georg Maassen, është duke u hetuar nga ish-agjencia që ka drejtuar.

Tani ai po hetohet për ekstremizëm të dyshuar të krahut të djathtë nga agjencia e inteligjencës që ai drejtoi deri në vitin 2018.

Maassen ka publikuar një letër nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) që konfirmon se ai është nën hetim. Maassen tha në X se letra nuk përmbante "prova thelbësore që hetimi ishte i justifikuar", duke shtuar se qeveria kishte frikë prej tij.

Ai akuzon Ministren e Brendshme të qendrës së majtë Nancy Faeser për përdorimin e shërbimeve të inteligjencës për të luftuar kundërshtarët politikë.

Maassen, të cilin e larguan nga detyra, pasi u duk se nënvlerësonte dhunën e ekstremit të djathtë kundër migrantëve, është anëtar i partisë së qendrës së djathtë Bashkimi Kristjan-Demokrat (CDU) të ish-kancelares Angela Merkel.

Ai kandidoi pa sukses si kandidat i CDU-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në Turingi.

Udhëheqja e CDU-së ka akuzuar Maassen për përdorimin e gjuhës së konspiracionistëve dhe antisemitëve.

Hans-Georg Maassen: Një karrierë e diskutueshme

Ish-shefi i spiunazhit gjerman Hans-Georg Maassen nuk është i panjohur për polemika. Gjatë gjithë karrierës së tij atë e kanë akuzuar për parregullsi dhe shumë dyshojnë se ai simpatizon ideologjinë e ekstremit të djathtë.

Hans-Georg Maassen, ish-kreu i Zyrës për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV), shërbimi kombëtar i inteligjencës, është kritikuar shpesh për deklaratat dhe veprimet e tij, raporton Deutsche Welle.

Si pjesë e hetimit, sipas gazetës Bild, Zyra Federale për Mbrojten e Kushtetutës (BfV) i kërkoi Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) informacion në lidhje me Maassen-in.

Ish-shefi i BfV tha se ishte “i indinjuar” dhe “do të kërkonte informacion se çfarë të dhënash ruajnë ish-punonjësit e mi për mua”.

Gazeta Bild raportoi se një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Brendshme, përgjegjëse si për Zyrën Federale për Mbrojten e Kushtetutës ashtu edhe për Zyrën Federale të Policisë Kriminale, nuk e mohoi se kishte pasur hetim për Maassen-in.

“Ne nuk komentojmë për çështje individuale, qoftë edhe vetëm për arsye të privatësisë,” tha ajo për gazetën.

Maassen tha se nëse ai do të hetohej nga BfV, ky do të ishte persekutim politik.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është e qartë se Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk përdoret më për të mbrojtur Kushtetutën, por përkundrazi keqpërdoret për të mbrojtur qeverinë dhe për të luftuar dhe përndjekur politikisht kritikët e qeverisë,” tha Maassen në një deklaratë në rrjetin X, të njohur më parë si Twitter.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?