Ish-minatorët protestë para Kryeministrisë, kërkojnë miratimin e statusit dhe rishikimin e pensioneve

27 Tetor 2023, 11:40| Përditesimi: 27 Tetor 2023, 12:23

  • Share

Ish-minatorët i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Kryeministrise, para së cilës kanë bërë thirrje dhe kanë kërkuar miratimin e statusit, por edhe rishikim të pensioneve.

Të zhgënjyer nga përfaqësuesit e Sindikatave, të cilët sipas tyre janë të manipuluar nga shteti, minatorët janë mbledhur vetë dhe kanë listuar kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Nga dëmshpërblimi në raste aksidentesh në punë, deri te sigurimi i familjes në rast fatkeqësie dhe humbje jete, ata kanë listuar të gjitha kërkesat e tyre duke bërë thirrje që shteti të kthejë sytë nga puna e tyre fisnike, për të cilën kanë rrezikuar dhe rrezikojnë jetën.

“Nuk kemi sindikata, janë të manipuluara nga shteti. Sindikata jemi ne. I kërkojmë kryeministrit të marrë parasysh kërkesat e minatorëve, miratoni statusin e minatorit. Kërkojmë që statusi i minatorit të sigurojë jetën dhe në rast pasojash për shëndetin, deri në rast vdekje, për të gjithë minatorët që vdesin në vendin e punës të ketë pagë për familjen e bursa për fëmijët. Dëmshpërblim për aksidentet në pune, pension i përkohshëm, dëmshpërblim për humbje gjymtyrësh.

Ligjet në fuqi nuk u përpiqen nevojave të minatorëve, kërkojmë miratimin e statusit të minatorit. Është nevojë urgjente për mijëra minatorë që punojnë aktualisht apo janë në pension. Miratimi i tij i jep dinjitetin punës në minierë, i cili mungon prej kohësh. U drejtojmë kërkesa për takim kryeministrit. Kërkojmë përgjigje sa më shpejt. Bashkangjitur këtyre kërkesave kemi një draft të të drejtave që duhet të garantojë statusi i minatorit. Kemi më shumë se 11 mijë firma për këtë draft. Do të vazhdojmë protestat para parlamentit, e radhës është ditën e hënë në orën 16:30. Ftojmë të na bashkohen të gjithë ata që mbështesin këtë kauzë”, u shprehën ata mes të tjerash. “I bëjmë thirrje që të ‘trazohet’ shteti. Ose të na fusin në burg më mirë. Ose të drejtën, ose jetën“, tha një tjetër protestues", u shprehën minatorët. 

Lajmi në përditësim...

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?