Ish-kamp burgu i Spaçit, debati në prezantimin e Planit të Menaxhimit: Pse Muzeu në autostradë?! Hartuesit: Kështu ndodh edhe jashtë shtetit!

2 Maj, 16:49| Përditesimi: 2 Maj, 16:53

  • Share

Një plan menaxhimi me kosto totale për 5 vitet e parë 4 230 800 euro, që kërkon së pari të parandalojë përkeqësimin, e më tej ta bëj të aksesueshëm si zonë muzeale, simbolin e kujtesës të mizorisë të regjimit komunist, ish-kamp burgun e Spaçit, monument kulture të kategorisë së II-të. Këtë pati në fokus, dëgjesa publike e kësaj të enjteje, me të pranishëm, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, fondacionit italian “Santagata” për ekonominë e Kulturës që ka përgatitur draftin, të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa kufij”.

Ish burgu i Spaçit, si pronë e  një kompanie private pritet t’i kalojë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Po kjo e fundit do të jetë themeluese e Fondacionit, që propozohet të ndjekë menaxhimin indirekt.

Ç’ka ngjalli polemika në dëgjesën publike ishte ngritja e muzeut autonom me person juridik privat për ish-kamp burgun, por larg tij, në autostradën e Bashkisë së Mirditës. Sipas hartuesve kjo ka si shkas kryesor, kushtet e vështira infrastukturore dhe është model i aplikuar dhe jashtë.

“Ne bëmë një krahasim me një numër të madh rastesh qendrash të burgosurish përreth botës , dhe asnjë muze i tyre nuk është brenda në zonë. Shumë prej tyre janë në qendrat e qyteteve, në qendrat e mëdha. Të tjera në qytete të vogla, apo në zona më të largëta, si rasti i kampeve të përqendrimit në Poloni”, shprehet Giulia Avanza.   (fondacioni “Santagata”)

 Por, hartuesi i projektit të ish-kamp burgut Bujar Ferra, së bashku me të tjerë të pranishëm, pretendojnë se kjo heq kërshërinë e vizitorëve, për të shkuar më pas në Spaç.

Gjatë takimit, Ferra pretendoi gjithashtu rikthimin në origjinal të kësaj pike të trashëgimisë kulturore, me pamjen e barakave të llamarinës e dërrasave, që kishte në 1968-ën kur u hap. Për këtë sipas tij duhen shfrytëzuar arkivat, me fotografitë e dëshmitë që përcillen.

Sa i përket ndrojtjes, veçmas të të ish burgosurve, për neglizhencën e aspektit të Spaçit, si kamp pune, hartuesit e projektit sollën në vëmendje dialogun me pronarët që kanë në koncension galeritë, sipas tyre jo të sigurta, për të lejuar aksesin e vizitorëve.

Nga vitet 1930 deri në vitet 1960, siti ishte një minierë aktive për nxjerrjen e bakrit dhe piritit. Në prill të vitit 1968, Reparti i Riedukimit 303 i krijuar në vitin 1951 dhe e shfrytëzuar më parë si repart shëtitës pune për punime të ndryshme ndërtimi në Shqipëri, u vendos në Spaç, një zonë e largët që kombinonte funksionet e burgut dhe të kampit të punës së detyruar në minierë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?