Ish-deputetja e PS Leskaj promovon në Berat librin e saj ‘Politika si ide’: Më ka pëlqyer t’ia lë stafetën të rinjve, por ata duhet t’i ngjisin shkallët e karrierës gradualisht

13 Maj 2022, 09:45| Përditesimi: 13 Maj 2022, 10:09

  • Share

Ish-nënkryetarja e Kuvendit dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj,ka promovuar në qytetin e Beratit librin e saj “Politika si ide". Libri i ish-politikanes Valentina Leskaj, që prej 3-vjetësh është shkëputur nga politika, u promovua në Bibliotekën "Vexhi Buharaja" të qytetit të Beratit,ku ishin të pranishëm drejtues të pushteti vendor, deputetë, miq etj.

Ky libër është fryti i ideve të autores, për çështjet që përballet shoqëria shqiptare, të cilat kanë qenë pjesë e angazhimit qytetar, profesional dhe politik të autores. Të gjitha këto ide nuk vijnë në libër në formën e kujtimeve dhe nuk kanë të bëjë me jetën personale të saj, pavarsisht se të gjitha mendimet e hedhura në letër janë shkruar pasi ajo është larguar nga politika. Si aktiviste dhe si politikane, Leskaj e sheh demokratizimin e shoqërisë si një proces ku duhen kërkuar rrugëdaljet dhe jo domosdoshmërisht kundërvëniet.

Autorja trajton në librin e saj edhe çështje të rëndësishme që lidhen me kulturën politike dhe nivelin e demokracisë në vend, ndërkohë që përveç politikës si ide, një hapësirë të veçantë në libër, Leskaj i kushton edhe një refleksioni mbi gruan.

Në librin "Politika si ide",Valentina Leskaj nuk lë pa përmendur as bashkëshortin e saj të ndjerë,për të gjitha idetë që kanë ndarë së bashku për këtë libër dhe për të gjithë mbështetjen e treguar prej tij gjatë gjithë angazhimit të saj për vite me radhë në politikë.Vetë autorja e librit Valentina Leskaj ka thënë në fjalën e saj gjatë promovimit se, Berati është një qytet që me kulturën, traditën dhe vlerat e tij historike i bën krenar të gjithë Shqiptarët dhe çdo turist (i huaj apo vendas) që e viziton këtë qytet dashurohet me të.

"Motivi im për të shkruar këtë libër ka qenë shqetësimi qytetar, ky shqetësim që duhet ta ketë çdo qeveritar, pavarësisht nga karrigia. Unë u largova vetë nga politika por një njeri nuk mund të jetë i angazhuar me shqetësimet e qytetarëve thjesht e vetëm për faktin se është i angazhuar në politikë. Në libër unë kam analizuar disa nga çështjet që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim politik e shoqëror, çështje me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare, çështje që janë shumë të rëndësishme", ka thënë Leskaj.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?