Ish-ushtarakët, nuk do mbahet
më 20 përqind e pensionit

19 Prill 2016, 11:58| Përditesimi:

  • Share
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët nga rillogaritja e pensioneve.

Janë 5.425 ish-ushtarakë që tashmë nuk do t’ju mbahet një pjesë e pensionit. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi i pranishëm në komision, tha se prej vitesh ish ushtarakët kanë paguar një debi e cila tashmë u falet nga qeveria.

Ish ushtarakët janë shpallur debitorë për shkak të aktit normativ që ka miratuar ish qeveria “Berisha” në vitin 2010, e cila u rillogariti pensioni, duke e ulur atë dhe duke i shpallur debitorë këtë kategori.
 
Deri tani, ish ushtarakëve u është mbajtur 20% e pensionit.

“U krijuan këto debi të cilat kanë vijuar të shtyjnë detyrimet duke u ndalur 20% të pensioneve mujore të gjithë këtij grupimi ish-ushtarakësh. Duke njohur detyrimet si shtet pavarësisht se nga koha që janë krijuar këto veprime të parregullta dhe këto borxhe që janë krijuar në shtresa kaq të mëdha, ne si qeverisje e përgjegjshme, me propozim të katër ministrive të linjës sjellim sot para parlamentit kërkesën për faljen e debisë për 5 mijë e 425 ish-ushtarakë debitorë me një detyrim të mbetur në vlerën 984.5 milionë lekë”, - u shpreh Blendi Klosi.

Zgjidhja e propozuar sipas këtij projektligji, tha Klosi, është falja e detyrimeve të ish-ushtarakëve që kanë rezultuar debitorë si pasojë e efekteve prapavepruese të rillogaritjes së pensioneve në zbatim të ligjit të vitit 2010, si dhe të periudhës së gjatë të nxjerrjes dhe përpunimit të dokumentacionit mbi pagën mesatare referuese dhe periudhën e shërbimit.

Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ish ushtarakët nuk do t’ju mbahet debia menjëherë sapo projektligji të hyjë në fuqi. Edhe deputetët e opozitës nuk kanë kundërshtuar nismën e qeverisë, vetëm kanë shprehur pakënaqësi për procedurën që po ndiqet.

“Janë para të popullit që kanë dalë nga arka e përbashkët e popullit. Nuk ka shumë lidhje të drejtpërdrejtë ka fare pak lidhje me kontributet e tyre por pjesa më e madhe del nga arka e përbashkët. Tani ju po bindni një akt që po thoni ne nuk i duam ata para, i kemi marrë ju bëfshin mirë, gëzojini, ne sot do t’i falim ato. Jam i saktë apo jo?”, - tha Florion Mima.

Projektligji
Sipas relacionit të projektligji qëllimi është t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të kategorisë së ish-ushtarakëve, e shkaktuar si pasojë e një kuadri ligjor jo konsistent, të qëndrueshëm, i konstestuar që në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi nga kjo kategori si dhe i gjykuar dhe rrëzuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese.

“Zgjidhja e propozuar sipas këtij projektligji është falja e detyrimeve të ish-ushtarakëve që kanë rezultuar debitorë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë gjithsej 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi që mbetet për tu shlyer për 984.5 milionë lekë. Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368,5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likujdimi”, thuhet në relacionin e për projektligjin për faljen e debive të ish ushtarakëve.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?