Allen Weisselberg

Ish kryefinancieri i Organizatës Trump dënohet me 5 muaj burg për dëshmi të rreme

10 Prill, 20:24| Përditesimi: 10 Prill, 20:27

  • Share

Allen Weisselberg, ish drejtues ekzekutiv i perandorisë së pasurive të paluajtshme të Donald Trumpit, u dënua të mërkurën me 5 muaj burg për dëshmi të rreme gjatë deklarimeve të tij në çështjen civile ndaj ish Presidentit amerikan për mashtrim mbi pasurinë.

76 vjeçari, tanimë në pension, pranoi fajësinë muajin e kaluar mbi dy akuza se kishte gënjyer kur dëshmoi se kishte pak dijeni mbi mënyrën se si apartamenti i zotit Trump në Manhattan u deklarua në pasqyrat e tij financiare me vlerë tre herë më të lartë se sa realja.

I pyetur nëse donte të shprehej gjatë seancës këtë të mërkurë, zoti Weisselberg, u përgjigj: “Jo, i nderuar gjykatës”. Ai u shoqërua nga salla e gjyqit i prangosur pas një seance e cila zgjati më pak se 5 minuta.

Eshtë hera e dytë që Allen Weisselberg vihet pas hekurave. Ish kryefinanciari i Organizatës Trump vuajti 100 ditë burgim vitin e kaluar për shmangie taksash për kompensime prej 1.7 milionë dollarësh për punonjësit, përfshirë një apartament pa pagesë qeraje në Manhatan si dhe makina luksoze.

Tani ai do vuajë dënimin në burgun Rikers Island në qytetin e Nju Jorkut.

Dy rastet nxjerrin në pah besnikërine e palëkundur të zotit Weisselberg ndaj Donald Trumpit, kandidati që pritet të sigurojë emërimin e republikanëve për garën presidenciale.

Familja Trump e punësoi zotin Weisselberg për gati 50 vjet dhe i suguroi atij një marrëveshje largimi prej 2 milionë dollarësh, kur akuzat për shmangie të taksave e detyruan atë të dilte në pension. Kompania vazhdon të paguajë faturat e tij për mbrojtjen ligjore.

Zoti Weisselberg dëshmoi dy herë në proceset për zotin Trump, por në secilën nga rastet ai u përpoq fort të sugjeronte se shefi i tij nuk kishte kryer ndonjë shkelje ligjore serioze. Pranimi i fajësisë nuk e detyron atë të dëshmojë në gjyqin penal ndaj ish Presidentit Trump se ka fshehur pagesën e bërë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes së saj, për të cilin të hënën pritet të nisë përzgjedhja e jurisë.

Në marrëveshjen e arritur për të dënuar zotin Weisselberg me 5 muaj burgim, prokurorët vunë në dukje moshën dhe gatishmërinë e tij për të pranuar fajësinë. Në Nju Jork, deklarimi i rremë dënohet me burg deri në 7 vjet.

Prokurorët kanë premtuar se nuk do të hetojnë zotin Weisselberg për krime të tjera që mund të ketë kryer lidhur me Organizatën Trump.

Dënimi i fundit duket si një përsëritje e çështjes së kaluar ndaj tij, në të cilën ai u dënua me 5 muaj burg, por u lirua pas pak më shumë se tre muajsh për sjellje të mirë. Ai nuk kishte kryer ndonjë shkelje ligjore më parë.

Avokatët e zotit Trump akuzuan zyrën e Prokurorit të Manhatanit se po vepronte në shkelje të etikës dhe po përdorte taktika të forta ndaj një burri të pafajshëm në moshë të thyer ndërsa po mbyll njërin sy për akuzat për deklarim të rremë ndaj Michael Cohen, ish avokati i zotit Trump, tanimë një dëshmitar kyç i prokurorisë në çështjen ndaj ish Presidentit për fshehjen e pagesës ndaj aktores Stormey Daniels.

Prokurorët e zyrës së Prokurorit të qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg dhe avokati i zotit Weisselberg, Seth Rosenberg, nuk pranuan t'i drejtohen gjykatës.

Zoti Weisselberg pranoi fajësinë më 4 mars. Ai pranoi se kishte dhënë deklarime të rreme në tre raste ndërsa dëshmonte në padinë e ngritur nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James kundër zotit Trump: në deklarimet e bëra në korrik 2020 dhe maj 2023 dhe në dëshminë në gjyqin gjatë tetorit të kaluar. Për të shmangur shkeljen e shërbimit të provës në çështjen lidhur me taksat, ai pranoi të deklarohej fajtor vetëm për akuzat që lidhen me dëshminë e vitit 2020.

Madhësia e apartamentit të zotit Trump në Manhatan ishte një çështje kyçe në rastin për mashtrim të pasurisë.

Në pasqyrat e pasurisë së paku nga viti 2012 deri 2016 zoti Trump deklaronte se apartamenti i tij kishte një sipërfaqe prej 2,800 metrash katrorë.

Një ish-drejtues në kompaninë Trump dëshmoi se këtë shifër e kishte marrë nga zoti Weisselberg. Ish-drejtuesi tha se kur pyeti mbi sipërfaqen e apartamentit në vitin 2012, zoti Weisselberg i ishte përgjigjur: “Është mjaft i madh. Mendoj se është rreth 2,800 metra katrorë.

Megjithatë, avokatët e shtetit vunë në dukje se zoti Weisselberg mori një email në fillim të atij viti, ku ishte bashkëlidhur një dokument i vitit 1994 sipas të cilit apartamenti ishte 1,022 metra katrorë. Zoti Weisselberg dëshmoi se i kujtohej e-maili, por jo dokumenti bashkëlidhur.

Pasi revista Forbes publikoi një artikull në vitin 2017 që vinte në dyshim sipërfaqen e apartamentit, vlerësimi i tij në deklaratën e pasurisë ra nga 327 milionë dollarë në 117 milionë dollarë.

Në muajin shkurt, gjykatësi Arthur Engoron vendosi kundër ish presidentit Donald Trump dhe disa prej drejtuesve të tij për atë që gjykatësi e quajti një skemë shumëvjeçare për të mashtruar bankat dhe të tjerë, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së zotit Trump, me qëllim që ai të siguronte marrëveshje biznesi dhe kredi me kushte më të mira.

Gjykatësi e gjobiti zotin Trump një me 455 milionë dollarë dhe urdhëroi zotin Weisselberg të paguante 1 milionë. Të dy janë në proces apeli ndaj këtij vendimi./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?