Irani sulmoi Izraelin, eksperti zbërthen skemën: Dolën të kënaqur të dyja! Shqetësim mbetet koalicioni i vendeve anti-perëndimore

16 Prill, 15:45| Përditesimi: 16 Prill, 15:55

  • Share

Eksperti i sigurisë, Arben Çuko ishte i ftuar ditën e sotme në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, ku zbërtheu sulmin iranian ndaj Izraelit dy ditë më parë.

'Është një shtet i fuqishëm me kapacitete ushtarake të mëdhaja. Nëse iranianët kanë lajmëruar se do godas, këtë sulm e bëri për të bashkuar popullin e vet, për politikë të brendshme. Për ti treguar se po luftojmë kundër armikut të popujve arab të Lindjes së Mesme, siç është Izraeli', shprehet Çuko.

Sipas tij nga sulmi mbetën të kënaqur si Izraeli dhe Irani.

'Ndërkohë rezultatet e mbrojtjes së brendshme, nuk pati dëmtime. Pra të dy palët kanë ngelur të kënaqur. Problemi që qëndron është Gaza. Irani është diktaturë dhe problemet e brendshme i ka pasur të nxehta. Dhe ky sulmi ishte më tepër për të bashkuar popullin e vet', thotë ai. 

Çuko shpreh shqetësimin për koalicionin mes vendeve anti-perëndimore.

'Këtu ka një rrezik real, është ravijëzuar koalicioni anti-perëndimor, Rusi-Iran-Kore e Veriut-Kinë. Mund të ketë dhe shtete në hije. Nga këto 4 shtete nuk ka kapacitete bërthamore. Shqetësohem se mos përshkallëzimi i luftës në Ukrainë, i gjetjes së momentit të Kinës për të sulmuar Tajvanin, futemi në një konflikt botëror. Shqetësimi vjen tek ne, tek vetja. Diplomacia këto ditë ka qenë shumë aktive për de-eskalimin', vijon Çuko.

Situata mbetet e rrezikshme dhe në rajonit tonë, teksa Serbia është e armatosur gjer në dhëmbë.

'Serbia ka 10 vite që armatoset deri në fyt, me armë ofensive, jo mbrojtëse. Ka një dallim shumë të qartë. Ne kemi ndërmarrë një program armatosje, por gjithmonë me armë mbrojtëse. Serbia ka 10 vjet që armatoset me armë mësymëse', thekson eksperti.

Duke iu rikthyer Lindjes së Mesme, Çuko thotë se Arabia Saudite nuk e mbështet Iranin për shkak të ndasive ideologjike fetare mes tyre.

'Ndarja fetare ka bërë gjënë që Arabia Saudite është në luftë të fortë ideologjike fetare me Iranin. Arabia Saudite dhe Irani janë të kundërt në ideologjinë fetare dhe automatikisht janë të kundërt edhe në gjithë gjërat e tjera', nënvizon Çuko.

Sa i përket Shqipërisë, eksperti shpreh vlerësimin për nismat e qeverisë dhe buxhetin e shtuar të mbrojtjes për këtë vit.

'Buxheti i mbrojtjes këtë vit është 500 milionë euro, nuk është pak. Lidershipi politiko ushtarak në ministrinë e Mbrojtjes, kanë hartuar strategjinë ushtarake për planin e zhvillimit të forcave të armatosura për 10 vitet e ardhshme, ku parashikohet rritja e kapaciteteve, modernizimi i ushtrisë, strukturën për mbrojtjen kibernetike. Të gjitha armët e sotme nuk mund të jenë efektive pa pasur masë të fortë kundër sulmeve kibernetike', përfundon ai.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?