Intervista me infermierin: Pas 9
vitesh punë, kontratë në Gjermani

5 Maj 2016, 07:51| Përditesimi:

  • Share
Infermieri 32 vjeçar Fatjon Lezha, nga qyteti i Shkodrës, është një prej infermierëve të parë që nënshkruan kontratën e punësimit në Gjermani. Para pak ditësh në ambjentet e Interpersonal Albania në Tiranë, Fatjoni firmosi kontratën e punës me një shërbim infermieror ambulant në Bad Durkheim (Rheinland Pfalz), Gjermani. Kjo kontratë erdhi pas trajnimit në gjuhën gjermane dhe trajnimit professional (Infermieristikë).

Fatjoni është një nga infermierët e parë shqiptarë të trajnuar në Interpresonel Albania në bashkëpunim me Dekra Akademi, që punësohet në Gjermani në bazë të një kontrate të rregullt pune si infermier me një pagë mujore rreth 1 900 euro.

Pas hapjes së Interpresonel Albania në Tiranë në bashkëpunim me Dekra Akademi, për infermierët shqiptarë tashmë është hapur një front i ri punësimi mjaft i lakmueshëm për infermierët shqiptarë sa i takon kushteve të punës, kontratave dhe pagesës shumëfish më të lartë nga ajo çka përfitojnë në Shqipëri.
Gjatë muajve të verës 2015 në “Shqiptarja.com” u publikuan shpesh informacione dhe intervista për këtë mundësi të re për infermierët shqiptarë, pas çeljes së Interpersonel Albania dhe marrëveshjes së shtetit shqiptar me kompaninë gjermane Dekra. Fatjon Lezha është një ndër infermierët që është nxitur pikërisht nga këto publikime për t’u regjistruar dhe trajnuar në Interpersonel Albania.

Pas nënshkrimit të kontratës së tij të punës në Gjermani, ne i morëm këtë intervistë Fatjonit, i cili veç mundësive të reja që sheh pas kësaj kontrate rrëfen edhe eksperiencat e tij të mëparshme si infermier në spitalin rajonal të Shkodrës.
 
Fatjon si të lindi ideja për t’u trajnuar në gjuhën gjermane dhe infermieri dhe për të synuar tregun gjerman të punës? 
Unë punoja prej 9 vites si infermier në urgjencën e spitalit rajonal në Shkodër. Kisha lexuar në gazetën “Shqiptarja.com” për marrëveshjen e re të Dekras me shtetin shqiptar dhe hapjen e Interpresonel Albania. Kur mësova se stafi i interpersonel Albania ishte për një takim në Shkodër me grupet e interesit, shkova dhe u interesova aty për aktivitetin dhe synimet e Interpersonel Albania. Pak muaj më vonë, lexova për çeljen e regjistrimeve në tetor të 2015. Jam regjistruar dhe kam nisur trajnimin aty për gjuhën gjermane dhe trajnimin professional në infermieristikë. Unë kam qenë në grupet e para të infermierëve të trajnuar në Interpersonal Albania. Dhe tashmë sapo kam firmosur kontratën e punësimit në një shërbim infermieror ambulant në Bad Durkheim në Gjermani.
 
Si funksionon ky shërbim? Çfarë pune do të bëni konkretisht në gjermani dhe çfarë kushtesh ju ofrohen?
Është një shërbim infermieror, që shpërndan infermierë në shtëpi apo në vendet ku kërkohet kujdes infermieror. Puna zgjat 40 orë në javë dhe ka një page rreth 1.900 euro. Banesat i siguron Dekra dhe përveç banesës, në qoftë se ne na duhet për startimin e jetës atje, siguron pagesa shtesë, të cilat janë në formë borxhi, por për fillimin e procesit të punës atje, për ne janë ndihmë shumë e madhe. Po kështu, Dekra bën edhe ekuivalencën e dokumenteve të landit përkatës dhe jep spunto ekonomike. Me eksperiencën që kam dhe përkushtimin tim, mendoj dhe do të synoj pozicionin e kryeinfermierit.
 
Ju keni qenë edhe më parë në Gjermani. Madje keni provuar të punoni atje. Pse nuk funksionoi herën e parë?
Une kam qenë disa herë në Gjermani për arsye turizmi, shkolle apo së fundmi dhe punësimi, ishte në Mars te 2014 faktikisht, ku kam qenë në Mynih dhe atje kam vendosur nje parakontratë me një spital të njohur në Bavari, mbasi kam kaluar intervistën e punës dhe provën profesionale me sukses. Nuk arrita të sistemohem aty sepse përveç kontratës së punës nevojitej edhe Njohja e profesionit (Ekuivalenca e diplomës) që më pas të merrja lejen e punës dhe të qëndrimit nga autoritetet përkatëse. Bërja në mënyre individuale e këtij procesi është jashtëzakonisht e vështirë edhe pse mund të kesh mbështetjen e punëdhënesit, kryesisht ka vështirësi administrative që është më e rëndësishmja, si dhe kosto po kështu merr shumë kohë deri në mbylljen e plotë të procesit dhe s’është e sigurt në qoftë se merr gjitha dokumentet e duhura pastaj për të aplikuar për vizë.

Nga ana tjetër shteti gjerman dhe ministria e Punës në Shqipëri si një vend i botës së tretë nuk kanë marrëveshje bilaterale për punësimin e personelit shëndetësorë. Siç mund ta ketë ndonjë vend i rajonit (Projektin Tripel Winn) psh, apo qytetarët e Unionit Europian. Për këtë arsye zgjodha projektin nga DEKRA Co dhe Interpersonnel Albania. Ku përmes tyre këto procedura janë të thjeshta të realizueshme dhe konform ligjit.
 
 
Si ka qenë eksperienca juaj si infermier në Spitalin rajonal të Shkodrës, eksperianca e marrë aty, etj?
Unë kam filluar punën në Spitalin Rajonal të Shkodrës në Gusht të vitit 2007, si infermier terapie, pasi më përpara kisha punuar po në këtë spital si infermier vullnetar. Pas një kohe të shkurtër jam sistemuar në repartin e Kirurgjisë, dhe pastaj, që nga marsi 2010 punoj në sallën e operacionit të Kirurgjisë në rolin e infermierit instrumentar. Eksperinca në Kirurgji dhe puna me stafin e mrekullueshëm aty më ka dhënë një spunto të madhe profesionale gjë e cila e bën më të lehtë punën time në të ardhmen në Gjermani, pavarësisht se në një vend europian ku infrakstruktura standartet dhe kujdesi shendetësorë qëndrojnë në nivele më të larta.
 
 
Sa i vjen në ndihmë të një infermieri si ju, trajnimi profesional në Interpersonel Albania, pra trajnimi në infermieri, nuk po flasim per trajnimin e gjuhës gjermane. Pse i nevojitet një infermieri një eksperience e tillë?
Trajnimi në Interpersonnel Albania në fushën e kujdesjeve infermierore ështe shumë i nevojshëm dhe kuptimplotë për të gjithë që kërkojnë të kenë një të ardhme të sukseshme në kujdesjet infermierore në Gjermani. Sigurisht që infermierët me eksperincë, apo pa, në Shqipëri janë të motivuar dhe kanë njohuri të mira në praktikë, por sitli apo modeli gjerman në infermieri ka më shumë përpikmëri me manipulimet dhe infermierit këtu i kërkohet të fokusohet më tepër në aspektetet e kujdesjeve infermierore se sa në pergjegjësi apo manipulime, të cilat i përkasin mjekut. Prandaj në këtë kontekst une mendoj që trajnimi profesional tek Interpersonnel Albania nga trajnues të ardhur nga Gjermania, më ka ndihmuar mjaftueshëm përsa i përket modelit dhe kulturës gjermane në kujdesjet për pacientin si dhe procedurat e protokollit infermieror.
 
A keni informacioni mbi qytetin ku do të punoni në Gjermani? Si e mendoni integrimin tuaj atje?
Qyteti ku unë do të shkoj quhet Bad Durckheim dhe ndodhet në Landin Rheinland Pfalz, në jugperëndim të Gjërmanisë. Është një zonë shumë e mirë. Kjo është një klinike e cila merret me shërbimin ambulator për zonat e Rheinland Pfalzit si dhe Baden Wurtembergut. 
Pjesa e integrimit atje është shumë e rëndësishme ku një rol këtu luan përsëri distributori Dekra, pavarësisht që në rast tim unë jam një person që kam jetuar dhe udhëtuar jashtë Shqipërisë në vendet e EU, por përsëri këtu Dekra vjen në ndihmë përsa i perket mundësimit të një kursi integrimi per punonjësit atje, po qe nevoja, gjë kjo që do më ndihmojë sigurisht në përshtatje më të shpejt me vendin dhe jetën atje.
 

 
Pas trajnimit në gjuhën gjermane dhe infermieri
 
Musa Ahmeti:
13 infermierë nënshkruan këto ditë kontratat e punës në Gjermani

 
 
Drejtori ekzekutiv i Interpersonel Albania Musa Ahmeti, thotë se numri i infermierëve të interesuar për tu regjistruar në Interpresonel Albania, ka qenë në rritje sidomos pas dy publikimeve në suplementin Drejt Punës në mujat shkurt dhe mars 2016. Sipas përllogaritjeve të përafërta në dy javët që kanë pasuar këto publikime ne Drejt Punës, në gazetë, faqen ëeb dhe facebook, janë rregjistruar në interpersonal Albania 348 infermierë të nxitur drejtpërdrejt nga këto publikime. Sipas z.Ahmeti, janë rreth 30 përqind e rëgjistrimeve të tre muajve të parë të këtij viti të nxitur nga këto publikime.
 Z.Ahmeti tregon se një rast i tillë ishte edhe ai i infermierit Fatjon Lezha, një prej infermierëve të parë të trajnuar në Interpersonal Albania, që tashmë ka nënshkruar kontratën e punësimit në Gjermani.

“Fatjoni kishte lexuar informacionin në suplementin “Drejt Punës” dhe erdhi këtu dhe aplikoi. Ai tani eshte ndër infermierët e parë qe po punësohen në Gjermani dhe ka të garantuar vendin e punes, lejen e qendrimit dhe levizjen e lire ne vendet e BE deri në moshën e pensionit.
Ne momentin qe ka firmosur kontraten Fatjoni e ka te garantuar pagen mujore prej 1900 eurosh. Pos kësaj Fatjoni ka te paguara edhe siguracionet dhe kontributet si dhe nje rritje rroge shtese prej rreth 24% sepse ka 9 vjet pervoje pune në Shqipëri”.

Sipas Drejtorit ekzekutiv Musa Ahmeti, në Interpersonel Albania janë nënshkruar këto ditë edhe 13 kontrata të tjera punësimi në Gjermani. Ai përmend mes tyre edhe 5 raste të tjera qe e kane ndjekur kete rruge të nxitur nga publikimet në Shqiptarja.com dhe Report TV.
Përveç Fatjonit, mund t;ju përmend rastin e Anisa Prendit, 26 vjeç nga Lushnja që sapo ka nënshkruar kontratën e punës në Gjermani. Edhe Anisa është nxitur nga publikimet në “Drejt Punës”. Po ashtu edhe rasti i Brunilda Rirës, 25 vjeç nga Librazhdi, i Brikena Bufit 41 vjeç nga Korça, Gertin Capo, 23 vjeç nga Pogradeci, apo i Margaret Guraziu 30 vjeç nga Shkodra.



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?