Intervista/ Hysni Cenameri: Si
e përfitojnë falas zanatin të rinjtë 

26 Maj 2016, 08:17| Përditesimi:

  • Share
Të gjithë ëndërrojnë më të mirën për veten e tyre dhe duan që, në një të ardhme të kenë një profesion, i cili do të mundësojë të ardhura të mjaftueshme dhe kënaqësi profesionale. Pa diplomë nuk mund të gjesh një vend të lirë në tregun e punës. Mundësi mjaft të mira për të realizuar dëshirat e paplotësuara dhe për të pasur një shans më shumë për të fituar një vend pune janë edhe kurset profesionale në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Nr. 4. Në këtë drejtori ofrohen 24 lloje kursesh profesionale, ku të rinjtë mund të zgjedhin dhe të regjistrohen falas, nëse sjellin një vërtetim nga Zyra e Punës, që janë të papunë. Këtë herë, shkuam në këtë drejtori, e cila ndodhet në bllokun “Vasil Shanto” dhe në të tre katet e saj zhvilloheshin kurse të ndryshme. Një ndër kurset ku ne qëndruam ishte ai i hidraulikës, ku në krye të nxënësve ishte mësuesi i tyre, Hysni Cenameri, me të cilin kemi shumë për të biseduar. 

 
Përshëndetje, profesor! Na shpjegoni pak, ku gjendemi këtu?
Përshëndetje edhe ju! Ne jemi këtu pranë kabinetit hidraulik, ku kursantët tanë mësojnë për instalimet e pajisjeve hidrosanitare në ndërtesa civile. Kursantët punojnë me të gjitha llojet e tubacioneve, si tubat xingato, tubat plastike, tubat multistrada, të cilët ai mundohet t’i lidhë dhe t’i çojë deri në pajisjet hidrosanitare.
 
Profesor, sa vite keni që jepni mësim në këtë kurs ose që jeni pjesë e këtij zanati?
Unë si instruktor kam që në vitin 1978 këtu si mësues, që kur kam mbaruar shkollën e lartë dhe tani vazhdoj të instruktoj e të mësoj këta kursantë. Në fillim fare unë kam qenë mësues teorie, jepja lëndët e vizatimit teknik dhe të teknologjisë së metaleve. Pastaj, më tutje, me ndërrimin e sistemit, meqenëse industria mekanike pothuajse u shua në vendin tonë, u drejtova drejt zanatit të ngjashëm me atë mekanik, pra me instalimet hidraulike. Në fillim fare ne filluam me tubat metalikë siç janë tubat xingato, pastaj, me kalimin e kohës, u futën tubat plastikë dhe, siç e thashë, edhe ata tubat të quajtur multistrada, të cilët e kanë edhe ata sistemin e montimit të çmontueshëm me filetim, si dhe montimin e paçmontueshëm me preçidime.
 
Profesor, do të doja të ndaleshim pak tek interesi për këtë profesion. Le të themi që për hidraulikë ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë nevojë, apo jo? Këtë nuk mund ta mohojmë.
Patjetër. Që në fillim fare, unë thashë që ne jemi për instalime hidrosanitare në ndërtesa civile. Atëherë, bumi i madh i ndërtimeve që ka pësuar vendi ynë rriti edhe kërkesën e madhe për instalues hidraulikë për ndërtesat civile. Tani, që kohët e fundit, ne po hapemi edhe në Evropë, ky zanat po kërkohet shumë edhe atje, atëherë të gjithë kursantët edhe disa që kanë ardhur, të cilët kanë qenë dikur në Evropë si emigrantë, kërkojnë dëshminë, e cila u vërteton atyre që e njohin këtë zanat dhe dinë ta praktikojnë në praktikë këtë zanat.
 
Si funksionon konkretisht ky kurs? Sa kohë zgjat? Çfarë përfitimesh ka këtu?
Ky kursi ynë bëhet për një periudhë 5-mujore, me 390 orë mësimi, të ndara në 3 module 130-orëshe. Në modulin e parë kursanti mëson vetëm instalimin e rrjetit ujësjellës të ngrohtë dhe të ftohtë, në modulin e dytë ai mëson montimin e pajisjeve dhe në modulin e tretë ai mëson montimin dhe riparimin, si dhe zhvillimin e çdo defekti që mund të ndodhë gjatë montimit të këtyre pajisjeve.
 
Për kaq shumë vite sa keni në këtë profesion, ju vetë, mund të themi, që quheni një nga historitë e suksesit, për të gjithë përvojën që bartni dhe që ia transmetoni brezave. Si i shikoni këta të rinj në tregun e punës. Besoj se ju i nxirrni nga ky kurs, i shikoni që të bëhen pjesë e aktiviteteve, që të jenë të punësuar, që të kenë, le të themi, jetën e tyre të bazuar në këtë profesion dhe në këtë trajnim që kanë marrë.
Kuptohet që një masë e madhe e këtyre kursantëve që dalin nga ne, janë të punësuar në të gjitha ato që thamë më sipër, pra në ndërtimet civile. Por, pa përjashtuar edhe raste që kursantët tanë janë punësuar në Gjermani, në Zvicër etj., dhe janë të kënaqur me këtë profesion dhe me këto njohuri që kanë marrë këtu te ne, sepse ne kemi një kurrikul të tillë të ndërtuar, që është bashkëkohore, që nga llojet e tubave që thamë e deri në montimin e të gjitha pajisjeve moderne që kanë ardhur kohët e fundit, siç janë ato që quhen sistemi kolozeta që i themi ne, të thjeshta, dhe sistemi kolozeta me ndenjëse, duke futur në këto dhe bojlerët e ndryshëm ose ngrohësit e ujit.
 
Shoh që këtu jeni të pajisur mirë si kabinet, të paktën për njohuritë e mia. Me çfarë mjetesh punoni? I shikoni dhe i provoni gjërat konkretisht, jo vetëm në teori?
Po, kuptohet siç shikohet këtu në kabinet, ne i kemi të gjitha pajisjet hidrosanitare të ngritura në disa kabina të vogla, të cilat ne i imagjinojmë sikur janë banja të ndërtesave civile. Aty kursanti monton linjën e ujit me të gjitha rregullat e montimit duke bërë dhe provën nëpërmjet një pompe të komandueshme për të matur presionin dhe për të shikuar rrjedhjet e mundshme gjatë montimit që ka zbatuar ky kursant.
 
Ky kurs funksionon me pagesë apo pa pagesë?
Ky kurs, tani kohët e fundit, është bërë pa pagesë, për të gjithë të papunët është pa pagesë, përveç atyre rasteve kur ndonjë, që do të mësojë për dëshirën e vet, ka një pagesë simbolike, një shumë që është 4.000 lekë për të gjithë kursin.
 
Si i përballoni kërkesat me gjithë këtë interes që ka për këtë degë?
Kuptohet, kërkesa është kaq e madhe, dhe ne jemi dy mësues: unë që quhem Hysni Canameri dhe mësuesja tjetër, inxhiniere, që quhet Manjola Kote. Secili nga ne ka 2 kurse që funksionojnë 2 paradite dhe 2 pasdite, me nga 4 orë mësimi. Brenda këtij 4-orëshi zhvillohet 1 orë teori dhe 3 orë praktikë.
 
Dua të ndalem pak te kohëzgjatja e këtij kursit dhe kualifikimi. Sigurisht që njohuritë që janë sot, nuk janë ato që ishin deri dje. Flas këtu për vitet kur ju e keni nisur këtë profesion. Si ka ndryshuar kualifikimi teorik? Ju si informoheni? Me çfarë programesh operoni këtu?
Kuptohet që programet që zhvillohen këtu janë të bazuara në literaturat e reja që shpërndahen me anë të librave, internetit, si kudo. Këto ne ia transmetojmë kursantëve për sa i përket llojeve të materialeve dhe llojeve të pajisjeve. Këtë literaturë kursantët e përvetësojnë dhe e praktikojnë atje ku duhet për të montuar dhe për të instaluar këto lloje pajisesh.
 
Na bën përshtypje edhe diçka tjetër. I shohim të gjithë kursantët me veshjen e duhur, me uniformën e tyre, janë të kujdesshëm dhe kanë një lloj edukate në mënyrën e zhvillimit të proceseve. Si ia arrini kësaj?
Kuptohet që siç i shikojmë këtu, kursantët tanë ne i kemi pajisur me rroba pune duke zbatuar edhe rregullat e sigurimit teknik, në ato kushte moderne që do një punë, që do një montim. Madje, edhe te manekini ne i paraqitim të gjitha rregullat e sigurimit teknik, me qëllim që kursanti, që në momentin e parë që hyn në këtë kabinet, të kuptojë se ka një veshje pune dhe ka rregulla. Kështu jemi munduar me mundësi modeste, duke i pajisur kursantët me veshje pune, të cilat u duhen për të punuar dhe për të bërë një punë me cilësi, si edhe brenda normave të caktuara.
 
Kur një hidraulik e zhvillon si duhet profesionin e tij, mund ta bazojë jetën e vet dhe të familjes së tij te të ardhurat që përfitohen nga ky zanat?
Ajo është më se kuptimplote. Një kursant i cili e ka marrë zanatin, ai e do këtë për të fituar të ardhurat e tij, për të mbajtur familjen e tij. Dhe këtë e kanë treguar rastet që ne kemi të punësuar nëpër ndërmarrje ose ndërtime të ndryshme në ndërtesat civile.
 
Është ky një profesion i paguar?
Patjetër që është një profesion i paguar dhe ka një vlerë, sepse të bësh sot një banjë, minimalja është 10.000 lekë të reja, për instalimin e një banje, pa përmendur këtu banjat më moderne, më të përsosura, më të mira, sipas kushteve të punës dhe sipas pagesës ku monton ai, në pallate ose ndërtesa civile vetjake.
 
Profesor, do të doja të ndalesha edhe në një aspekt tjetër. Shoh që këtu, në Njësinë Nr. 4, të gjitha kurset kanë mbarëvajtje të mira me njëra-tjetrën. Kontribuon kursi që ju drejtoni në gjithçka që duhet, edhe në infrastrukturën e kësaj shkolle?
Po, kjo është e kuptueshme që ne, përveçse i mësojmë kursantët, i fusim edhe direkt në praktikë për nevojat e vetë shkollës, duke u kombinuar edhe me kurset e tjera. P.sh. ne kemi kursin e sistemit të ngrohjes e ftohjes, kemi kursin e paneleve diellore dhe kursantët ne i orientojmë që, pasi ata mësojnë bazat fillestare të instalimit të ujit të ftohtë e ujit të ngrohtë, të kalojnë në këto kurset e tjera sepse janë të ngjashme. Në njërin kurs bëhet ngrohja me bojler me sistemin e rrymës elektrike, në kursin tjetër bëhet ngrohja e ujit me anën e rrezeve të diellit ose me kaldaja të ndryshme. Pra, gjithmonë e kemi këtë gërshetim midis instruktorëve dhe midis kursantëve, të cilët duke kaluar nëpër këto kurse marrin akoma më shumë njohuri dhe dalin më të përgatitur në punën e tyre të përditshme.
 
Pra, le të themi, që një person pasi përfundon këtë kurs ka një tjetër orientim drejt tregut.
Patjetër, kursanti që mbaron këtu merr edhe një tjetër orientim drejt tregut, se ku mundet që të punojë sepse ky kursant mund të shkojë edhe për instalimet e ujësjellësit të qytetit, mund të shkojë në gjelbërim, mund të shkojë në fabrika të ndryshme si ato të birrës, të qumështit, të karburanteve, sepse vetë sistemet e tyre janë me tubacione. Ku ka sistem tubacionesh hidrauliku është i detyruar t’i bashkojë këta tuba për t’i çuar në vendin e caktuar atë lloj lëngu ose atë lloj uji.
 
Ju keni kontakte me biznese private ose me struktura shtetërore që këta kursantë të jenë të mirorientuar.
Kuptohet që ne në bordin e shkollës sonë kemi edhe një përfaqësues të Shoqatës së Bizneseve, me të cilat ne lidhemi, diskutojmë, çojmë kursantët më të mirë. Tani pata rastin që dërgova kursant te një firmë ndërtimi, për të instaluar pajisje hidrosanitare, ndërsa profesori i kursit të elektricistit dërgoi kursant në një firmë që merret me kondicionerë, për instalimin e kondicionerëve. Pra, gjithnjë ne mbajmë kontakt me të gjitha llojet e bizneseve sipas degëve përkatëse për secilin instruktor.
 
Dhe diçka të fundit, profesor. Hidrauliku është një profesion që mund të punojë i shkëputur apo është e nevojshme që të punohet në grup, le të themi, apo në brigada siç jemi mësuar ta dëgjojmë si shprehje.
Kjo është e bukura e këtij profesioni sepse hidrauliku mund të punojë edhe në brigadë edhe individualisht. Kemi punime në shumicë në ndërtesa pallatesh nga 10 deri në 60 banja, por kemi edhe 1 banjë të veçantë për të cilën nuk mund të çojmë një grup, por çojmë një specialist i cili kryen këtë proces pune.
  
  
Rrëfimet e kursantëve që synojnë të bëhen hidraulikë
 “Hidraulika, profesioni që ka punë në çdo sezon dhe paguhet mirë”
 
 
 
Në një intervistë në CNN, biznesmeni i njohur amerikan Majkëll Blumberg, dha disa këshilla se si të bëheni të pasur në kohën e tanishme. Për miliarderin amerikan Majkëll Blumberg, çelësi i suksesit sigurisht nuk janë studimet e gjata dhe shpesh të shtrenjta. Në SHBA Blumberg mishëron suksesin financiar dhe human. Blumberg dha disa këshilla se si të bëhemi të pasur në kohën e tanishme: - Harrojini kolegjet, mësoni zanatin e hidraulikut, - tha miliarderi 72-vjeçar dhe shtoi, - kjo është një punë e madhe sepse ju keni fuqi për të përcaktuar çmimet e tyre dhe në këtë mënyrë keni një profesion të rëndësishëm.
Profesioni i hidraulikut duket se nga përvojat e suksesshme të të afërmve apo të personave që kanë ngritur me punën e tyre ndërmarrje të mëdha, ka bërë që, përveç pasionit për këtë profesion, punës që nuk mungon asnjëherë, në çdo sezon, ka dhe një favor shumë të rëndësishëm në jetesën tonë, pagesa mjaft të mira.
Ne shkëputëm disa fjalë të kursantëve të cilët vinin jo vetëm nga Tirana por edhe nga qytete të tjera.
 
***
Si quheni?
Miklovan.
 
Është hera e parë që bie në kontakt me këtë profesion apo je kualifikuar më parë apo ke punuar diku më parë?
Për herë të parë.
 
Si të lindi dëshira që të bëhesh pjesëmarrës në këtë kurs?
Nga familja.
 
Të shtyu familja?
Po. Dhe vazhdova. Ta provoj.
 
Mirë, atëherë. S’po të marr më tepër kohë.
 
***
Përshëndetje!
Si quheni?
Marjano.
 
Marjano, mund të më thuash pak se si lindi kontakti yt me këtë profesion të hidraulikut. Është pasioni juaj, shtysë nga familja apo diçka tjetër?
Edhe nga familja, por edhe vetë, për të pasur një zanat që të punoj.
 
Pse zgjodhët pikërisht hidraulikën?
Edhe daja im punon hidraulik dhe unë duke punuar me të fillova të krijoj idenë e këtij zanati.
 
Ke dëshirë që ta bëni si biznes të familjes, si zanat të familjes deri diku?
Po, po.
 
Si e ke menduar të ardhmen tënde. Sigurisht që ky kurs është vetëm fillimi apo jo? Si ke menduar që ta vazhdosh?
Do ta vazhdoj për të marrë diplomën dhe ndoshta do të aplikoj për vizë pune në Gjermani.
 
Pra, synimet janë larg?
Po, po.
 
Ke informacion se si mund të kesh përfitime, si mund të jenë të ardhurat e tua duke qenë pjesë e këtij zanati?
Nuk e di, mund të kem të ardhura ndoshta duke u përpjekur më shumë, duke u bërë një profesionist më i mirë, duke punuar nëpër ndërtesa civile.
 
Po pse pikërisht ke dëshirë që të shkosh në Gjermani dhe jo të rrish në Shqipëri?
Po sepse dihet që pagesa është më e mirë se këtu.
 
Synimet janë më të mëdha?
Po, po.
 
Të urojmë suksese!
Faleminderit!
 
***
Si quheni?
Agron.
 
Agron, çfarë jeni duke bërë konkretisht?
Unë tani po bëj një instalim me tubin plastik dhe po e ngjis për të bashkuar ujin e ftohtë me ujin e ngrohtë.
 
Jeni nga Tirana po nga ndonjë qytet tjetër?
Jam nga Divjaka.
 
Nga Divjaka. Si ratë në kontakt me këtë kurs? Si e morët informacionin? Pse zgjodhët që të kryeni këtë kurs të hidraulikut?
E kam pas qejf që i vogël profesionin e hidraulikut dhe vendosa që të bëj një kurs për ta bërë profesionin tim.
 
Ke punuar ndonjëherë?
Po. Kam punuar.
 
Kur ke punuar, ke ndjekur ndonjë profesionist apo zanatçi të vjetër?
Po, zanatçi të vjetër. Kam punuar rreth 2 vjet e ca. Tani vendosa të bëj kursin, të marr certifikatën.
 
Dhe të dalësh i pavarur.
Po.
 
Mendon që do t’ia dalësh në jetën tënde duke punuar në këtë profesion?
Them se po sepse e kam me shumë qejf që të bëhem hidraulik.
Po familja jote ç’thotë? Çfarë mendimi ka?
Shumë mirë, thotë, duhet të vazhdoj. Ata duan që unë të kem një profesion timin, të jem i pavarur.
 
***
Si quheni?
Aleko.
 
Aleko, sa kohë ke që je pjesë e këtij kursi?
Po bëhen gati 3 muaj.
 
Je i kënaqur?
Po, shumë.
 
Çfarë informacioni ke marrë deri tani për këto procese që kryen hidrauliku?
Për çdo gjë, që nga fillimi që e kemi nisur, si ngjitje, montim pajisjesh etj.
 
Nga cili qytet je?
 
Nga Skrapari.
 
Nga Skrapari vjen në Tiranë për të bërë kursin?
Po sepse është një gjë shumë e mirë, pasi të jep një profesion.
 
Ke punuar ndonjëherë?
Jo, asnjëherë.
 
Si ke dëshirë që ta vazhdosh këtë rrugë?
Duhet të mbaroj njëherë kursin, pastaj nuk e di, të shohim se ku mund të punoj. Synoj më tepër jashtë vendit se sa këtu.
 
Je optimist?
Po.
 
Të uroj suksese!
 
***
Mes të rinjve që ndiqnin këtë kurs ishte edhe 15-vjeçari, Arjani, i cili ishte dhe më i riu ndër të tjerët. Me fjalë të pakta, por duke mos e ndërprerë për asnjë moment punën e tij, ai dukej i lumtur në këtë profesion që po studionte dhe ishte optimist për të ardhmen.
 
Çfarë je duke kryer?
Jam duke bërë një filetim.
 
Për çfarë shërben ky filetim?
Për të lidhur tubat.
 
Ti më dukesh shumë më i ri se sa shokët e tu. Të pëlqen që je pjesëmarrës në këtë kurs?
Po.
 
Çfarë të tërheq te hidraulika?
Për zanatin.
 
Do që ta vazhdosh?
Po.
 
Ke dëshirë që të punosh? Ke punuar ndonjëherë?
Jo, jo. Hera e parë.
 
Kush të shtyu që të futesh në këtë kurs?
Familja.
 
Por edhe ty të pëlqen, apo jo?
Normal.
 
Të pëlqen ajo çfarë ke mësuar deri tani? Duket që do të të vlejë?
Po, po.
 
Mirë, vazhdo atëherë se kam dëshirë të të shikoj në proces. Punë të mbarë!
Faleminderit!



Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?