Intervista e fundit e Petro Markos
“Ja pse më urreu Enver Hoxha”

26 Nëntor 2013, 07:13| Përditesimi:

  • Share
Paskëshin qenë aty në Bibliotekën Kombëtare të gjitha veprat e Petro Markos, edhe ato për të cilat censura politike dha urdhër “të bëheshin karton”! Por, në fondin e kësaj biblioteke ato qenë pajisur me një kartelë speciale, ku shquhet shkronja R (Rezervuar). Duket se veprat janë censuruar, sapo kanë parë dritën e botimit.
Petro Marko është kujtuar dje në Bibliotekën Kombëtare me rastin e 100-vjetorit të lindjes me ekspozimin e serisë së ekzemplarëve të rreth 70 botimeve. Ekzemplarët nisin me shkrimin e parë të botuar, poezia “Flamurit”, nënshkruar me pseudonimin “Vlonjati” në revistën “Shqipëria e re”, 9 dhjetor 1930, vijojnë me vëllimet me poezi e tregime, pastaj me “Hasta la vista”-n e gjymtuar nga censura. Dhe..., pasi hedhin vështrimin nga njëra vepër në tjetrën, ekspozita mbyllet me intervistën e fundit të tij, dhënë më 7 shator, 1991, në gazetën “Drita” (Organ i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve). Kjo intervistë është dhënë vetëm tre muaj para vdekjes së shkrimtarit.

Ndërsa ekzemplarët e ekspozuar e rikthejnë shkrimtarin Petro Marko në vendin që meriton në letrat shqipe, arsyet e censurimit të veprave dhe të persekutimit e burgosjeve të pareshtura nuk u bënë asnjëherë publike.
Kaq i mistershëm ka qenë dënimi i Petro Markos, saqë edhe intervista e fundit në muajt e parë të rënies së komunizmit duket ende shumë e guximshme për kohën. Redaksia e gazetës “Drita” nuk e ka vënë emrin e intervistuesit, ku atij Petro Marko i rrëfen të gjithë odisenë tragjike të jetës. Rreshtat e kësja interviste mund të shërbejnë si një tekst ekskluziv për të 70 ekzemplarët e krijimtarisë që janë ekspozuar dje në Bibliotekën Kombëtare. Ja si rrëfehet fati i veprave dhe shkaqet e vërteta të persekutimeve të Petro Markos. “Ua them sinqerisht, mua Enver Hoxha më ka urryer”, kështu titullohet intervista e tij e fundit.
 
Petro Marko: “Si ma ndaluan Hasta La Vista-n më 1955-n”
 
Ja si fillon intervista me Petro Markon kur i bëhet pyetja për veprat e censuruara“: -Vepra e parë në fakt që më është ndaluar është “Hasta La Vista”. Pasi shkrova Hasta la Vista-n ua dhashë disa shokëve të Luftës së Spanjës; Mehmet Shehut, Skënder Luarasit, Zef Prelës, në mos kishin ndonjë vërejtje. Ata e pëlqyen. E çova në Lidhjen e Shkrimtarëve se atëherë romanet botoheshin në revistë. Nuk e botuan, ishte viti 1955. I bëra letër Mehmet Shehut që romani nuk botohet. Ai i kërkoi Dhimitër Shuteriqit një relacion, pse nuk botohet romani. Dhimitri më thirri mua dhe më tha me zë të ulët: “Të dije ti se kush ta ndalon!”. Bënte aluzion për Enver Hoxhën. Romani u botua në revistë, por me shumë shkurtime, sepse ka pasur redaktorë astmatik. Hoqën skenat më të mira se janë natyraliste. Prandaj romanin e kam të plotë në shtëpi në dorëshkrim. Edhe romani “Qyteti i fundit” u ndalua në ndërmarrjen e botimit, por me ndërhyrjen e kryeministrit të atëhershëm u botua pa i hequr asnjë presje, prandaj është edhe romani im më komplet që është botuar, siç është botuar edhe në japonisht. Në kuadrin e serisë Poezia Shqipe vite më vonë Ramazan Vozga përgatiti vëllimin tim.

Gabimisht në këtë cikël ishte botuar një poezi “Lot mërgimtari” e shkruar në vitin 1935. “Lot mërgimtari” janë 100 lot dhe secilit i kushtohet nga një poezi tetëvargëshe që i kam shkruar në kopshtin e  Athinës, që i mbantë Dhimitër Shuteriqi. Pikërisht në këtë vëllim të ri që përgatiste Ramzan Vozga një nga ata “lot”, gabimisht vihet në fund. “Seç u mbyll derë e mërgimit/ …vendi im sot prej mjerimit/ do të më duket si i huaj”. Kur e pashë këtë vëllim me këtë vjershë të fundit dhe kur e pa kryeministri u zemëruan. Se kë pyeti në shtëpinë botuese, “Kur e ka shkruar Petroja këtë poezi?”. Një komunist, një shoku im i vjetër, që e dinte shumë mirë se ishte shkuar më 1935-n, iu përgjigj se e ka shkruar tani. Atëherë u dha urdhër që të më hiqnin nga radhët e Lidhjes e të më sekuestronin librat. R.Vozga në mbledhjet e shumta që u bënë në ndërmarrjen botuese deklaroi se poezia nuk ishte  vënë në fund, por një dorë e fshehtë qëllimisht e kishte lëvizur poezinë e nga vend i vet. Ai kishte thënë se Petro Markoja është poeti më i komunikueshëm. më i lehtë për të punuar me të, pasi nuk i ndërhynte redaktorit në punën e tij”.
 
 
Rrëfim për romanin “Një emër në katër rrugë”

 
Petro Marko: “Vëllimi i poezisë dhe romani, një emër në katër rrugë, që u bë gjithashtu karton u bën një shkak në mbledhje të posaçme në Ministrinë e Arsimit. E drejtonte Mensor Bala. Akuza e parë u bë për poezinë, edhe unë ua dokumentova se e kisha bërë më 1935-n, por ishte gabim faqosja, por diskutimi u bë i rëndë, u bë i ndyrë për çështjen e romanit “Një emër nëpër katër rrugë”, i cili në përgjithësi bënte aluzion për kohën aktuale, ku vihej në dukej një thënie e Bismarkut “Një udhëheqës i një populli, kërkon me çdo kusht që moralin e tij t’ia imponoj popullit”. M’u bënë pyetje të çuditshme: “Pse princ Xhelali flet në këtë gjuhë?. Dhe unë u thashë: “Këtë gjuhë ka ai, matjançe”. Edhe një pyetje tjetër qesharake: “Pse tetar Rizai, komandanti i xhandarmërisë, ishte nga Kuçi i Kurveleshit. U thashë se “Zogu nuk merrte nga Danimarka xhandarë, por i merrte nga Kurveleshi”. Romanin e akuzuan për pornografi, sepse njëri nga personazhet e tij më të realizuar Bab Foti, subjektet e Dekameronit të Bokaçios ua tregonte fshatarëve si të ishin të vetat. U akuzua romani se duke folur për kohën e Zogut, në fakt moralin e saj ia vishte kohës së Enver Hoxhës.

U akuzua romani edhe se fliste për Institutin Femëror të Tiranës. Unë kisha thënë realitetin, Zogu zgjidhte vajza nga ky institut dhe ia kishin dhënë të bënte dashuri me to. Unë e kisha parë këtë të vërtetë me sytë e mi. Mirë po u revoltuan udhëheqësit që kishin qenë nxënëse në këto institute. Pra të tjerat ishin sebepe të sajuara. Pra, ky ishte shkaku i vërtetë pse u ndalua të qarkullonte romani “Një emër në katër rrugë”.
Më kërkuan paratë e romanit që ishin prishur për ta botuar. U thashë se nuk kam me se ta paguaj, në shtëpi kam një makinë qepëse dhe një shkrimi dhe ato po ua jap. Nga romani në atë kohë arritën të shpërndahen në 500 kopje.
 
Ndalimi i një drame dhe një skenari filmi
 
Petro Marko: “Mua me janë ndaluar edhe një dramë, edhe një skenar filmi artistik. Këtyre kujtimet të mia ua kam shkruar kapitujt “Drama e dramës” dhe “Skenari i skenarit”. U caktua të bëhet një film shqiptaro-sovjetik për luftën nacionalçlirimtare. U caktuan tre grupe shkrimtarësh nga një skenar. Cili të pëlqehej do të merrej për filmin. Skenarët u përkthyen në rusisht, erdhi regjisori sovjetik. Pas disa kohësh në thirrën në Dajt. Unë mora me vete Zef Prelën që dinte rusisht. Shkuam në Dajt dhe Çukraji përnjëherë tha: Më ka pëlqyer skenari i Petro Markos, “Bora e kuqe”. Për këtë kinostudioja më ka paguar 70 mijë lekë. Më shtrëngoi dorën dhe u shpërndamë nëpër tavolina. Njëri nga shokët i tha: “Atë që e ke zgjedhur ti, nuk e ka më qejf Partia”... Siç e mora vesh ai iku të pasnesërmen në Moskë shumë i zemëruar. Komiteti Qendror i Partisë së Punës kishte vendosur që të mos pranohej skenari im, “Bora e kuqe”.

Tani “Drama e dramës”. Kisha botuar në gazetën Drita tregimin “Male të bardha”. Më thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së. Më thanë që të vihej në skenë për 500-vjetorin e Skënderbeut. Mora përsipër se do të përpiqem dhe ika në fshat. Vajta në fshatin tim të lindjes, që s’ka fshat më të bukur në botë, në Dhërmi. Duke ristrukturuar dramën, më pëlqeu përcaktimi i dramës së Sartrit “Djalli i mirë dhe perënditë” dhe pak a shumë krijova këtë thelb të dramës. Skënderbeu si udhëheqës, bënte edhe vetë shpata në kudhër dhe armiku i gjeti një agjent dhe e veshi si kallogjer që të bridhte nëpër fshatra: “Mos luftoni kot se turku do të fitojë, Serbi humbi, greku humbi, dhjetëra popuj humbën, edhe juve do të humbni.” Kallogjeri ishte qorr dhe e mbante përdore një vajzë e bukur. Atë vajzë të bukur e mbante përdore i biri i njërit prej kapedanëve më të dëgjuar. Ky ishte qëllimi i armikut që ta dashuronin djemtë e kapedanëve. E mbarova dramën, e dorëzova. Pas një jave më thërrasin në aparatin e KQ-së. Më përqafojnë dhe më përgëzojnë. Më thonë se ke bërë një vepër të mirë që do ta vëmë në skenë. Ju luta që nëse do ta vinin në skenë të sillnin nga Korça Pirro Manin. Pirro Manin e prunë me ndihmës Pjetër Gjokën, skenograf Agim Zajmin.

Rolet u ndanë. Aktorët luftonin kush e kush të marrë rolin e Nikut, se drama kishte në titull emrin e tij. Naim Frashëri thotë: “Kësaj radhe Petroja ka bërë një dramë me të cilën mund ta përfaqësojmë me dinjitet teatrin tonë në Europë. Ëndrra ime është të luajë Nikun”. Drama mori çmimin e parë në konkursin e Ushtrisë Popullore dhe u botua në “Nëntori”. Unë me lekët e çmimit shtrova darkë me gjithë shokët, Mirëpo sekretari ideologjik i Komitetit të Partisë për Tiranën i thotë drejtorit të Teatrit “të ndalohet shfaqja e kësaj drame, se është liberale”.  Arsyeja ishte se mesazhi i dramës mund të merrej se djemtë e udhëheqjes janë imoralë, siç ishin me të vërtetë. Mirëpo këtë mesazh censorët e partisë e kapën me vonesë dhe kori qe përgatitur, rolet qenë ndarë, puna pati filluar. Ndërkohë nga sekretari i Partisë për lidhjen mora urdhrin “të mos përdor emrin e Enver Hoxhës, sepse nuk isha i denjë”. Për këtë sot e falënderoj. Megjithatë arsyeja e ndalimit të veprave dhe krijimtarisë nuk iu bë e qartë publikut asnjëherë. Akuza  kryesore e veprave ka qenë për kozmopolitizëm, roli i së huajës perëndimore.
 
Pse pikërisht kjo akuzë?
 
-Për të më neutralizuar që herët mua më vunë emrin “nacionalist kozmopolit”. Unë anëtar partie nuk kam qenë asnjëherë, as në vendet drejtuese. Megjithatë kam luftuar me këmbëngulje që jo vetëm ndonjërit t’i lejohet që të lexojë letërsinë bashkëkohore dhe të influencohet prej saj, por kjo t’u lejohet të gjithëve. Pse të lejohet vetëm ndonjërit që imitonte perëndimin dhe në veprat e tij nuk kishte asgjë njerëzore.
 
 
Cilat kanë qenë pasojat individuale dhe familjare ndërkohë që ju jeni një disident i vendosur për 40 e ca vjet?
-Pasojat më kanë shoqëruar gjithnjë. Më 1947-n kur isha kryeredaktor në Bashkimi më arrestuan sepse kisha konflikt me Josip Gjergjën. Pse unë doja që gazeta “Bashkimi” të bëhej e së njëjtës rëndësi si edhe Borba. Arrestimet bëheshin atëherë bashkë me vendimin gjyqësor. Arrestohet për t’u pushkatuar. Më 1950 u lirova. Atëherë po shkruaj në kujtimet e  titulluara “jetën e kam jetuar paralel në kohën e jetuar prej njerëzve”. Më 1951 mezi më rregulluan në punë si korrektor. Më 1955-n më dhanë të drejtën e  krijimtarisë, pasi shkrova Hasta La Vista-n. Rreziku m’u kërcënua sërish më 1967 kur në përgjigje të letrës së hapur të PPSH-së, si mjaft shkrimtarë që shkuan në bazë në qendra pune edhe unë shkova në Dhërmi.

Në Dhërmi ishte një drejtor kampi imoral, njeri i sigurimit, Theothor Treko. Ka vdekur dhe është varrosur si qen. Përdhunoi një vajzë 15-vjeçare. Prindërit e saj ishin barinj. Unë këmbëngula që ky drejtor të gjykohej para fshatit dhe të dënohej, nuk kam marrë parasysh se ishte njeri i sigurimit, njeri i Spiro Kolekës. Spiro Koleka erdhi urgjent në Dhërmi. Ngriti në këmbë partinë në Vlorë. Petri Shambri mblodhi gjithë fshatin.  Theodhoriu rrinte rrëzë një ulliri. Prindërit e vajzës kërkonin që ai të dënohej ose të hakmerreshin vet. U ngrit gjithë fshati dhe e demaskoi. U ngrit dhe Peti Shamblli dhe tha: “Ju jeni fshat reaksionar, ju jeni fshat i poshtër, ju keni kaq të burgosur politikë, të arratisur dhe të deklasuar. Këtu ka ardhur Petro Marko dhe ka rënë në pozita e reaksionit”. Kështu ua numëroi një nga të gjitha biografitë.
Njerëzit e sigurimit i lidhën me litar të trashë tre fshatarë dhe i arrestuan. Midis tyre ishte edhe Llambro Dede, me të cilin im bir Madushi shkonte për peshk dhe ai i tregonte histori delfinësh. S’kaloi pak kohë dhe erdhi letra për t’u internuar familjarisht në Elbasan. Këtë ma komunikuan në Lidhje. I bëj një letër urgjentisht Hynsi Kapos se “i hedh poshtë akuzat e Komitetit të Partisë së Vlorës dhe të Organizatës së Partisë Dhërmi, se Petro Marko ka dalë mbi partinë, etj.

Në Elbasan vete vetëm i lidhur dhe jo i zgjidhur”. Përgjigja më kthehet: “Për të shlyer fajin të shkosh në Malësi të shkruash një roman për kolektivizimin e Bujqësisë”.  Kështu lindi romani “Ara në mal”. Mirëpo persekutimi vazhdoi. Kjo ndihej në mbrëmjen që organizoi Lidhja me rastin e 60-vjetorit të lindjes sime vitin 1973. Në fjalën që mbajti Shefqet Musaraji, madje ka një fjali të tillë: “Ky është Petro Marko që ne e fundosim thellë e më thellë, e prapë ai del mbi ujë”. Ishin të zymtë e të mërzitur Ismaili, Dritëroi e të tjerë. Me sa duket ata e kishin nuhatur për çfarë po përgatitej kundër meje. Pas dërgimit të librave për karton u formulua vendimi që “Petro Markos t’i ndalohej e drejta e botimit. Ndalohej propagandimi i tij me mjete e informacionit. Ndalohet vepra e tij, që zhvillohet në shkolla”, etj. Mbas çdo disfate të tillë nuk guxonte të më fliste njeri kur kaloja. Një ditë mbas një qosheje me sheh Koço Kosta dhe unë bëra sikur nuk vura re, pasta aji kthehet prapë.

Unë të puth njëherë pastaj le të më varin. Në një 5 maj takohem ballë për ballë me Dritëro Agollin. Unë bëra sikur s’e pashë. Nuk më njeh tha. Jo i thashë. Jam kryetari, eja me mua më tha dhe më hodhi krahun dhe shkuam pimë kafe në “Tirana”, dhe më tha: “Unë sot jam më i privilegjuari ndër gjithë ata që bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve, sepse pi kafe me një dëshmor të gjallë”. Duke ecur rrugës njëherë tjetër Dhimitër Shuteriqi më tha: “Pse ecën kokulur, ç’i ke bërë kulturës sonë, letërsisë sonë, ti je më i miri se ne të gjithë”. Nasho Jorgaqi më takonte ndonjëherë. “Sa jam i kënaqur sot. Kam dhënë leksion veprën tënde”. Kjo ishte e ndaluar siç e thashë.

Goditja tjetër është arrestimi i djalit, u bë pikërisht për të më arrestuar mua. Në prill u përjashtova nga radhët e Lidhjes, në gusht m’u arrestua djali. Tërë jetën unë nëpër burgje. Atëherë më kujtohej motra ime Liloja që erdhi në burgun e Tiranës në kohën e Italisë. Ia dëgjoj zërin. “-Nuk të lëmë ta takosh, -i thoshin, -sepse nuk është i dënuar”. “Jo s’kam ardhur ta takoj, por kam ardhur t’ju them vareni që ta mbledh mendjen”. Ajo ishte e mençur. E dinte natyrën time.
Ja edhe im bir si unë, gjashtë vjet për agjitacion e propagandë, ishte i burgosur në Spaç. Atje është një përrua që duket sikur aty është mbledhur gjithë qelbi i tokës. S’ka vend më të keq. Takova njëherë një mësues. Më thoshte: “Ju nuk më njihni, por unë ju njoh që të gjithë, pranoni një kafe nga unë. Uroj të mos ju shoh më në këto rrugë të shkreta”. Heshtje e plotë në Shqipëri. Në Kosovë më botonin veprat, e më ribotonin veprat e mia dhe bëhesha në të gjitha kategoritë e shkollave.

Ali Aliu  shkroi librin “Katër romane të Petro Markos” dhe një studim tjetër. Radi dhe televizioni flisnin për veprën time. Më mbeti peng që nuk më dërguan asnjëherë në Kosovë, por asnjëherë nuk më dërguan as në bashkimin sovjetik ku nuk mbeti ballist pa vajtur. Kush nuk vajti nëpër botë. Mua nuk më dërguan askund. Asnjë komunikim me botën e letrave. Xhevahir Spahiu për ringjalljen time ka dhënë ndihmë të madhe, është poet i mirë, është edhe shqiptar edhe universal. Unë e kam si djalin tim. Rreth 15 vjet pas përjashtimit nga radhët e LSHA, Dalan Shapllo më thotë: “Eja në  Lidhje”. “Të vij për të mirë apo për të keq?!” dhe vajta. Gjeta Dritëroin dhe Dalanin. U ngrit Dritëroi e tha: “U ngrit Fat i Shqipërisë/ Si i vdekuri nga varri”. Më komunikuan se jam prapë anëtar i Lidhjes. Thashë: Për sa javë dhe për sa ditë?” Ua them sinqerisht, mua më ka urryer Enver Hoxha.
 
 Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?