Intervista/ 21 Janari vrau 4 vetë
por edhe Median dhe Drejtësinë

20 Janar 2016, 07:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Ndërsa transmetonim me dhimbje e pasion në News24 të vërtetat për 21 Janarin 2011, ne, drejtuesit e grupit të vetëm  me pronësi italiane, i cili prej 1993 ishte themeluar dhe drejtohej nga Carlo Bollino në Shqipëri, nuk e dinim se po firmosnim dhe fundin e punës tonë aty. E vërteta e madhe e treguar prej nesh me pamjet ekskluzive se plumbat që kishin shtrirë përtokë duke lënë pa jetë katër protestues, ishin qëlluar nga Garda e Republikës që ndodhej brenda oborrit të Qeverisë do të sillte pasoja për drejtuesit e grupit mediatik: mënjanimin me ndryshimin e pronësisë.  

Kohë më pas u mor vesh se publikimi i videove nga News24, që tregonin njëkohësisht përgjegjësitë penale të Gardës, përgjegjësitë politike të qeverisë dhe të pavërtetat e Sali Berishës, i cili kishte tentuar të inkriminonte Edi Ramën dhe organizatorët e protestës duke i akuzuar për vrasjet, shtyu pikërisht Berishën dhe njerëzit e tij të mbështesnin ndryshimin e pronësisë të atij grupi editorial, të cilin nuk kishte mundur ta kontrollonte asnjëherë, dhe as t’i mbyllte gojën. Në pak javë, një biznesmen afër Partisë Demokratike dha 6 milionë euro që u kërkuan për shitjen nga pronarët italianë që jetonin në Siçili dhe me 11 maj 2011 (saktësisht 4 muaj pas 21 Janarit) ai zë i shtypit të lirë kaloi nën kontrollin e PD-së.
 
Ai 21 janar 2011 qëlloi i rëndë edhe për ne të medias, edhe pse në një formë tjetër, falë Zotit, e rekuperueshme në krahasim me 4 protestuesit që humbën jetën e që sot, në këtë 5 vjetor dëshirojmë t’i kujtojmë: Ziver Veizi, Hekuran Deda,  Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Sot për ta nuk është vendosur ende drejtësi.

Me të njëjtin synim, për të mbyllur një burim informacioni të vërtetë, u tentua t’i mbyllej goja edhe denoncimeve të ish gazetarit të Abc Neës (grupi Klan) Fatos Mahmutaj, që atë 21 janar, rrezikoi të humbte jetën: Fatosi u plagos me një plumb në dorë duke raportuar nga protesta dhe si gazetar iu desh të përjetonte një nga pjesët më të shëmtuara që lidhin median-pushtetin dhe drejtësinë për të varrosur të vërtetën. Sot Fatosi ndodhet në Belgjikë dhe është ndër të parët azilantë shqiptarë aty.  Sot, për Shqiptarja.com dëshirojmë ta përkujtojmë 21 Janarin që troket nesër në përvjetorin e pestë, me dëshminë e këtij kolegu e duke folur për atë ditë, për mediat e Drejtësinë.

fatos mahmutaj
 
1) Fatos, shumë gjëra nuk u morën vesh ditën e 21 janarit 2011. Ose më mirë shumë gjëra u morën vesh në të mbaruar të ditës. Atëherë unë drejtoja Tv News24 dhe transmetonim pa ndërprerë e duke u përpjekur të jepnim të gjitha të vërtetat e të qartësonim çfarë po ndodhte, por për një lajm dua të kërkoj ndjesë: Ne nuk e mësuam që ju ishit mes të plagosurve. Nuk e mësuam atë ditë, dhe mbeti një nga lajmet më hermetike edhe në ditët në vazhdim. Një gazetar i plagosur duhet të ishte supertitull në të gjitha mediat. Ne duhet ta mësonim ashtu siç mësonim çdo plagosje, sherr apo lajm të vogël në çdo cep të Tiranës. Ju ishit mes të gjithë gazetarëve e kameramanëve, por lajmi nuk u mor vesh. Askush nuk e mësoi plagosjen tuaj? A mund ta kujtoni kronologjinë e 21 Janarit parë nga sytë tuaj për Shqiptarja.com? 
Nisi si një ditë e zakonshme pune. Ishte e tillë deri në orën 14:00 kur drejtuesit e ABC news më dërguan për të pasqyruar protestën e së majtës së bashku me dy kameramanët Sokol Peca e Daniel Vrapi. Duke shkuar dëgjuam në radio që një makinë e TV Klan ishte sulmuar dhe djegur nga protestuesit çka na këshilluan nga redaksia të mos përdornim logot e TV tonë.

Në fillim raportova gjatë një lidhjeje direkte se disa fëmijë po digjnin makinat e parkuara te piramida. Ma ndërprenë lidhjen dhe më thanë që në lidhjen e ardhshme të sqaroja që nuk ishin fëmijë por militantë të PS. Nuk e pranova këtë ndërkohë bëra disa video me aparatin tim personal fotografik për t’i pasur si provë që vërtet ishin fëmijë ata që po digjnin makinat. Pas pak minutash më telefonuan nga studio dhe më thanë që Edi Rama do jepte konferencë për mediat tek dera e dy kullave binjake. Nxitova deri atje por pash vetëm Ilir Beqjen.

Ai dukej i shkujdesur, çka të jepte përshtypjen se Rama nuk ndodhej atje. Nisa të ecja diagonal drejt derës së kryeministrisë, derisa mbërrita tek platforma që përdorej nga mediat. Aty kishin hipur qytetarë të ndryshëm që bënin video ose thjesht po shihnin protestën. Hipa edhe unë lart. Kërkova linjën dhe po raportoja direkt për sulmin ndaj forcave speciale përkrah piramidës, djegien e dy furgonëve Iveco të policisë midis piramidës dhe kryeministrisë, si dhe përplasjen e një makine tek porta e kryeministrisë. Vetëm pak çaste më vonë gjithçka siç duket u qetësua. Protestuesit që mbërritën deri tek dera e hapur e kryeministrisë nuk hynë brenda por u kthyen pas duke bërtitur e sharë. Ky ishte momenti kur forcat e gardës, për të vërtetuar burracakërinë e urdhëruesëve, nisën të qëllonin mbi turmën me armë.

Plumbi që më nisën për në kokë më kapi dorën me të cilën po shtrëngoja telefonin pas veshit, por nuk pati fat i ndjeri Hekuran Deda, koka e të cilit shpërtheu veç 10 cm nga imja. Unë vazhdoja lidhjen telefonike ndërkohë që nuk po kuptoja pse dora më ishte mbushur me gjak. Dëgjoj nga pas me një dialekt tipik vlonjat: Na vranë! “Nuk po kuptoj se çfarë po ndodh, ka krisma. Po qëllohet”, thashë gjatë raportimit, ndërsa spikeri më tha: “Bëj kujdes Fatos!”  Instiktivisht u hodha nga tavolina. Isha i fundit. Vazhdova drejt kullave binjake. Në këtë moment e shkëputa lidhjen telefonike me TV pasi telefoni im kishte mbetur hapur dhe po transmetohej direkt.

Aty takova një të njohurin tim i cili më tha se diku pas Kryesisë së Kuvendit ndodhej një autoambulancë. Një kolege e re gazetare, që nuk e njihja, dhe ende nuk e njoh por gjej rastin ta falënderoj, më dha facoleta dhe duke përdorur rripin e kartës së gazetarit i lidha plagët për të ndaluar hemoragjinë. U detyrova të kaloja nga poshtë kullave, pasi nga sipër ende po qëllohej dhe ishte rrëmujë. Mbaj mend që qytetarët e shumtë që më shihnin thonin: Po me gazetarin ç'patën! Pas rreth 10 minutash mbërrita por infermierët që ndodheshin aty nuk pranuan të më mjekonin.

Duke bërtitur e sharë dikush nga ata më mblodhi me një top fashoje dorën dhe më tha të largohesha shpejt. Morëm makinën dhe u kthyem në studio. Ishte momenti kur policia kishte nisur të rrihte brutalisht qytetarët dhe në studiot e ABC kishte nisur ekzaltimi, pasi ishin në një linjë me Berishën. Ashtu i gjakosur siç isha, shefat hodhën idenë që të dilja në studion e lajmeve dhe të jepja dëshminë time. Thashë “ok, do sqaroj se më qëlloi ai gardisti tek dritareja e zezë e bodrumit të kryeministrisë. (Nuk e dija se ishte derë)”. Pas konsultës me pronarin më “dolën edhe njëherë borxhit” duke më thënë: Thuaj që je goditur nga turma, i tillë ka qënë vërtet pozicioni nga je qëlluar!? Nuk mund ta pranoja. Më lanë aty. Kërkova të shkoja në spital. Më thanë se me urdhër të pronarit askush dhe asnjë makinë nuk do kalonte portën e hapësirës së TV Klan.

Kolegia Sonila Meço më dha makinën e bashkëshortit të saj. Gjej rastin t'i shpreh mirënjohje. Bashkë me ne erdhi edhe kolegia Yllka Kamenica që më ndihmoi mjaft në spital. I jam gjithashtu mirënjohës. Më vonë mora vesh që gjithçka që më ndodhi kishte ardhur pas deklaratës së Berishës: Thonë që është plagosur një gazetar por nuk është e vërtetë. Është panik që përhap Edi Rama! Drejtuesit dhe pronarët e kompanisë Klan, servilë të bindur të kryeministrit apo sarahoshë të rëndomtë, nuk e patën problem edhe të bënin deklarata të tipit: Mbajeni mbyllur atë aty ose groposeni, se na çau kokën!. Por nuk mund të them të njëjtën gjë për stafin me të cilin punoja të cilët bënë të pamundurën për të më ndihmuar madje në atë trazirë mund edhe të rrezikonin.

Në spital stafi mjekësor më ndërroi disa herë ambientin në mënyrë që të mos takoja prokurorët, por më në fund ata më gjetën dhe u dhashë dëshminë duke e shoqëruar edhe me një skicë. Që nga ai moment interesi i mjekëve për mua u bë zero. Nuk arrija ta kuptoja. Ditën tjetër u informova mirë dhe nisa të kuptoja. Kreu i Mjekësisë Ligjore, militant i sëmurë i PD u përpoq të më mbushte mendjen se me kishte qëlluar turma. Ndodhesha në zyrën e tij i shoqëruar nga një mik imi funksionar i lartë i SHISH të cilin e kisha prezantuar si kushëri. Pas debatit të ashpër me të e kërcënova se do i bëja kallëzim penal për tejkalim kompetencash. Mora ok me telefon nga njëri prej zëvendës drejtuesëve të prokurorisë, i cili ishte mik imi. Pas kësaj shefi i mjekoligjorëve u tërhoq dhe na kaloi në zyrën e një vartësi të vet. Ky na u justifikua se nuk kishte mjete për të bërë ekspertizë. Kështu që përdora aparatin tim fotografik. I lashë fotot atij dhe dola.

Shkova në studiot e ABC dhe i deklarova dorëheqjen time atyre që gjeta aty. Kryesisht miq të mi. Asnjë prej drejtuesëve nuk pranoi të më priste, përfshi edhe pronarin duke më komunikuar me korrierë se më kishin pushuar. Pas pak ditësh dhashë dëshminë time në Top Channel, si dhe mora pjesë në emisionin “Top Story”. Aty rrëfeva edhe njëherë ngjarjen dhe pas asaj më nisën gjithë të këqijat e më pasme. Një prokuror që takova në vendngjarje më tha që kishte hallin e vet dhe se nuk i binte mendja për të më mbrojtur mua. Ndërkohë plaga më ishte qelbëzuar. U nisa të ikja nga Rinasi. Kisha gjithë dokumentet e duhura madje edhe vizë valabël në pasaportë por më kthyen. Fatmirësisht nuk më morën pasaportën. Me një mik timin funksionar në polici vendosëm të largohesha nga Vlora. Aty, sipas tij mjaftoje të paguaje dhe kaloje. Nuk i binte mendja askujt. Dhe në fakt ashtu ishte. Kalova në Itali e pastaj shkova në Belgjikë.  

2) Si rrodhën më pas ditët për ju dhe familjen tuaj?
Sapo mbërrita në Belgjikë u paraqita në Zyrën e të Huajve. Sqarova çështjen time dhe ndërsa plotësonin dokumentacionin më sollën një infermier. Atij i sqarova se kisha një plagë tejshkuese plumbi, por pa më dëmtuar kockat. Ai më vërente i çuditur ndërsa unë ia përforcova idenë time duke i treguar edhe grafinë që kisha marrë nga Tirana. Kur mbërrita në spital më bënë grafi panoramike dhe në të gjitha pozicionet dalloheshin tre kocka të dëmtuara rëndë. Aty kuptova që grafia që më kishin dhënë në Tiranë nuk ishte e imja por me siguri dora e vete mjekut!!! Fatmirësisht pas një ndërhyrje kirurgjikale gjithçka për mua u normalizua.

Por nuk mund të them të njëjtën gjë për familjen time. Prindërit dhe vëllain tim. Edhe pse ndërruan banesën në Tiranë ata nuk kaluan asnjë çast rehat derisa kulmi ishte në muajin shtator 2011 kur një sejmen nga grupi i sigurisë fizike të familjes së Berishës qëlloi 6 herë tim vëlla me pistoletë në oborrin e pallateve tek Bërryli, para redaksisë së gazetës “Sot”. Falë përgatitjes fizike si ushtarak im vëlla mundi t'iu shpëtonte plumbave. Pas kësaj familja ime u rikthye në fshatin e origjinës në Mallakastër dhe vetëm pas 2013 im vëlla u rikthye në Tiranë për të vazhduar studimet universitare të lëna përgjysmë. Mora vesh më vonë që personi që qëlloi tim vëlla u shpërblye me një post të rëndësishëm në polici në një rreth verior ku vazhdon ende.
 
3) Duke iu rikthyer pasqyrimit të ngjarjeve të 21 Janarit, si mendoni se e pasqyroi media shqiptare në përgjithësi atë ditë dhe ditët që erdhën më pas?
Media si ajo që drejtonit juve, Alba, apo edhe mjaft të tjera kanë pasqyruar 21 Janarin dhe ngjarjet që e pasuan atë më mjaft profesionalizëm. Por fatkeqësisht nuk mund të them të njëjtën gjë për TV ku punoja unë, apo dhjetra media të tjera sahanlëpirëse të pushtetit.
 
4) Pastaj, pas medias fjala i kaloi Prokurorisë, Gjykatave, Drejtësisë. Keni një koment tuajin për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit?
Mund të them veç se nuk do të ketë kurrë drejtësi për 21 Janarin. Mjerë ata që ikën dhe të tjerët që u dëmtuan. Nëse do më kërkonit pse-në, përgjigja do të ishte: Rama për hir të karriges së vet bën gjithçka. Njëlloj si kjo aleancë e turpshme me shkaktarin e 21 Janarit. Kur e takova njëherë Ramën në Bruksel, ai ishte në opozitë atëherë, folëm për kauzën e 21 janarit. I thashë se do e ndihmoja me gjithçka që të mundesha vetëm që kjo çështje të zbardhej. Nuk i kërkova asgjë veç se të mos na tradhëtonte dhe të na linte në baltë. Mora një premtim të fortë prej tij, të cilin e besova, edhe pse nuk kisha dëgjuar kurrë fjalë të mira për të. Por e vërteta ishte ndryshe. Rama e hodhi poshtë kauzën tonë dhe nuk do t'ia dijë për zbardhjen e kësaj çështjeje duke bërë momentalisht rolin e strucit me reformën në drejtësi.
 
5) Këto ditë po diskutohet fort për Reformën për Drejtësinë. I keni ndjekur debatet, propozimet? Ju jeni një gazetar me eksperiencë në çështjet e Drejtësisë shqiptare (ishte fusha që keni mbuluar prej vitesh) Si e shihnit Drejtësinë në kontaktet tuaja si gazetar e më pas si u soll ajo me rastin tuaj?

Që nga dita e parë kur kam nisur të mbuloj çështjet e drejtësisë që nga viti 2001, kam dëgjuar për reformë në drejtësi. Nuk kam parë asnjëherë të ndodhë edhe pse e pres prej 15 vjetësh. Sigurisht i ndjek me interes debatet që bëhen aty për këtë dhe më përforcojnë idenë që asgjë e jashtëzakonshme nuk ka për të ndodhur. Do jenë po të njëjtët gjykatës dhe prokurorë që do qeverisin sistemin, thjesht do ndryshojnë vendet me njëri-tjetrin.

Kuptohet që pjesa e luanit në postet drejtuese do t'i mbetet familjes Berisha njëlloj si në të gjithë sistemin. Këtë e argumentoj më çështje si “Gërdeci”, “Rruga e Kombit”, “21 Janari” “Remzi Hoxha”, etj ku përfshirja e familjes Berisha në të u dha pafajësi kriminelëve për krime të kryera botërisht, ndërsa “armiqtë” e familjes Berisha në çështje si “Masakra e Cërrikut”, “Hakmarrja për Drejtësi”, “Qafë Gjashta”, etj morën dënime kapitale me prova të manipuluara. Për të mos thënë që fise të tërë si Haklajt e Tropojës u shfarosën pa nam e nishan. Tani, duke u mbështetur edhe në deklaratat kurajoze të ambasadorit amerikan Lu, ju pyes unë: A mund të bëhet drejtësi me këtë togë gjykatësish e prokurorësh që shërbimet ndaj familjes Berisha i përdorin si trampolinë për korrupsionin!?
 
6) Ju më pas u larguat nga Shqipëria dhe ndoshta jeni ndër të parët azilantë shqiptarë.
Gazetaria në Shqipëri ka qenë gjithnjë problematike dhe vazhdon të jetë edhe pse mendoj se të vërtetat mos në një media, në një tjetër, gjithnjë dalin. Është e pamundur të fshihet sot e vërteta, ndërsa problem mbeten shpifjet që përzihen mes të vërtetave. Sot që jeni larg, por që vazhdoni të ndiqni në distancë zhvillimet në Shqipëri dhe gazetarinë shqiptare. Çfarë konsideratash keni?

Gazetaria shqiptare mbetet ende e brishtë. Përderisa mediat nuk mund të arrijnë vetëfinancim këto probleme do të mbeten. Nuk po flas për ata pronarë mediash që nuk paguajnë rrogat e gazetarëve por për ato media ku shpeshherë iu duhet të punësojnë gazetarë pa integritet moral të cilët me dashje bëhen pjesë e shpifjeve dhe intrigave. Kjo e rëndon mjaft pozitën e medias në përgjithësi, përderisa në Shqipëri me sa di ende nuk ekzistojnë dosjet personale të punës për secilin të punësuar njëlloj si në çdo vend të civilizuar. Pra informaliteti që është ulur këmbëkryq aty i sjell këto pasoja. Dhe politikës, i intereson fort kjo gjendje. Një reformë e vërtetë në median shqiptare do të ishte gjëja e duhur që duhet të bëhet sa më parë.
 
7) Si dhe ku e shihni të ardhmen tuaj Fatos? Çfarë mund të thoni për vete sot si gazetar-azilant, por edhe për mijëra azilantët e tjerë shqiptarë që për arsye të ndryshme lanë Shqipërinë dhe sot janë jashtë.
Të ardhmen e shoh këtu në Bruksel, ku momentalisht ndodhem duke studiuar. Nuk më kanë munguar ofertat miqësore nga Shqipëria por duke analizuar edhe një sërë rrethanash të tjera vendosa të mbetem këtu. Përsa i përket azilantëve të momentit, them se shkaku i vërtetë i vërshimit të tyre është politika e brendshme që e katandisi Shqipërinë deri në këtë derexhe, saqë shqiptarët sajojnë lloj-lloj historish për të përfituar dokumentet e vendeve ku emigrojnë. Është turp, jemi në 2016!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)      

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?