Cuadrado dhe Lautaro

Interi ‘nxin’ Violat e Fiores, 4 gola në Serie A! Shkëlqen Thuram e Lautaro, ka vend edhe për Asllanin

3 Shtator 2023, 20:37| Përditesimi: 3 Shtator 2023, 20:39

  • Share

Interi fitoi 4-0 kundër Fiorentinës për javën e tretë në Serie A. Zikaltërit dominuan duelin kundër djemve të Italianos, duke “nxirë” vjollcët nga Firence. Lautaro me dopietë, Thuram dhe Calhanoglu bënë që Inzaghi në stol të ishte i qetë me fitoren e tretë radhazi në këtë fillim sezoni.

Ndeshja u zhbllokua pas 23 minutave lojë, kur Thuram dërgoi topin në rrjetë pas asistit të Dimarco. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, teksa Lautaro gjeti golin e qetësisë në të 53 minutë, pas pasimit final të Thuram.

Zikaltërit nuk do ndaleshin me kaq, teksa Calhanoglu në minutën e 58 ktheu në gol penalltinë e fituar nga Thuram. Gol, asist dhe penallti e fituar nga sulmuesi francez, që bën mos ndihet largimi i Lukakut.

Do duhej minuta e 73 që Lautaro të shënonte dopietën personale dhe golin e katërt të ndeshjes për Interin, pas pasimit të Cuadrado. 12 minuta në fundin e takimit edhe për Asllanin.

Me nëntë pikë pas tre javësh, Interi ndan kreun e Serie Ame Milanin. Ndeshja e radhës gjen Interin në përballje me Milanin, në derbin që vjen pas pushimit për shkak të sfidave të kombëtareve.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?